Gjatë ushtrimit të detyrës së tyre si avokatë, Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Besnik R. Berisha dhe nënkryetari, Naim Rudari, në disa raste dhe në disa objekte të Policisë së Kosovës, kanë vërejtur pajisje incizimi që në dukje ngjasojnë me kamera artizanale, të vendosura në hapësira ku zhvillohen intervistat dhe konsultat konfidenciale ndërmjet avokatëve dhe palëve.

Kështu thuhet në njoftimin e Odës së Avokatëve të Kosovës, drejtuar avokatëve në Kosovë.


Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se kjo situatë është një rrezik për standardet e konfidencialitetit dhe të drejtave procedurale.

“Duke e konsideruar këtë situatë një rrezik të drejtpërdrejtë për standardet e konfidencialitetit dhe të drejtave procedurale, Oda e Avokatëve të Kosovës ka ndërmarrë menjëherë veprimet institucionale dhe ka kërkuar sqarim zyrtar nga Policia e Kosovës”.

Tutje në njoftim thuhet se në përgjigjen e saj, Policia ka njoftuar se pajisjet:

  • Janë instaluar rreth tre vite më parë si pjesë e një projekti zyrtar për sistemet audio/video në dhomat e intervistimit;
  • Nuk përbëjnë pajisje të fshehta, ilegale apo të menaxhuara nga stafi hetues;
  • Nuk janë funksionalizuar dhe nuk kanë gjeneruar asnjë incizim;
  • Janë vendosur në kuadër të një projekti të koordinuar me institucionet kompetente.

Megjithatë, siç thuhet në njoftim, Oda e Avokatëve vlerëson se prania e pajisjeve që në dukje ngjasojnë me kamera artizanale, pa shenja të dukshme identifikuese, pa sinjalizim teknik dhe pa njoftim paraprak, krijon pasiguri të justifikuar dhe bie ndesh me standardet e konfidencialitetit që garantojnë ushtrimin e profesionit të avokatit.

“Për këtë arsye, OAK u bën thirrje të gjithë avokatëve që të jenë maksimalisht vigjilentë dhe të mos zhvillojnë konsultime konfidenciale në hapësira ku ekziston dyshim mbi sigurinë teknike apo privatësinë e bisedës, pavarësisht përgjigjes së dhënë nga policia”.

Oda e Avokatëve të Kosovës tutje thekson se mbetet e përkushtuar ndaj mbrojtjes së standardeve profesionale të avokatëve, të drejtave procedurale të palëve dhe garantimit të kushteve të sigurta e të pandryshueshme të konfidencialitetit në të gjitha hapësirat e intervistimit. /Telegrafi/