LAJMI I FUNDIT:

Nvidia pritet të goditet me 5.5 miliardë dollarë pasi SHBA shtrëngon rregullat e eksportit të çipave në Kinë

Nvidia pritet të goditet me 5.5 miliardë dollarë pasi SHBA shtrëngon rregullat e eksportit të çipave në Kinë

Prodhuesi i mikroçipave Nvidia tha se do të goditet me 5.5 miliardë dollarë në kosto pasi qeveria amerikane shtrëngoi rregullat e eksportit në Kinë.

Gjiganti i prodhimit të çipave, i cili ka qenë në zemër të bumit të Inteligjencës Artificiale (AI), do të kërkojë licenca për të eksportuar çipin e tij H20 AI në Kinë, i cili ka qenë një nga më të njohurit e saj, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Rregullat vijnë në mes të një lufte tregtare në përshkallëzim midis SHBA-së dhe Kinës, me të dyja vendet që vendosin tarifa të larta tregtare ndaj njëri-tjetrit që mbulojnë mallra të ndryshme.


Nvidia njoftoi të martën se qeveria amerikane i kishte thënë javën e kaluar se çipi H20 kërkonte një leje për t’u shitur në Kinë, përfshirë Hong Kongun.

Gjiganti i teknologjisë tha se zyrtarët federalë i kishin këshilluar se kërkesa për licencë “do të jetë në fuqi për një të ardhme të pacaktuar”.

Kompania nuk pranoi të komentojë më tej kur u kontaktua nga BBC.

Marc Einstein nga konsulenca Counterpoint Research tha se goditja prej 5.5 miliardë dollarësh e vlerësuar nga Nvidia ishte në përputhje me vlerësimet e tij.

“Ndërsa këto janë sigurisht shumë para, kjo është diçka që Nvidia mund të përballet”, tha ai.

“Por siç e kemi parë në ditët dhe javët e fundit, kjo mund të jetë kryesisht një taktikë negociuese. Nuk do të habitesha të shihja disa përjashtime ose ndryshime të bëra në politikën tarifore në të ardhmen e afërt, duke pasur parasysh që kjo ndikon jo vetëm në Nvidia, por në të gjithë ekosistemin e përçuesve të SHBA-së”, shtoi zoti Einstein.

Çipat mbeten një fushë beteje në garën SHBA-Kinë për supremacinë teknologjike dhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tani dëshiron të shtyjë një proces shumë kompleks dhe delikat të prodhimit që u ka dashur rajoneve të tjera dekada për t’u përsosur. /Telegrafi/