LAJMI I FUNDIT:

Një muaj paraburgim për posedim të drogës në Gjilan

Një muaj paraburgim për posedim të drogës në Gjilan

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë të pandehurit F. R.

Në njoftimin e bërë për media nga Gjykata Themelore në Gjilan thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se gjatë një kontrolli të zyrtarëve policorë në afërsi të shkollave të mesme në Komunën e Vitisë, tek i pandehuri është gjetur një sasi e substancave narkotike marihuanë, në sasi prej 4.4 gramë.


“Me këto veprime i pandehuri dyshohet të ketë kryer veprën penale ‘posedimi i pa autorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi për këtë vepër parashihet një dënim mjaft i lartë dhe masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin normal të procedurës penale”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit./Telegrafi/