Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përditësuar të dhënat lidhur me numërimin e votave për kandidatët për deputetë.

Deri në këtë fazë, janë numëruar rreth 99 për qind e votave, çka ka sjellë ndryshime në tri mandatet e fundit të listës së Lëvizjes Vetëvendosje.


Sipas rezultateve të fundit, Ilir Kërçeli ka arritur të tejkalojë me vota Vigan Qorrollin dhe Naim Bardiqin, duke u renditur aktualisht në vendin e 55-të, pozitë kjo që i siguron mandat deputeti.

Renditja aktuale për tri pozitat e fundit është si vijon:

55. Ilir Kërçeli – 16,979 vota
56. Naim Bardiqi – 16,902 vota
57. Vigan Qorrolli – 16,761 vota

Me këtë renditje, Ilir Kërçeli dhe Naim Bardiqi mbeten brenda listës së kandidatëve që sigurojnë mandat, ndërsa Vigan Qorrolli, për momentin, mbetet jashtë Kuvendit të Kosovës.

Megjithatë, duke qenë se procesi i numërimit ende nuk ka përfunduar plotësisht dhe priten edhe votat e mbetura, përfshirë ato nga diaspora, renditja përfundimtare mund të pësojë ndryshime të tjera./Telegrafi/