Sot ka nisur puna në objektin e ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare "Nexhat Çuni" në Mitrovicë.

Të pranishëm ishin kryetari i Komunës së Mitrovicës Bedri Hamza, drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë Fahri Shabani, ekipi mjekësor dhe qytetarë, shkruan Telegrafi.


Hamza u shpreh i lumtur dhe i'u uroj suksese ekipit të mjekëve.

"Unë ju uroj punë të mbarë, suksese. Kam qejf të i'u shoh shpesh, por jo si pacient", ka thënë kryetari i kësaj komune.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza dhe drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Fahri Shabani në objektin e ri të QKMF-së

Ndërsa, drejtori Shabani ka thënë se kjo QKMF ofron të gjitha shërbimet shëndetësore të parapara për kujdesin parësor shëndetësor.

"Kjo QKMF ofron të gjitha shërbimet shëndetësore të parapara për kujdesin parësor shëndetësor, mjekësinë familjare, infermierinë, stomatologjinë, laboratorin e analizave, vaksinimin, shërbimet e edukimit shëndetësor, shërbimet e këshillimit, shërbimet e radiologjisë dhe shërbimet e tjera që janë në kuadër të kujdesit parësor shëndetësor", ka thënë Shabani për Telegrafin.

Ai ka thënë se kjo qendër kryesore e mjekësisë familjare e bën të veçantë në të gjithë rajonin fakti që i plotëson të gjitha kushtet sipas standardeve më bashkëkohore të ofrimit të dhënies së shërbimeve shëndetësore.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza duke bashkëbiseduar me një punëtor shëndetësor

Shabani ka thënë tutje se ka personel të mjaftueshëm shëndetësor për ofrimin e të gjitha shërbimeve shëndetësore të mjekësisë familjare, raporton Telegrafi.

"Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare por edhe qendrat e mjekësisë familjare dhe ambulancat e mjekësisë familjare, kanë personel të mjaftueshëm shëndetësor për ofrimin e të gjitha shërbimeve shëndetësore të mjekësisë familjare", ka shtuar ai.

Kjo Qendër Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) është përuruar më 06.01.2025, e cila ka tetë mijë e 500 metra katror dhe përbëhet nga bodrumi, kati përdhesë dhe tre kate.

Ambient brenda objektit të ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare "Nexhat Çuni" në Mitrovicë

Vlera totale e këtij investimi është gjashtë milion e 16 mijë e 853 euro.

80 për qind e shumës së buxhetit është donacion nga shoqata “Jetimat e Ballkanit” dhe 20 për qind është investim i Komunës së Mitrovicës. /Telegrafi/

Objekti i ri i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare "Nexhat Çuni" në Mitrovicë