Partia opozitare maqedonase OBRM-PDUKM, përmes një kumtese për media thekson se kryeministri Zoran Zaev vazhdon me shitjen e interesave shtetërore dhe kombëtare, me qëllim që të realizojë interesat personale.

“Zaevi i falur dhe banda e tij kriminele për të satën herë, interesat partiake i vendosin para atyre shtetërore dhe nacionale. Ngadalë por sigurt Maqedonia po bëhet shtet i panjohur për qytetarët të ciltë tërë jetën e tyre e kanë kaluar në të, por Zaev nuk ndalet këtu. Nëse Republika e Maqedonisë edhe më tutje do të ridefinohet, nëse do të shkruhen kufij të rinj?”, thonë nga OBRM-PDUKM.

Ata shtojnë se Zoran Zaev është i obliguar t’u thotë qytetarëve nëse para rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale ai është takuar me Ali Ahmetin dhe për çka është biseduar në atë takim.

“Funksionet janë kalimtare, ndërsa Republika e Maqedonisë është gjithçka që kemi, Zoran Zaev duhet ta kuptojë këtë. Kolltuku i kryeministrit nuk është më i rëndësishëm se interesat e qytetarëve maqedonas. Zaev duhet sa më parë të largohet nga politika, ky njeri duhet menjëherë të japë dorëheqje në mënyrë që t’i përfundojë poshtërimet dhe zhgënjimet të cilat ai ua servon qytetarëve maqedonas”, thonë nga OBRM-PDUKM./Telegrafi/