Njëri nga të akuzuarit arratiset-tjetri lirohet nga paraburgimi

Gjykata Themelore në Prishtinë kishte caktuar seancën e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarve Avni Fazlija dhe Mirsad Hasani të akuzuar për vrasje të mbetur në tentativë.
Për të njëjtën vepër në këtë proces gjyqësor ngarkohen edhe Blerim Fazlija e Bajram Gashi që ndodhen në arrati.
Seanca nuk u zhvillua ngase mungonte i akuzuari Mirsad Hasani.
Zyrtarët e Stacionit Policor të Obiliqit e kanë njoftuar me një raport gjykatën se kur kanë shkuar për të mbikëqyrur masën e arrestit shtëpiak ndaj Mirsad Hasanit, nuk e kanë gjetur atë në shtëpinë e tij.
Sipas raportit të policisë babai i të akuzuarit u ka thënë se djali i tij ka shkuar jashtë vendit në Suedi ose Norvegji.
Këtë e konfirmoi edhe Behar Ejupi, avokati i Mirsad Hasanit që tha se ka pasur një bisedë me babanë e klientit të tij, nga e cila ka marrë vesh se i akuzuari ka shkuar jashtë vendit për shërim.
Kryetarja e trupit gjykues njoftoi të pranishmit se në momentin e marrjes së njoftimit nga Stacioni Policor në Obiliq se i akuzuari Mirsad Hasani ka thyer masën e arrestit shtëpiak, ajo ka lëshuar një urdhërarrest në të gjitha pikat kufitare për të.
Më pas gjatë seancës, Asdren Hoxha, avokati i të akuzuarit tjetër Avni Fazlija, propozoi që të mbrojturit të tij t’i ndryshohet masa e paraburgimit.
Prokurorja e rastit nuk u pajtua me këtë propozim.
Vendimin për ndryshimin e masës së sigurisë klientit të tij e komentoi për KALLXO.com avokati Asdren Hoxha.
“Vendimin e sotëm e komentoj si vendim të drejtë […] mirëpo sa do që është i vonuar është i drejtë dhe jemi të kënaqur me vendimin e gjykatës dhe shpresojmë që prokuroria të mos ankohet ndaj këtij vendimi,” u shpreh Hoxha.
Avokati u ankua për zvarritjen e procesit.
“Ne patëm tri seanca dhe tek kjo sot është mbajtur e para për shkak të mungesës së trupit gjykues, një anëtari të tij, pastaj të avokatit mbrojtës dhe tashti së treti të të akuzuarit, siç e patë edhe vetë mungoi nga gjykimi i cili e kishte shkelur masën e arrestit shtëpiak ishte larguar jashtë vendit dhe pritja në pafundësi e tij apo e aktorëve të tjerë në këtë procedurë do të ishte e papranueshme kështu që gjykata vendosi drejtë,” përfundoi avokati Hoxha.

















































