LAJMI I FUNDIT:

Oda e Afarizmit kërkon nga MTI përkrahje në përmirësimin e klimës së biznesit

Oda e Afarizmit kërkon nga MTI përkrahje në përmirësimin e klimës së biznesit

Vakuumi i infrastrukturës ligjore, inicimi i Ligjit për Tregti të Brendshme, krijimi i ofertave për biznesin, funksionalizimi i Ligjit për Investime Strategjike, ndryshim/plotësimi i Ligjit për Shoqëritë Tregtare dhe përkrahja më e madhe e prodhimit vendor ishin kërkesat që Oda e Afarizmit të Kosovës adresoi në takimin me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi.

Gjatë këtij takimi u diskutua për sfidat me të cilat po ballafaqohen bizneset si rezultat i pandemisë, ekzekutimin në tërësi sa më parë të pakos emergjente dhe finalizimin e Pakos së Rimëkëmbjes, e cila do të ndihmonte bizneset gjatë kësaj periudhe.


OAK theksoi rëndësinë që bashkërisht të lobohet për zgjidhjen e shumë problemeve me të cilat ballafaqohen bizneset, duke veçuar Ligjin për Tregti të Brendshme i cili ka rëndësi jetike dhe do të rregullonte shumë çështje sa i përket operimit në tregun e brendshëm, krijimin e ofertave për bizneset e interesuara për rritjen e investimeve të tyre, duke stimuluar dhe ofruar pako konkrete çoftë për investitorët vendor ashtu edhe ata ndërkombëtar si dhe trajtimin me prioritet të kërkesave për statusin e investitorit strategjik dhe plotësim/ndryshimin e Ligjit për Investime Strategjike duke u bërë rishikimi i kushteve dhe krijimit të lehtësirave për bizneset.

Anëtari i bordit i OAK-ut, Hasan Gigollaj theksoi çështjen e Ligjit për Shoqëritë Tregtare, përkatësisht nenin 34 pika 2.5 që obligon Shoqëritë Aksionare që në bordet e tyre të kenë 50 për qind gra. Gigollaj shtoi që kuota gjinore është mirë të respektohet duke qenë e preferuar por jo obligative meqenëse ka tendencë që përmes ligjeve të ndërhyhet në menaxhimin e bizneseve private.

Kurse anëtari i bordit Hysni Zogaj veçoi aktivitetet që OAK është duke ndërmarrë me qëllim që të trajtojë problemet e bizneseve, të avokojë dhe lobojë për zgjidhjen e tyre. Zogaj shtoi që minierat dhe bujqësia janë dy sektorët më me potencial për zhvillimin e vendit andaj si të tillë duhet të përkrahen sa më shumë.

Ndërsa anëtari i bordit Lulzim Begaj theksoi nevojën urgjente të formimit të komisionit ndërministror për shqyrtimin dhe trajtimin e kërkesave aktuale të investitorëve strategjik.

Ministri Vesel Krasniqi shpalosi prioritetet e digasterit që ai drejton dhe u zotua që të ofrojë përkrahje në tejkalimin e sfidave të bizneseve. Krasniqi shtoi që mbështetja e prodhuesve vendor dhe fuqizimi i tyre për eksport nëpërmjet programeve përkrahëse janë prioritet i tij. /Telegrafi/