LAJMI I FUNDIT:

 Një udhëtim në kohë me eventin “Walking With History”

 Një udhëtim në kohë me eventin “Walking With History”

Mënyra më e mirë për të zbuluar energjinë autentike dhe historinë e “Qytetit të gurtë” është të bëheni pjesë e një nga eventeve më të bukura dhe të rëndësishme të Gjirokastrës.

“Walking With History” kushtuar trashëgimisë kulturore e historike, artizanatit, kulinarisë e jo vetëm është festivali që do të risjellë në jetë historinë e qytetit dhe mënyrën e jetesës gjirokastrite ndër dekada përmes shfaqjeve dhe aktiviteteve të ndryshme. Programi i pasur 3-ditor nxjerr në pah periudha të ndryshme të historisë së Gjirokastrës, duke mos lënë pas data dhe të dhëna historike.

“Walking With History” do të jetë eventi që do ju sjellë më afër jo vetëm historisë, por të përditshmes së gjirokastritëve, zakoneve e traditave të tyre. Duke ndarë histori dhe legjenda interesante, qëllimi i këtij eventi krah nxjerrjes në pah të trashëgimisë historike dhe kulturore të vendit është të çojë të gjithë pjesëmarrësit pas në kohë për të përjetuar ngjarje të rëndësishme duke rikrijuar jetën e brezave të kaluar.

Kjo përvojë e gjallë e historisë do të ushtojë jehonë jo vetëm përgjatë datave të eventit, 14 mars deri më 16 mars, por do të jetë një event që do të mbetet gjatë në memorien tuaj.

Eventi do të shtrihet në zona të ndryshme të qytetit si “Pazari”, sheshi i “Çerçiz Topulli” dhe është një ftesë e hapur për çdokënd, të madh e të vogël, që dëshiron të udhëtojë në kohë për 3 ditë radhazi.

Gjatë aktivitetit treditor, sheshi “Çerçiz Topulli” do të shndërrohet në një skenë të gjallë, ku vendasit dhe turistët do të mund të dëshmojnë skena magjepsëse dhe paradat me ushtarë, roje dhe të burgosur, shfaqjet emocionuese të kalërimit, së bashku me aktivitete të tjera tërheqëse.

Aktorët me kostumet e tyre do të ftojnë njerëzit të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme dhe do të pozojnë për foto me çdokënd. Pazari i Gjirokastrës do të jetë gjithashtu një pikë-takim tjetër ku turistët dhe banorët do të jenë pjesë e një sërë aktivitetesh që nuk do t’u ngjasojnë asnjë lloj eventi të mëparshëm.

Më poshtë po listojmë vetëm disa nga aktivitetet që do t’ju sjellin më afër historisë dhe stilit të pasur me zakone e tradita të jetesës gjirokastrite.

Të veshur me kostume nga periudha të ndryshme historike, aktorët e rinj të veshur si ushtarë, roje dhe të burgosur do të përshkojnë pazarin duke ofruar një përvojë unike për turistët.

Për më tepër, dy aktorë të veshur si nusja dhe dhëndri do të enden nëpër pazar, duke takuar njerëz dhe duke shpërndarë ftesat e dasmës. Të gjithë aktorët do të krijojnë një paradë që përfaqëson periudha të ndryshme historike.

Çdo takim me ta do të bëhet një pjesë e paharrueshme e udhëtimit pas në kohë, duke prezantuar pjesë të historisë dhe duke lënë kujtime të paharrueshme në çdo vizitor.

Ri-jetësimi i legjendës së Argjiros (shekulli i 15-të) dhe Historisë së Burgut të Kalasë (shekulli i 19-të) do të jenë dy aktivitete që do ju lejojë të jeni dëshmitarë të dy epokave të ndryshme historike. Historia interesante e Argjirosë që u hodh nga maja e shkëmbit me fëmijën e saj për t’u shpëtuar pushtuesve osmanë do të përcillet përmes poezisë prekëse të Ismail Kadaresë.

Ndërsa, udhëtimi pas në kohë në shekullin e 19-të do t’ju njohë me historinë e errët të burgut mesjetar të kështjellës. Nëpërmjet kësaj rishfaqjeje, do t’ju ofrohet një vështrim në realitetet e ashpra të jetës brenda burgut të sigurisë maksimale, duke përfshirë rutinat dhe patrullimet e kryera brenda perimetrit të sigurisë.

Në këtë periudhë lindi dhe një këngë burgu: “Bodrum natë e bodrum ditë, kandilja na kreu sitë…”, kjo melodi magjepsëse do të shoqërohet me valle tradicionale, duke ofruar një përvojë të pasur dhe zhytëse të kësaj epoke të shkuar.

Duke marrë frymëzim nga një prej shfaqjeve më të hershme teatrale shqiptare, ku luan figura ikonë e Gjirokastrës, Koto Hoxhi, dhe drama e tij e famshme, “Dasma e Lunxhërisë” të gjithë pjesëmarrësit do të jenë të ftuar të dasmës tradicionale gjirokastrite.

Kjo ngjarje do të nxjerrë në pah traditat e së kaluarës, duke përfshirë ushqimin, veshjet e nusërisë, kostumet, këngët dhe vallet e mahnitshme.

Sheshi “Çerciz Topulli” do të shndërrohet në një treg të stilit mesjetar, ku artizanë, bukëpjekës dhe tregtarë do të ekspozojnë produktet e tyre për t’i shitur si një herë e një kohë.

Pite të ngrohta, produkte të shijshme të qumështit, të punuara me dorë nga gratë nikoqire të Gjirokastrës, veprat në qeramikë e produkte tradicionale që i përshtaten temës historike do të jenë vetëm nga disa produktet në shitje për të gjithë vizitorët.

E, sigurisht aty ku ka event ka dhe muzikë, ndaj po në sheshin “Çerçiz Topulli” do të organizohet një koncert me muzikë live.

Ky aktivitet do të ndërthurë muzikën popullore tradicionale me meloditë moderne. Ky koncert premton të na bashkojë përmes magjisë së muzikës, ndaj nuk ju mbetet asgjë tjetër veçse këtë mars të vini në Gjirokastër për të qenë pjesë e festivalit më të bukur të vitit. /Telegrafi/