"Nuk ka ndodhur nga aksidenti" - Policia jep detaje për vdekjen e 26-vjeçarit në autostradën 'Arbën Xhaferi'

Fillimisht u raportua se një i ri nga Komuna e Vitisë kishte ndërruar jetë si pasojë e një vetaksidenti, por hetimet e para të Policisë së Kosovës e kanë përjashtuar këtë version.
Ideal Halabaku, 26 vjeç, nga fshati Pozheran, u gjet pa shenja jete të dielën, më 8 qershor 2025, në afërsi të fshatit Bob, në komunën e Kaçanikut.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, rreth orës 13:15, një qytetar ka informuar autoritetet për praninë e një trupi të pajetë në një zonë afër autostradës “Arbën Xhaferi”.
Fillimisht u dyshua se vdekja mund të kishte ardhur si pasojë e një aksidenti trafiku, që mendohej të kishte ndodhur rreth orës 05:00 të mëngjesit.
Megjithatë, pas ekzaminimeve të para nga njësitet përkatëse të Trafikut të Autostradës, hetuesit kanë konstatuar se vdekja e të riut nuk ishte rezultat i një aksidenti trafiku.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit e stacionit policor në Kaçanik, njësitë e Hetimeve Rajonale dhe Forenzika Rajonale, të cilët janë përfshirë në rast pas orës 16:45.
Prokurori për krime të rënda nga Prokuroria Themelore në Ferizaj ka urdhëruar që rasti të trajtohet si “Hetim mbi vdekjen”.
Policia ka bërë të ditur se hetimet janë në zhvillim dhe më shumë detaje priten të publikohen pasi të përfundojnë ekzaminimet e nevojshme nga hetuesit rajonalë./Telegrafi/





















































