Në 12 muajt e kaluar, Barcelona pati probleme, si në fushë, ashtu edhe jashtë saj. Kundërthëniet rreth mënyrës së transferimit të Neymar bënë që klubi t’i nënshtrohet hetimit, gjë që pasoi me dorëheqjen e Sandro Rosell nga posti i presidentit. Po ashtu, edhe Lionel Messi është pjesë e hetimeve për mashtrimeve me financa.

Nën udhëheqjen e Gerardo Martinos, skuadra nuk arriti të fitonte asnjë trofe (kjo i ndodhi klubit për herë të parë që nga viti 2008). Në edicionin e kaluar të Ligës së Kampionëve, u eliminua në çerekfinale nga Atletico Madridi, në finale të Kupës së Mbretit pësoi nga Real Madridi, ndërsa edhe në La Liga përfundoi prapa kampionit Atletico Madrid.


Në sezonin e ri, nën drejtimin e Luis Enriques, Barcelona ka pasur rëniet dhe ngritjet e veta. Është kualifikuar në të tetën e finales të Ligës së Kampionëve, ku do të luajë kundër Manchester Cityt. Në La Liga, pozicionohet në vend të dytë, prapa Real Madridit.

Në listën e klubeve që e kishin të tmerrshëm vitin 2014, prin ndoshta Manchester Unitedi. Largimi i Sir Alex Ferguson la pasoja të mëdha në klubin e trofeshëm anglez. Djajtë e Kuq përfunduan në vend të shtatë në sezonin e kaluar duke mos arritur të kualifikoheshin në Evropë për herë të parë pas shumë vitesh, ndërkohë që rrugëtimi në Ligën e Kampionëve u ndal në çerekfinale (nga Bayern Munichu).

Në këtë sezon, drejtimin e Unitedit e mori Louis van Gaal, megjithatë përkundër investimeve të mëdha në përforcimin e skuadrës, fillimi ishte i vështirë. Teksa pas një periudhë, ekipi ka filluar të gjejë një stabilitet dhe aktualisht është në vend të tretë në tabelë.

I dështuar ishte viti që lamë pas edhe për klubet milaneze, Inter dhe Milan. Nerrazzurrët e mbyllën edicionin e kaluar në vend të pestë, duke siguruar pjesëmarrjen në Europa League, ndërkohë që Rossonerët mbetën jashtë zonës së Evropës (në vend të tetë). Milani luajti në të tetën e finales të Ligës së Kampionëve, ku nuk pati shans ndaj finalistit Atletico Madrid.

Viti 2014 u shoqërua me ndërrime të trajnerëve për të dyja klubet e qytetit të Milanos që ende nuk po e gjejnë stabilitetin as në sezonin e ri. Kuqezinjtë pozicionohen në vend të shtatë në tabelë, derisa zikaltrit renditen në pozitën e 11-të.

Liverpooli ka pasur një vit të kombinuar. Në gjysmën e parë të vitit (sezonin e kaluar) arriti që të siguronte pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve, mirëpo në sezonin e ri nga gara evropiane u largua që në fazën e grupeve, kurse në Ligën Premier renditet në vend të nëntë.

Në këtë grup do ta përmendim edhe Borussia Dortmundin që këtë sezon po lufton thuajse për mbijetesë në Bundesliga. Megjithëse në sezonin e kaluar luftonte për trofe, ky edicion e gjen në pozitë të vështirë në kampionat, por jo edhe në Evropë. BVB është kualifikuar në të tetën e finales nga pozita e parë në grup dhe në këtë fazë do të luajë përballë Juventusit. /Telegrafi/

telegrafi sport app