Nga: Sejdo Harka

– Mblidheni hirin e së shkuarës dhe mbilleni që të lulëzojë e ardhmja –

Nobelisti Jorgos Seferis (Giorgos Seferis), ky korife i letërsisë moderne greke, që i këndoi mjerimit dhe pikëllimit botëror, ka mbetur në memorien e lexuesit të gjerë, jo vetëm si përfaqësues kryesor i brezit shkrimtarëve helenikë të viteve 1930, por dhe si nobelisti i parë grek që hodhi themelet e urës lidhëse mes letërsisë homerike dhe asaj moderne evropiane. Seferis, duke ecur në gjurmët e miteve, legjendave e të letërsisë antike greke, si dhe në rrugën e porsaçelur nga simbolizmi francez dhe hermetizmi eliotik, me kohë do të bëhej pionieri i parë i letërsisë moderne evropiane të shekullit të XX. Me poezitë dhe përshkrimet e tij të papërsëritshme për bukuritë përrallore të Korçës e Liqenit të Pogradecit, si dhe të heroizmit të popullit shqiptar, me në ballë Skënderbeun në luftë për mbrojtjen e lirisë nga pushtuesit, Seferis do të mbetet përjetësisht i gjallë edhe në memorien e popullit shqiptar. Me penën e tij të artë, ai u shqua veçanërisht si poet, por edhe si eseist dhe përkthyes origjinal.

Reklama
Reklama

Para se të ndalemi tek vlerat e papërsëritshme të krijimtarisë së tij shumëdimensionale, së pari do të tregojmë, me pak fjalë, se kush është Jorgos Seferis:

Lindi më 13 mars të vitit 1900, në Smirnë (Izmiri i sotëm) të Azisë së Vogël, në një familje intelektualësh. I ati i tij, Stelios, e nisi punën si jurist, ndërsa më vonë do të punojë pedagog i të drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Athinës, i cili si hobi të veçantë kishte poezinë. Viti 1914, që përkon me shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore, Seferisin do ta gjente në Athinë ku do të niste mësimet e gjimnazit dhe shkruan vargjet e tij të parë. Në vitin 1918 ndodhet në Paris, bashkë me të atin i cili, atë kohë punonte avokat. Pas një viti, ndërsa familja rikthehet në Athinë, nis studimet e larta për drejtësi në Universitetin e Sorbonës, ku më pas do të doktorohet. Në vitin 1924, pas diplomimit, shkon në Londër për perfeksionimin e anglishtes. Ndërsa, në vitin 1925, rikthehet në Athinë ku fillon të mbajë ditarin që do t’i shërbejë si “brumi” për tërë veprimtarinë e tij krijuese.

Reklama
Reklama

Mbas vdekjes të së ëmës në vitin 1926, nis të shkruajë romanin “Gjashtë netë në Akropol”, i cili do të botohet vetëm pas vdekjes së tij. Në vitin 1931 do të botonte përmbledhjen e parë poetike me titullin “Kthesë”. Është koha kur Seferisi njihet për herë të parë me poetin e madh, Thomas Eliot. Prej kësaj kohe nis seria e shkrimit dhe botimit të poemave dhe përmbledhjeve poetike të tij, si: ”Sterra” (1932), “Legjendat…” (1935). Ndërsa në vitin 1936 përkthen ciklin e plotë të poezive të Eliotit, “Tokë e shkretë”.

Në vitet 1936-37, Seferisi do të punonte si Konsull i Greqisë në Korçë. Shtëpisë ku ai banoi në ato vite, korçarët edhe sot i thonë “Shtëpia e Jorgo Seferisit”. Bukuria dhe ashpërsia dimërore e Korçës, mrekullia e Liqenit të Pogradecit, si dhe heroizmi i trimave shqiptarë si Skënderbeu, do të bënte që ai të shkruante për ta shumë poezi dhe ese të bukura. I mahnitur nga bukuria dhe heroizmi i këtij vendi, në një letër që i dërgonte të dashurës së tij nga Korça, mes të tjerash i shkruante:

Reklama
Reklama

“Në strehëzat e shtëpive korçare kërcënojnë stalagmitet e akullta. Puhiza rrëmben ngricat e dëborës. Pëlhura e bardhë nis të mbulojë kodrat dhe malet. Vajzave korçare u pëlqen të imitojnë gratë e Parisit. Ndërsa Korça trendet nga ëndrrat për t’u quajtur ‘Paris i vogël’”.

E befasonte bukuria e Liqenit të Pogradecit, i cili i ngjante me një det të vdekur drejt kaltërsive të të cilit zbrisnin vrullshëm, nga shpatet e thepisura të maleve, mbushur me dëborë, trimat shqiptarë triumfatorë, të prirë nga Heroi unë kombëtar, Gjergj Kastrioti.

Në fillimet e Luftës Italo-Greke (1940), Seferisi boton përmbledhjen poetike “Fletore ushtrimesh” dhe nis serinë e librit “Ditari i kuvertës”. Në vitin 1941 martohet me Maron dhe e shoqëron qeverinë greke për në Egjipt, ku nis punën si ambasador i Greqisë në Afrikën e Jugut. Në vitin1942 kthehet në Kajro, ku emërohet drejtor i zyrës së shtypit, ndërsa në vitin1945 bëhet drejtor i zyrës politike të mëkëmbësit të Mbretit, që ndodhej në mërgim. Në vitin 1947 nderohet me çmimin e parë letrar, me medaljen “Palmas Boton”, ndërsa në vitin1960 nderohet me çmimin ”Foyle”. Për herë të parë drejt Qipros udhëton në vitin 1953, ndërsa në vitin 1956 kthehet nëpunës në zyrën politike të Ministrisë së Jashtme. Në vitin 1958 merr pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të Greqisë, Turqisë dhe Anglisë për çështjen qipriote.

Reklama
Reklama

Në vitin 1962 rikthehet përfundimisht në Athinë, ku boton ciklin e plotë me ese. Kur Seferiso doli në pension, i dorëzuan tri dekorata të larta, si ”Doktor Nderi i Universitetit të Selanikut, i Universitetit të Oksfordit dhe i Universitetit të Prinstonit. Ndërsa, në vitin 1966 boton përmbledhjen “Poezi të fshehta”. Më pas, në vitin 1967, atë e shohim të përjetojë keq vendosjen e diktaturës së kolonelëve në tërë Greqinë. Edhe pse në atë kohë miqtë e tij i kërkuan ta strehonin dhe punësonin në universitetet e botës, nuk pranoi të syrgjynosej jashtë vendit sepse, siç thotë dhe vetë, donte të rrinte mes popullit të tij, për të ndarë me të fatin e keq të kombit të tij. Ndaj, në vitin 1969 del hapur me një deklaratë kundër Juntës ushtarake, gjë që do t’i kushtonte izolimin, duke i hequr pasaportën diplomatike. Në vitin 1971 shtrohet në Spitalin e Ungjillëzimit, ku gjatë operacionit merr një mikrob spitalor i cili një mëngjes shtatori të këtij viti, i shkakton vdekjen e papritur në një moshë relativisht të re, kohë kur kishte lënë shumë ëndrra pa realizuar. Funerali i tij, ditën e varrimit, u kthye në një protestë e madhe popullore kundër Juntës të kohës.

Reklama
Reklama

Viti më i gëzueshëm për të ishte viti 1963, sepse është koha kur Akademia Suedeze e Shkencave e ka nderuar me Çmimin e madh Nobel, i përzgjedhur midis 10 shkrimtarëve të nominuar, mes të cilëve edhe gjigandë të tillë si Neruda, Nabakov, Beket etj. Me këtë çmim ai vlerësohet “… për shkrimet e tij të shquara lirike, të frymëzuara nga një ndjenjë e thellë për botën helenike të kulturës”. Ja ç’thotë Seferis kur merr vesh këtë lajm të gëzueshëm:

“Akademia Suedeze, me këtë çmim desh të na bënte të njohur, se bota e sotme ka nevojë për poezinë e çdo populli, edhe për frymën greke”.

Reklama

Në fjalën e tij, mbajtur në Banketin e Nobelit të Bashkisë së Stokholmit, më 10 dhjetor të vitit 1963, veç të tjerash thekson:

Reklama

“E konsideroj të rëndësishme që Suedia dëshiron të vlerësojë edhe poezinë që buron nga një popull i vogël, sepse poezia është e domosdoshme për këtë botë moderne që është pllakosur nga frika dhe trazimi. Poezia është akt besimi dhe ka frymëmarrjen dhe zërin e njerëzve të kohës. Sot na duhet ta dëgjojmë atë zë, që ne e quajmë poezi, atë zë të ngrohtë që kërcënohet të shuhet nga mungesa e dashurisë”.

Kurse në ligjëratën e tij, mbajtur më 11 dhjetor të vitit 1963, mes të tjerash Seferis thekson:

Reklama

“Mbështetje bazë për mua ka qenë krijimtaria popullore dhe letërsia e kultivuar e pararendësve të mi. Por, nuk mund të harroj eposin homerik dhe letërsinë e brezave të rinj, që po vjen pas nesh. Ky brez ka këndvështrimin e tij për botën dhe shoqërinë e ndryshuar. Shohim se ai me krijimtarinë e tij po nxjerr në pah humnerat e shpirtit njerëzor dhe të universit përreth. Është brezi i pikëllimit të trazuar, por do të doja që ky brez të meditojë për të ardhmen”.

Reklama

Meditimet e lira për kohën janë të dobishme. Ai donte që ky brez të ecte pas gjurmëve të krijueseve të tillë popullorë si Makryanus, i cili, siç thotë vetë, edhe pse nuk ishte poet, kënga ishte brenda tij, ashtu siç kishte qenë brenda njerëzve të zakonshëm. Shkrimet e tij i ngjanin një muri të ngritur gur më gur. Por fundi i tij ishte tragjik. Kur u burgos, i shkruante Zotit:

Reklama

“Po ju nuk më dëgjoni. Ju nuk më shikoni!”

Krijimtaria e nobelistit Jorgos Seferis është sa e gjerë aq dhe e larmishme. Disa nga veprat më të mira të tij që i dhanë emrin e merituar dhe janë përkthyer në shumë gjuhë të botës janë: “Vendkalimi” (1931), “Cisterna” (1932), “Historia e miteve” (1935), “Ushtrimorja” (1940), seria e “Ditarit të detit” (1940-45), “Poezi të fshehura” (1966), Seria e librave me ese (1974) dhe seria e ditarit me shtatë vëllime, botuar në vitin 1990, mbas vdekjes.

Reklama

Brendia e krijimtarisë së këtij autori, për shkak të formës ekstravagante, rrjedh vrullshëm, si lumenjtë malorë pa fre, herë me simbolika të errëta e herë me ide abstrakte, që gurgullojnë në brezarët e vargjeve, ashtu si rrymat e brendshme nënujore detare. Është kjo arsyeja që krijimtaria poetike e Seferisit është bërë objekt i mendimeve kontroverse të kritikës letrare greke dhe asaj evropiane e botërore. Ka patur nga ata që poezitë e tij i ka quajtur kriptograma hermetike, që për t’i hapur, duhet një çelës. Ndërsa kritikë të tjerë i kanë konsideruar si poezi abstrakte, surrealiste, në të cilat koha, vendi, idetë dhe mesazhet zhyten në fund të errësirës abstrakte. Por, pa mohuar simbolikën abstrakte të poezive të nobelistit grek, po aq i vërtetë është fakti se mes koloritit surrealist të poezive të tij, një lexues i vëmendshëm mund të zbulojë zërin vetjak të autorit, e cila buron nga fryma realiste, tokësore dhe njerëzore.

Pas Marrëveshjes së Lozanës, shumë turq ortodoksë, për shkak të besimit të tyre, të detyruar, morën arratinë për në viset greke, mes të cilëve dhe të parët e Seferisit të cilët që prej asaj kohe jetuan si “gur i shkulur” larg trojeve të veta, ku nuk mund të shkonin më, përveç se si mysafirë. Në këtë plagë të rëndë e cila “kudo që ta prekësh dhëmb”, ngjeu penën e mallëngjimit poeti Seferis, gjë që ndihet thellë edhe në vargjet e tij metaforikë:

“U zgjova me këtë kokë mermeri në duar / që po m’i rraskapit bërrylet, dhe nuk di ku t’i mbështes”.

E vetmja përgjigje e sinqertë është “dyshimi”. Pas këtij dyshimi vjen sentenca poetiko-filozofike:

”Mbytet kush ngre gurët më të mëdhenj”.

Dhe, e mbyll me vargun metaforik “Na zuri gjumi, na morën të vdekur…”, nëpërmjet të cilit shpreh përgjegjësinë qytetare për humbjen e trojeve.

Seferis është jo vetëm poeti i dhimbjes dhe pikëllimit, por dhe i mendimit dhe i gjuhës alegorike, tepër ekspresive. Problematika e kërkuar dhe gjuha metaforike, mbështetur fuqimisht tek vjershërimi i Eliotit, dhe veçanërisht intuita e tij e papërsëritshme, do ta çonte letërsinë greke drejt letërsisë moderne. Simbolizmi francez dhe hermetizmi elotian jo vetëm që nuk do ta frenonin elementin realist e modern të tij, por e nxitën atë të kërkojë tematika dhe forma të reja për të krijuar stilin e tij të papërsëritshëm, të kapshëm nga lexuesi vëmendshëm, që di të zbulojë edhe gurgullimat e “lumenjve të nënujshëm” të vjershërimit të tij. Në gjurmët e këtij lloji vjershërimi do të kalojë edhe eseja e tij, e cila, për nga teknika dhe impulset emocionale, i ngjajnë prozës poetike. Ai u shqua edhe si përkthyes origjinal, në disa gjuhë të botës. Solli në gjuhën e tij shumë shkrimtarë të mëdhenj, si Elioti, me vepra të rralla si “Toka e shkretë’, “Kontakt”, “Udhëtim në Bizant” etj.

Por, shkëlqimin e krijimtarisë së tij Seferis e arriti në poezi. Për të argumentuar këtë fakt mjafton të analizojmë përmbledhjen e tij me poezi të zgjedhura, shqipëruar nga përkthyesit e njohur Romeo Çollaku dhe Alket Çani. Në poezinë “Mohimi”, bashkë me dhimbjen merr përsipër edhe përgjegjësinë e të parëve të tij , të cilët, i lanë trojet e tyre të lëngonin në mjegullnajën e harresës. Ndaj shkruan vargjet tepër alegorikë:

“Me ç’zemër … / e morëm jetën gabim?! / Pastaj ndërruam jetë”.

Atje larg në arrati, poeti, së bashku me bashkëkombësit e tij, përjeton vetminë e një jete të tmerrshme, ku sheh:

”Sirtarë, dritare, porta që hapin gojët si bishat e egra / që ndjejnë tollovi mes katër muresh”.

Të syrgjynosur “përmbi gurin e durimit presim mrekullinë / të na hapë qiejtë e përkorë / presim lajmëtarin, si dikur në tragjedinë e lashtë / kur hapërdahen trëndafilat e shpërthyer”.

“Sterra” është një nga poemat më të mira të autorit, në brendinë e të cilës, jeta dhe dashuria, prekin vdekjen me dorë, gjë që shprehet në vargjet:

“Nata nuk beson në agullimë / dhe dashuria vdekjen pret, si dikur / Një sterrë që jep mësim qetësie / nëpër qytetërimin e përndritur”.

Për poetin Seferis, “dhe shpirti / në dashtë ta njohë veten e të tjerët / brenda tij duhet të vështrojë”.

Një përshkrim emocional ai i bën Ishullit të Delfinëve, mbushur me flamurë dhe të shtëna topash, që anijet shumëngjyrëshe mbanin mbi shpinë. Në Santorini, njerëzit, që të detyruar me forcë kanë marrë arratinë, “rrinë lakuriq përmbi shtuf”, duke mbajtur mbi shpinë “peshën e rëndë të padrejtësisë”. Tashmë, trojet e tyre “i mbytin ujdhesat, ndryshku e hiri”. Ndërsa, emigrantët shohin me dhimbje “tempuj të shembur dhe miq të harruar / këmbë të prera, sy të terratisur”. Pas “britmave të ujqërve”, s’u ka mbetur gjë tjetër për të zgjedhur, veç vdekjes. Ndaj, nobelisti iu drejtohet njerëzve nëpërmjet vargjeve apostrofikë: “Shqituni prej kohës së pabesë / Mbytet kush ngre gurët më të rëndë”. Dhe, e mbyll poezinë, kushtuar Mikenës me vargun e trishtë: “Ky ishte fati ynë, në ato kohëra të vështira luftrash”.

Në poezinë “Astinaksi”, lexuesi ndjen se si edhe “pemët frymojnë zinë e të vdekurve” dhe “buzëqeshjen e shtatoreve”. Ndërsa, “njerëzit e përndjekur, rendin për të vdekur në këmbë”. Ata shohin se si, nga vetmia, “edhe’ gurët treten”. Megjithatë, këta njerëz gjysmë të gjallë e gjysmë të vdekur rendin, duke i dhënë njëri-tjetrit shpresë: “Edhe pak, dhe do të shohim si çelin bajamet / mermerët do të shkëlqejnë në diell”.

Heroi lirik i poezive të Seferisit, pas të cilit shpesh fshihet, Ai, është “i plagosur prej baltës së tij”, “i stërmunduar prej këmishës së tij” dhe “i ndëshkuar prej hyjnive të tij”. Për poetin rëndësi ka të jetosh të tashmen, të jetosh çastin më të bukur të jetës tënde, dhe jo të shkuarën e ngrysur. Një nga poezitë më të bukura të vëllimit të tij poetik, me titullin “Fletore ushtrimesh” (1940), është poezia “Ikje”, përmes së cilës shprehet dhimbja për largimin nga trojet e të parëve. Ikja për të është “një qepallë e mbyllur”, një “buzëqeshje e ngurosur, e humbur në barin e mëngjesit”. Proteu (plaku homerik i detit), ngaqë nuk do të tregojë profetësitë, sheh Hënën lyer me ngjyrën e gjakut të ujkonjës. Greqia, shkruan poeti, “në ato vite të vështira kur gjaku mbyste dhenë, më plagoste shpirtin. Ngado që shkoja, shikoja perde malesh dhe arqipelangë të zhveshur”. Para sysh i shfaqeshin anijet me emrin e frikshëm “Agoni”. Në shtatin e kërrusur të pleqve të kohës shihte “buzë të thara, lotë të ngrira në sy dhe fatin e tyre që i ngjante një plumbi të derdhur”.

Në këto kushte, për poetin “trupi vdes”, “uji turbullohet”, “shpirti mëdyshet”. Ndërsa, “sytë e njeriut mbeten të fiksuar te flaka, që nuk shuhet kurrë”. Kjo flakë, në kohë dhe mosha të ndryshme merr forcë e trajta të ndryshme. Por, mashtruesit, për t’i bërë zap të gjitha brezat përdorin gjuhën e dhelpërisë. Për fshikullimin e kësaj dinakërie vrastare, poeti përdor vargjet sarkastikë:

“Në moshën e burrërisë, shtypësit barbarë na thoshin / Do të fitoni, kur të nënshtroheni / u nënshtruam dhe gjetëm hirin / Na thoshin, do të fitoni, kur të dashuroni / Dashuruam dhe gjetëm hirin / Na thoshin do të fitoni, kur të braktisni jetën / Braktisëm jetën dhe gjetëm hirin”.

Si një perlë e rrallë tingëllojnë dhe vargjet e “Epitafit”: “Thëngjijtë në mjegull ishin trëndafila, mbirë në zemrën tënde / hiri ta mbulonte fytyrën / çdo mëngjes / Duke zhveshur hije qiparisash / Ti verën e kaluar ike”.

Jorgos Seferis përdor një shumëllojshmëri vargjesh, si vargje të matur, të bardhë dhe të thyer, si dhe një shumëllojshmëri strofash si strofa dyvargëshe e shumëvargëshe dhe vjershërimin monokolonë. Një forcë të madhe shprehëse marrin në penën e tij edhe strofa të tilla dyvargëshe, si: “Lumi nuk rrjedh, e ka humbur detin / të verbërit flenë / engjëjt të zhveshur sillen nëpër rremba / u pinë gjakun dhe u japin urtësi”. Ndërsa njerëzve që, më kot, pritën lirinë, s’u erdhi kurrë, u bën thirrjen apostrofike: “Ç’kini të shenjtë / mos ua jepni qenve”.

Siç e kemi përmendur edhe më lartë, Seferis u frymëzua edhe nga bukuritë e rralla të Korçës. Në poezinë “Mëngjes i bukur”, ai shkruan:

“Ja ku më pëlqejnë së fundi këto male me këtë dritë / Ja, ku po më pëlqejnë këto pisha … / tek ngrenë supet në diell / gegët shtatlartë, toskët shtatshkurtër / verës me draprinj, dimrit me sëpata”.

Për të përshkruar fatin e keq të Ikonostasos, Seferis përdor vargjet-pyetje retorike, drejtuar atij, pas ekzekutimit barbar:

“Pse të lidhën me zinxhirë, pse të shpuan me heshtë / pse një natë në pyll të ndanë prej gruas / pse të mohuan dritën, detin, diellin dhe bukën”.

Jemi të gjithë si Deti i Vdekur, shkruan ai në një poezi tjetër. Në thellësitë e tij gjen eshtra njerëzish, nga thellësitë e shpirtit të të cilëve dalin klithma të shoqëruara nga tinguj fyejsh dhe muzika funebër. Në thellësitë e këtij deti ”nuk ka peshq / nuk ka iriqë, / as leshterikë… / Në Detin e Vdekur / ka miq dhe armiq / fëmijë e gra / e far e fis. / Ky det i pabesë / hëngri më shumë njerëz / se sa janë të gjallë”. Nga thellësitë e këtij deti duket sikur nxjerrin kokën njerëz që të lebetitur thërresin: “Ndihmë! Ndihmë! Ndryshe, do të tretemi me të vdekurit”.

Interesante janë dhe “3 poezi të fshehta”, botuar në vitin 1966. Simbolika e tyre metaforike, e shprehur në vargjet: “Ç’lumë i turbullt na mori? / Mbetëm në fund të detit”, është sa e drejtpërdrejtë, aq dhe metaforike. Në udhëtimet që bën përmes trojeve të të parëve të tij çmallet me diellin dhe hënën, të gjallët dhe të vdekurit. Takon gjithçka që mendonte se i kishte humbur: “Lulen e rinisë dhe vitet e rrënuara”. Por, fatkeqësisht, “edhe drita që pulsonte, edhe koha që rendte, i dukej sikur kishte ndalur”. Por, përsëri ngazëllehet kur me sytë e shpresës sheh” lëngatën” e trojeve të braktisura, që u drejtohen fëmijëve me thirrjen apostrofike: “Mblidheni hirin e së shkuarës dhe mbilleni që të lulëzojë e ardhshmja”!

Në poezitë e këtij cikli gjejmë dhe sentenca poetiko-filozofike të tilla si: “Në se më tepër kërkon të gjesh, gërmo në të njëjtin vend”, “Fleta e bardhë, flet me emrin tënd”, “Muzika jote është jeta” etj.

Me vjershërimin e tij të rrallë, Seferisi solli dhe një shije të re estetike, jo vetëm për letërsinë moderne greke, por edhe për atë evropiane e botërore, që vjen si rezultat i gjuhës dhe stilit të tij të papërsëritshëm.