LAJMI I FUNDIT:

Një muaj paraburgim ndaj Dalibor Spasiqit, i dyshuar për sulm ndaj gazetarëve në veri

Një muaj paraburgim ndaj Dalibor Spasiqit, i dyshuar për sulm ndaj gazetarëve në veri

Gjykata Themelore në Mitrovicë ia ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh Dalibor Spasiqit, i cili dyshohet për sulm ndaj gazetarëve.

Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, gjykatësi i procedurës paraprake, Xhemajl Jusufi.

Arrestohet edhe një serb i dyshuar për sulm ndaj gazetarëve në veri
Lexo po ashtu Arrestohet edhe një serb i dyshuar për sulm ndaj gazetarëve në veri

Spasiqi u arrestua më 17 qershor në Jarinjë, nën dyshimin për sulm ndaj gazetarëve në veri të vendit.


Lajmin e pati bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Përgëzoj njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës për efikasitetin dhe punën e vazhdueshme me qëllim të vendosjes së rendit dhe ligjit në çdo cep të Republikës së Kosovës”, pati shkruar ministri në Facebook.

“Në vendin tonë demokratik aktet kriminale nuk kalojnë pa pasoja. Këtë duhet ta dinë edhe ata për të cilët nuk ka pasur pasoja ligjore për gjithë këto vite. Republika nuk zmbrapset përballë kriminelëve e milicisë fashiste”.

Kurse, Policia kishte bërë të ditur se Spasiq dyshohet se më 31 maj 2023, kishte sulmuar gazetarët e disa mediumeve në Zveçan.

“Pas sigurimit të dëshmive dhe identifikimit të personit të dyshuar, i njëjti është arrestuar sot në orët e pasdites në Jarinje dhe më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejme policore. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, kishte njoftuar Policia.

Ndryshe, lidhur me sulmet ndaj gazetarëve në veri, është arrestuar edhe Nemanja Vllaskoviq, më 16 qershor 2023, i dyshuar për sulm ndaj gazetarëve më 29 maj. Kurse, sot (19 qershor), u arrestua i dyshuari i tretë për sulm ndaj gazetarëve Uros Vuksinoviq, i dyshuar për sulm ndaj gazetarëve më 16 qershor.