Pas mbledhjes së grupit Parlament të Partisë Socialiste, Taulant Balla komentoi vendimin e opozitës që do të tërhiqet nga Komisioni për Reformën Zgjedhore dhe për Reformën Territoriale.

Balla tha se nuk “pranojmë kërcënime” dhe në asnjë rast bojkotimet nuk do të pezullojnë punën në komisione.


“Nëse opozita nuk merr pjesë, atëherë do të ndryshojnë formulën e komisioneve për anëtarë të barabartë, siç janë aktualisht, dhe PS do të marrë shumicën”-deklaroi Balla ndër të tjera.

“Me historinë që ne ikim ne s’votojmë, ata të shohin punën e vet. Ne do të presim reflektim nga ana e tyre është një vendim emocional në kushte të javës së kaluar por besojmë që emocionet do t’i kalojnë pas gjelit të detit dhe bakllavasë. Me fillimin e sesionit të ri t’i rikthehen punës, nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, ata e prishin dakordësinë për të mos marrë pjesë në komision…

Në rast se mendojnë se mund të marrin peng komisionet, atëhere ne do të respektojmë vullnetin e shqiptarëve që të kalojmë në shumicë në komisione, pasi shumicën e vendosi vetë populli. Pakica nuk e merr dot peng nevojën e reformës ndërkohë që gatishmëria jonë për tu ulur me opozitën mbetet e plotë”, tha Balla. /tch/