Prozë satirike nga: Nonda Bulka (botuar më 1944)
Ishte ditë vere në një nga qytetet më të mëdha të Arnautistanit. Ecja filli vetëm duke menduar për hallet e kusuret e këtij vendi heroik, por shumë fatkeq. Vapa përvëlonte. Djersët më kullonin rrëke. I kredhur në të thella kapërceja nga një ngjarje në tjetrën.
Shikoja me sytë e mendjes vendin e shkretuar prej tufanit, tërmetin që po trondit botën dhe që po kthen në shkrumb e hi atë që dora e njeriut e ka ngritur me djersë e gjak. Habitesha me shtazëritë njerëzore. Në këto të thella isha kredhur, kur… fiu, fiu… sirena. – Bum, bum, bum! – krisi topi.
– Bobo, – thashë, – erdhën lanetërit e qenit, shpikja moderne më e mrekullueshme për të shfarosur njeriun.
Pa e vrarë mendjen më thellë, hyra në shtëpinë e parë që gjeta aty rrotull. Mysafir i paftuar, hapa derën e rrugës, pastaj atë të brendshmen dhe instikti vetmbrojtës më drejtoi në një bodrum të sigurt nën tokë.
– Ç’urdhëroni? – ma priti një zotni i cili me grua e fëmijë ishte strukur në një cep të asaj grope të errët.
– Hyra këtu, mbasi jashtë po bëhet festë midis qiellit e tokës. Qielli sulmon tokën dhe toka i përgjigjet. Dhe unë, që s’jam as në qiell as në tokë, hyra këtu nën tokë.
– A janë shumë?
– Nxin qielli katran, efendi.
– Allahalla! Si do vejë ky halli ynë? Kur do të marrin fund kusuret?
U ula mbi një fron gjysëm të thyer dhe po fshija djersët. Njeriu i bodrumit më lëshonte lehtë-lehtë, me kureshtje, nga një bisht syri; sikur matej të më thoshte diçka, po nuk guxonte. Më së fundi foli:
– Si duken punët, or zotni? Ç’është ky hall i madh që na ka rënë? Kur merr fund vallë? Ç’është kjo e keqe që i ka rënë në kokë njerëzisë anembanë?
Ndërsa ai po qante hallin e njerëzimit, unë po vërtisja sytë rreth e rrotull atij bodrumi dhe vura re diçka që më bëri përshtypje:
– Përse i mban ende syfetin e famëmadhit Duçe dhe flamurin me lulka të Imperos? Ti e di që ajo punë mori fund njëherë e mirë.
– Ah, mor bir (më lejo të të quaj bir), – ma priti hallexhiu i bodrumit, – një fjalë e vjetër thotë se bota është e rrumbullakët si top; njerëz si unë që nuk merren me politikë i kanë marrë masat për çdo gjë që mund të ngjasë… Sa ka parë ky qerrata vend!
– Po ky flamuri i Anglisë, pranë atij të Duçes, ç’kërkon këtu në bodrumin tënd?
– Ta thashë, mor bir, jam njeri esnaf dhe hallexhi. Sikur një mëngjes, papritur dhe papandehur, të kërcasë topi andej nga deti dhe të zbresin ata? Ku të gjej stofë për të qëndisur flamurin anglez? Apo të ha ndonjë plumb rrugës? Kështu të paktën e kam mendjen të fjetur.
– Po Stalini me drapër e çekan, ç’punë ka në bodrumin tënd të errët? Mos je gjë bolshevik?
– Jo, vallahi, bilahi s’jam. Po si esnaf njeri që jam, kur të shoh se të gjithë bota do të skuqen, si mund të qëndroj unë i bardhë? Urtësia më këshillon të ngre flamurin dhe të bërtas pas berihasë: “Rroftë!”.
– Qenke plot tru, efendi. I paske marrë masat me kohë.
– Posi, posi, ç’të bësh? Ja! Po fitoj para me grushta, si hallexhi që jam. Kam tre djem dhe që të tre i kam ndarë në tri parti të ndryshme; kështu, ngado që ta kthesh, i kam shpatullat të ngrohta.
– A ke ndonjë djalë në mal?
– Jo bir, jo! E kam vërtitur punën që mishi të piqet dhe helli të mos digjet. Jam njeri i punës dhe jo i politikës. Kur ishte Zogu mbret, unë isha zogist. Kur iku, nuk i thashë as udhë e mbarë.
Kur pllakosi ushtria e Duçes, i dola përpara me flamur dhe tashti që u largua, i dhashë munxët nga prapa. Kur erdhi gjermani, e kisha gati fytyrën e Hitlerit dhe flamurin me kryq të thyer. Kur të shkojë, edhe këtë do ta zë me gurë, për t’i bërë qejfin atij që do të vij pas tij. S’ke ç’bën, duhet të jetosh “me nder” në këtë botë.
Mbeta si i trullosur nga predikimet morale të atij njeriu të njohur dhe të panjohurqë ma hapi aq thellë zemrën; rashë në mendime duke kullotur sytë rreth e rrotull bodrumit ashtu si nëpër ëndërr.
Në një cep më vranë syrin disa flamurë të tjerë.
E pyes:
– Po këta ç’janë?
– Ky është flamuri i grekut, – më tha efendiu.
– E mora vesh. Zotrote qenke grekoman, o efendi.
– Jo bir, jo, nuk jam as grekoman, as djall; por, kur ushtritë e grekut hynë thellë në vendin tonë kundër italianëve, porosita shpejt e shpej flamurin e tyre, që të mos më zinte në befasi. Ja dhe flamuri i Turqisë, që po e ruaj si kujtim të Baba Dovletit. Të thashë, or bir, se jam njeri me parime me karakter, me edukatë dhe s’ma ka ënda të prish muhabetin me asnjë kral që mund të shkelë kët vend.
U ngrita në këmbë, u solla dy-tri herë rreth atij muzeu origjinal që mund të pagëzohej me emrin tingëllues “muzeu i karakterit” dhe sytë m’u mbërthyen mbi një flamur të çuditshëm, të bardhë si dëbora me një rreth të kuq në mes.
– Po ky i kujt është, mor efendi?
– Ulu, – ma preu ai, – se është punë e gjatë që të ta shpjegoj. Disa vjet më parë po rrija në kafe duke pritur një mik, ortakun tim, me të cilin dërgonim fasule në Greqi; duke pritur mikun e fasuleve, në tryezën aty pranë, disa si biçim shkollarë bisedonin për politikë. Ishte ajo kohë kur kishte nisur lufta midis Japonit dhe anglo-amerikanëve. Japoni po korrte fitime aq të vrullshme, sa asnjeri nuk mund të parshikonte se ku do ti mbanin këmbët anglezët dhe amerikanët. Një nga shkollarët hidhet e i thotë shokut: “Ashtu siç ka nisur puna, s’është çudi që një ditë t’i shohim japonezët të vijnë deri në Tiranë!”. Sa dëgjova këto fjalë, shpejt e shpejt bëra gati edhe flamurin japonez. Kështu më zuri gjumi rehat.
Bombardimi kishte marrë fund. Sirena më lajmëroi se kishte ardhur koha për të dalë nga strofka e atij idealisti. Ndërsa po matesha që ta përshëndesja, befas më ra ndër mend diçka dhe e pyeta:
– Të falenderoj, mor efendi, për mësimet e larta të moarlit që më dhe, por as më thua, të lutem, në gjithë këtë grumbull flamujsh dhe fytyrash, si nuk ma zë syri asgjëkundi Skënderbeun dhe flamurin kuqezi?
Efendiu ngurroi pakëz si i menduar, rrotulloi sytë andej-këtej, pastaj duke m’i mbërthyer si me frikë, më thotë:
– Ke hak, ke hak. S’më kishte shkuar ndër mend; e ku ta kesh mendjen më parë, në këtë kohë trazirash dhe përleshjesh? Pastaj me autoritet i drejtohet të birit dhe i thotë: Kujtomë, kur të vemi në dyqan të porosisim edhe një flamur të Shqipërisë, se s’dihet, edhe ai mund të na hyjë në punë!
Hapa sytë. Isha në ëndërr. Se idealistë të tillë s’mund të ekzistojnë veçse në ëndërr.
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Gjermania dhe Finlanda në alarm pasi një kabllo nënujore që lidhte dy vendet ka pasur “një ndërprerje”
Pesë fjalët e Zelenskyt për t'i shkaktuar frikë Putinit - përpara sulmeve me raketa amerikane thellë në Rusi
Arratisje spektakolare e policit në Gjirokastër, kur mori vesh se do të arrestohej
"Jemi të lumtur dhe tani presim kundërshtarin e play-offit" - Muriqi flet pas fitores
Rohde: Gjermania kufizon aktivitetet politike për zgjedhjet e Kosovës në territorin e saj
Kammer: Me këtë rritje Kosovës i duhen 20 vjet për të arritur te gjysma e standardit evropian