eksperti-banner

Një gjest i ndershmërisë dhe përgjegjësisë qytetare është regjistruar në Ferizaj, ku një qytetar ka gjetur një portofol me para dhe dokumente personale, të cilin e ka dorëzuar menjëherë në polici.

Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, sot, më 18 qershor 2026, rreth orës 18:00, qytetari F. Abazi (34 vjeç), nga Ferizaji, ka gjetur një portofol në rrugën “Gjergj Fishta” në Ferizaj. Brenda tij ndodheshin dokumente personale dhe një shumë prej 160 eurosh.


Pas gjetjes, F. Abazi e ka dorëzuar portofolin në Stacionin Policor në Ferizaj.

Ndërkohë, në stacionin policor është paraqitur qytetari E.A. (24 vjeç) nga Shtimja, i cili kishte raportuar humbjen e portofolit. Pas verifikimeve të kryera nga zyrtarët policorë, pronarit të ligjshëm i janë kthyer portofoli, dokumentet personale dhe shuma prej 160 eurosh.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka falënderuar publikisht qytetarin F. Abazi për veprimin e tij shembullor dhe human.

“Ky gjest dëshmon përgjegjësi të lartë qytetare dhe kontribuon në forcimin e besimit dhe bashkëpunimit ndërmjet policisë dhe komunitetit”, thuhet në njoftimin e policisë. /Telegrafi/