Oda Amerikane: Pezullimi i Dialogut Strategjik, hap prapa për Kosovën
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka reaguar pas njoftimit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën, duke e cilësuar këtë si një hap prapa për aspiratat ekonomike dhe diplomatike të vendit.
Në deklaratë thuhet se në këtë moment vendimtar është jetike që Qeveria e Kosovës të ndryshojë qasjen e saj dhe të angazhohet në një koordinim më të ngushtë me SHBA-në dhe partnerët ndërkombëtarë.
“Kosova nuk ka mbështetës dhe partner më të madh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ky realitet duhet të reflektohet në veprimet dhe vendimet e institucioneve të saj,” thuhet në reagim.
Oda Amerikane nënvizon se vetëm përmes bashkëpunimit konstruktiv dhe përafrimit me aleatët më të besueshëm, Kosova mund të garantojë stabilitet, të çlirojë mundësi të reja ekonomike dhe të sigurojë mirëqenie afatgjatë për qytetarët e saj.
Në fund, Oda Ekonomike Amerikane riafirmon përkushtimin për avancimin e partneritetit Kosovë–SHBA dhe u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë e jopolitikë në vend që të veprojnë me përgjegjësi dhe urgjencë për rikthimin e besimit dhe dialogut.






























