LAJMI I FUNDIT:

Një miqësi e promovuar nga gazetaria

Një miqësi e promovuar nga gazetaria
Gazetari Shotaro Noda, japonezi i parë mysliman

Nga: Daut Dauti

Turqia dhe Japonia janë ndër shtetet më mike me njëra-tjetrën. Kontaktet e para tregtare sporadike mes këtyre dy vendeve janë që nga koha e hershme e Perandorisë Osmane. Por, në vitin 1887, perandori japonez e dërgoi një delegacion në Stamboll, në krye me princin Komatsu Akihito. Me këtë rast u themeluan marrëdhëniet zyrtare dhe shtypi osman e përcolli këtë vizitë me sensacion të madh.


Dy vjet më vonë, sulltan Abdylhamiti vendosi t’ua kthejë vizitën japonezëve dhe e dërgoi në Japoni një delegacion prej 600 vetave. Shtypi japonez e përcolli vizitën me interesim të jashtëzakonshëm dhe i dha popullaritet të madh kësaj ngjarje. Delegacioni osman qëndroi në Japoni për tre muaj dhe shkaktoi sensacion te popullata e këtij vendi. Me 15 shtator 1890, anija osmane e quajtur “Ertuğrul” u nis për në Stamboll. Ende pa u larguar nga Japonia, rrugës për në Kobe, në një mot me stuhi anija u përplas në një shkëmb dhe nga 600 veta sa kishte delegacioni, shpëtuan vetëm 69. Nuk do të kishin shpëtuar as këta sikur të mos mobilizohej për shpëtim Ushtria dhe popullsia vendase.

Shtypi japonez sërish u aktivizua dhe i kushtoi rëndësi të madhe kësaj tragjedie. Gazetat u organizuan dhe mblodhën para për t’iu ndihmuar familjeve të osmanëve që humbën jetën nga fundosja e anijes. Brenda pak ditësh populli japonez dha rreth 4.3 milionë jenë. Gazetat japoneze e caktuan gazetarin Shotaro Noda që këtë fond t’ia dorëzonte personalisht Qeverisë osmane në Stamboll.

Qeveria japoneze i angazhoi dy luftanije që t’i kthente në Stamboll mysafirët e mbijetuar, së bashku me gazetarin Noda. Kur anijet japoneze mbërritën në Stamboll, edhe shtypi osman, sikurse ai japonez, e elektrizoi popullin me shkrime pozitive. Dhe, kështu, gazetari Noda, i cili vinte nga një familje e vjetër dhe e njohur e samurajëve, u popullarizua edhe jashtë territoreve osmane në Evropë. Noda dërgonte artikuj nga Stambolli, që lexoheshin me interesim të madh nga japonezët.

Kur anijet japoneze po ktheheshin, sulltan Abdylhamiti e luti Nodën të qëndronte në Stamboll si oficer dhe të punonte në shkollën ushtarake osmane që kadetëve t’ua mësonte gjuhën, kulturën dhe artin luftarak japonez. Noda pranoi me dëshirë të madhe. Madje, Noda së bashku me një kadet të quajtur Mustafa Asim Efendiu, e krijuan fjalorin e parë tregjuhësh: osmanisht-japonisht-frëngjisht.

Në vitin 1892 Noda u kthye në Japoni, por nuk qëndroi gjatë dhe shkoi sërish në Stamboll pasi që i pëlqente qyteti dhe njerëzit. Qëndroi në Stamboll edhe 10 vjet, ku kishte hapur një shitore të mallrave japoneze, por dërgonte artikuj pa ndërprerë për gazetat japoneze. Noda lexonte edhe literaturën që botohej në Stamboll dhe u konvertua në mysliman për të hyrë në histori si myslimani i parë japonez.

Gjatë kësaj kohe, osmanët dhe japonezët u lidhën edhe më shumë mes veti për shkak të interesit. Interesi kryesor i këtyre dy palëve ishte qëndrimi dhe veprimi anti-rus.

Noda – para se të kthehej përfundimisht në vendlindje – e vizitoi Evropën dhe Amerikën. Vazhdoi me gazetari deri kur vdiq më 1904, disa javë pas fillimit të luftës ruso-japoneze. Këtë luftë, e cila zgjati më shumë se një vit dhe e që u bë për dominim në Kore dhe në Mançuri, e fituan japonezët. Japonia ishte më e vogël se Rusia, në të gjitha aspektet. Por, japonezët, duke qenë luftarakë, nuk e kishin parasysh fuqinë e Rusisë të cilën e deklasuan. Sidoqoftë, gjatë kësaj kohe përfitoi edhe Perandoria Osmane për shkak se Rusia nuk qe në gjendje të angazhohej në Ballkan atëherë kur fillon kriza e Maqedonisë. Por, rusët, pas vitit 1905 u kthyen sërish që ta destabilizojnë Ballkanin.

Kur në vitin 1980 filloi lufta irako-iraniane, qeveria turke intervenoi dhe u angazhua që japonezët që ishin në këto dy vende, t’i evakuonte. I mblodhi japonezët dhe me aeroplanë të Turqisë i ktheu në Japoni. Me këtë rast, Qeveria japoneze kërkoi t’ia paguante shpenzimet turqve. Qeveria turke u tha japonezëve se nuk kishte nevojë për këtë dhe ua përkujtoi rastin kur ata (japonezët) i kishin kthyer pa shpenzime anëtarët e delegacionit nga fundosja e anijes  “Ertuğrul” që kishte ndodhur para një shekulli. /Telegrafi/