Helmimi nga plumbi është një gjendje serioze që shfaqet kur trupi ekspozohet ndaj niveleve të larta të këtij metali

Edhe pse shpesh mendohet se helmimi nga plumbi i përket kohëve të shkuara, ai mund të ndodhë edhe sot. Veçanërisht të rrezikuar janë fëmijët në zhvillim. Trajtimi është efektiv, por megjithatë mund të lërë pasoja të gjata, thonë ekspertët e Cleveland Clinic.


Nuk ka dozë të sigurt të plumbit, sepse ky është metal i rëndë toksik që mund të hyjë në trup në mënyra të ndryshme.

Çfarë është helmimi nga plumbi?

Helmimi nga plumbi zakonisht ndodh nga kontakti me bojë të vjetër me bazë plumbi. Mund të vijë edhe nga dheu i kontaminuar pranë rrugëve, ndërtimeve të vjetra dhe objekteve industriale. Gjurmë plumbi mund të gjenden edhe në disa preparate bimore, në gota kristali që përmbajnë plumb, si dhe në qeramikë të glazuar (p.sh., pjata, gota, kusi).

Me plumb mund të ekspozohemi edhe duke jetuar në ndërtesa të vjetra me bojë plumbi, përmes ajrit, ose gjatë punës në industri pa pajisje të përshtatshme mbrojtëse.

Fëmijët - më të rrezikuarit

Helmimi nga plumbi është i rrezikshëm për të gjithë, por fëmijët janë më të ndjeshëm sepse plumbi dëmton sistemin nervor, trurin dhe organet e tjera vitale. Mund të shkaktojë vështirësi në të nxënë, probleme në sjellje dhe vonesa intelektuale.

Që nga ndalimi i bojërave me plumb, rastet e helmimit janë ulur mbi 95%, por ekspertët paralajmërojnë se plumbi mbetet një problem i madh shëndetësor publik, transmeton Telegrafi.

Kur shfaqen simptomat?

Disa të rritur dhe fëmijë mund të kenë nivele të larta plumbi pa shfaqur simptoma. Në raste të tjera, simptomat shfaqen menjëherë ose zhvillohen gradualisht.

Te fëmijët, simptomat e mundshme janë:

▪ ngërçe
▪ hiperaktivitet
▪ vështirësi në të nxënë
▪ ndryshime në sjellje
▪ dhimbje koke
▪ të vjella
▪ lodhje
▪ anemi

Te të rriturit:

▪ dhimbje koke
▪ dhimbje barku
▪ çrregullime të sjelljes
▪ anemi
▪ mpirje në këmbë
▪ ulje të libidos
▪ infertilitet

Kur shfaqen simptomat?

Disa të rritur dhe fëmijë mund të kenë nivele të larta plumbi pa shfaqur simptoma. Në raste të tjera, simptomat shfaqen menjëherë ose zhvillohen gradualisht.

Faktorët e rrezikut

Veçanërisht të rrezikuar janë bebet dhe fëmijët nën 6 vjeç, familjet me të ardhura të ulëta dhe fëmijët e nënave që kanë qenë të ekspozuara ndaj plumbit.

Si diagnostikohet helmimi nga plumbi?

Mjeku kryen ekzaminim fizik dhe kërkon analizë të gjakut dhe urinës. Dy testet kryesore janë:

– testi kapilar (gjak nga gishti ose thembra)
– analiza e gjakut nga vena (më e saktë)

Mund të kërkohen edhe analiza të hekurit në gjak. Në raste të caktuara bëhet rëntgen i barkut për të parë grimca boje me plumb.

Si trajtohet?

Trajtimi fillon duke gjetur dhe eliminuar burimin e ekspozimit. Rekomandohet ushqim i pasur me vitaminë C, hekur dhe kalcium. Kontrolli periodik i gjakut ndihmon për zbulimin e hershëm.

Në raste të rënda te fëmijët përdoret terapia keliuese, e cila lidhet me plumbin dhe ndihmon trupin ta eliminojë. Nëse shihen grimca boje në zorrë, mund të bëhet shpëlarje e traktit tretës.

Dëmet nga plumbi nuk mund të zhbëhen, por mund të parandalohet përkeqësimi duke larguar burimin.

Prognoza

Falë përparimeve në terapinë moderne, shanset për përmirësim janë më të mira. Megjithatë, te fëmijët shpesh mbeten pasoja të rënda: vështirësi intelektuale, kriza epileptike dhe nevojë për kujdes afatgjatë.

Parandalimi

Helmimi nga plumbi është i parandalueshëm. Nëse jetoni në ndërtesa të ndërtuara para vitit 1978, duhet testuar boja dhe pluhuri për plumb. Plumbi mund të gjendet edhe në tubacionet e vjetra të ujit, ndaj rekomandohet lënia e ujit të ftohtë të rrjedhë për 1 minutë para përdorimit.

Masat e tjera përfshijnë:

▪ ushqimi i pasur me hekur, kalcium dhe vitaminë C
▪ larje e shpeshtë e duarve dhe lodrave
▪ heqja e këpucëve para hyrjes
▪ pastrim i dyshemeve dhe sipërfaqeve me leckë të lagur
▪ përdorimi i pajisjeve mbrojtëse gjatë punës me plumb
▪ ndërrimi i rrobave dhe këpucëve pas punës
▪ dushi sapo mbërrini në shtëpi

Gratë shtatzëna duhet të shmangin ekspozimin sepse plumbi dëmton fetusin, rrit rrezikun për abort, lindje të parakohshme dhe dëmtime të trurit, nervave dhe veshkave të fëmijës.

Të rrezikuar janë edhe ata që merren me renovime, punime druri dhe mobiliesh, lyerje, shkrirje ose nxjerrje të plumbit, punime në automjete, ndërtim urash dhe tunelesh, si edhe prodhim ose riciklim baterish. /Telegrafi/