Një shembull jashtëzakonisht i rrallë i Rolex-it, me referencë 6062, u shit për një shifër të pabesueshme prej 5.33 milionë euro në ankandin e shtëpisë Monaco Legend fundjavën që kaloi.

Me këtë rezultat, ora u pozicionua fort si Rolex-i i tretë më i shtrenjtë që është shitur ndonjëherë në një ankand, shkruan Hypebeast.


Bëhet fjalë për një orë automatike me shfaqje të fazave të hënës dhe kalendar të trefishtë, e prodhuar rreth vitit 1953, me kuti prej ari të verdhë 18 karatësh.

Ky model shënon një moment kyç në historinë e Rolex-it, kur marka arriti të bashkonte mekanizmin e komplikuar me kalendarin e plotë dhe besueshmërinë e fortë të kutisë së njohur të papërshkueshme nga uji Oyster.

Modeli 6062 është ndër orët më të rralla të Rolex-it me komplikacione nga gjysma e shekullit të kaluar, me rreth 350 njësi të prodhuara gjithsej.

Variantet me dial të zi dhe indekse diamanti kanë status thuajse mitik mes koleksionistëve, ndërsa versionet me tregues yjesh (të quajtura stelline) dhe shembulli i njohur Bao Dai janë veçanërisht të çmuara. Ora që sapo u shit – një nga pak shembujt e njohur me këtë konfigurim të dial-it dhe diamanteve – është një ndër versionet më të dëshiruara të kësaj reference.

Ky shembull ka edhe një histori të rëndësishme. Ka qenë prezent në shitje të rëndësishme, përfshirë ankandin e koleksionit Mondani që u organizua nga shtëpia Antiquorum në vitin 2006, dhe është dokumentuar në veprat kryesore referencë për orët vintage të Rolex-it.

Kthimi i tij në treg pas pronësisë së gjatë private, në një gjendje të shkëlqyer, me një konfigurim të rrallë dhe me rrip origjinal prej ari të verdhë 18 karatësh, e bëri atë objektin kryesor të ankandit që tërhoqi interes të jashtëzakonshëm nga koleksionistët e përvojës. /Telegrafi/