Më shumë se 35 studentë, mentorë dhe profesionistë nga e gjithë Kosova janë bashkuar në Laboratorin për Zhvillim Urban dhe Reziliencë Klimatike, një iniciativë dhjetëditore që synon adresimin e sfidave urbane dhe krijimin e zgjidhjeve për qytete më të qëndrueshme ndaj ndryshimeve klimatike, përcjell Telegrafi.

Pjesëmarrësit do të angazhohen drejtpërdrejt me komunitetet lokale në Prizren, Gjakovë dhe Gjilan, për të identifikuar sfidat klimatike dhe për të zhvilluar bashkë zgjidhje të bazuara në natyrë, që kontribuojnë në hapësira urbane më gjithëpërfshirëse dhe më të qëndrueshme.




Ky laborator zhvillohet në bashkëpunim me Fakultetet e Arkitekturës, Filozofisë dhe Shkencave Matematikë-Natyrore të Universitetit të Prishtinës, si dhe me Fakultetin e Shkencave të Jetës dhe Mjedisit të Universitetit të Prizrenit, nën udhëheqjen e mentorëve akademikë dhe profesionistëve vendorë.

E mbështetur nga Qeveria Gjermane dhe Sekretariati Shtetëror i Zvicrës për Çështje Ekonomike (SECO), iniciativa ofron për studentët mundësinë për të shndërruar njohuritë lokale në zgjidhje inovative, duke lënë një ndikim të prekshëm si në zhvillimin e tyre profesional, ashtu edhe në të ardhmen e qëndrueshme të qyteteve të Kosovës. /Telegrafi/