Nuk ia vlen më që të minohet Bitcoin

Momenti që shumë entuziastë të kriptomonedhave e kishin frikë - më në fund ka ardhur: minimi i Bitcoinit nuk është më i leverdishëm.
Minimi është një proces në të cilin kompjuterët - zakonisht të pajisur me procesorë grafikë me konsum të lartë energjie - verifikojnë transaksionet në rrjetin blockchain përmes mekanizmit të "provës së punës" (anglisht: proof of work). Si shpërblim, minuesit marrin një sasi të caktuar Bitcoin, në përpjesëtim me fuqinë që kanë investuar.
Ky model, që nga paraqitja e Bitcoinit në vitin 2009, ka qenë i leverdishëm, pasi vlera e tij ishte më e lartë se kostoja e energjisë elektrike të nevojshme për minimin.
Por, meqenëse numri i Bitcoinëve të rinj që futen në qarkullim po zvogëlohet vazhdimisht – i kufizuar në gjithsej 21 milionë – dhe konkurrenca rritet, përllogaritja ekonomike bëhet gjithnjë e më pak fitimprurëse.
Edhe pse një Bitcoin aktualisht shitet për rreth 94 mijë dollarë, kostoja e prodhimit për minuesit e vegjël kalon 137 mijë dollarë, sipas vlerësimeve më të fundit nga portali Gizmodo. Edhe për sistemet e mëdha të minimit me infrastrukturë të optimizuar, kostoja arrin rreth 82 mijë dollarë - çka do të thotë se marzhet e fitimit janë minimale dhe po zvogëlohen gjithnjë e më shumë.
Për krahasim, në shtator të vitit 2024, minimi i një Bitcoin kushtonte rreth 56 mijë dollarë. Brenda më pak se një viti, kostot janë pothuajse dyfishuar, çka dëshmon se leverdishmëria e minimit po shembet me shpejtësi të jashtëzakonshme.
Bitcoini dikur lavdërohej si një alternativë e decentralizuar ndaj sistemit bankar, por sot është shumë i përqendruar në duart e pak vetave.
Sipas të dhënave të disponueshme, 8 për qind e portofolëve digjitalë mbajnë mbi 98 për qind të të gjithë Bitcoinëve, ndërsa 1 për qind e përdoruesve kontrollon më shumë se 90 për qind të ofertës totale. Ideali fillestar për një shpërndarje të barabartë është zëvendësuar nga realiteti: një sistem kriptovalute i ngjashëm me financat tradicionale, por me edhe më pak rregullim.
Teknikisht, Bitcoini administrohet nga një rrjet i decentralizuar, por në praktikë vendimmarrja është e përqendruar në mesin e zhvilluesve, minatorëve të mëdhenj dhe investitorëve institucionalë – një grup që e bazon fuqinë e vet në qasjen ndaj infrastrukturës dhe kapitalit.
Kombinimi i konsumit të lartë të energjisë, kostove të larta të minimit dhe përqendrimit të madh të pronësisë e ka kthyer Bitcoinin, siç thuhet në analizë, në një instrument joefikas energjetik që i sjell përfitim kryesisht më të pasurve.
I menduar dikur si një mjet financiar demokratik, Bitcoini është shndërruar në një tjetër mekanizëm spekulativ, ku fitimi shkon te më të fuqishmit, ndërsa koston e energjisë e paguajnë të gjithë të tjerët. /Telegrafi/


















































