LAJMI I FUNDIT:

Live

Postet:

Live Veriu

Përfundon protesta në Zveçan dhe Zubin Potok

Përditesuar 31/05/2023 08:07

Për të katërtën ditë me radhë po vazhdojnë protestat në veri të vendit, ndërsa për dallim nga e marta sot vërehet prani më e madhe e protestuesve në Zveçan.

Tashmë ka filluar grumbullimi i protestuesve të cilët po kundërshtojnë praninë e kryetarëve në objektet komunale, ndërkaq ushtarët e KFOR-it tashmë kanë vendosur rrethojën me gjemba.


Nga protestat e dhunshme në tri ditët e kaluara janë lënduar 30 ushtarë të KFOR-it, janë provokuar gazetarët gjersa janë dëmtuar edhe veturat e mediave.

Sot, sekretari amerikan Antony Blinken ka kërkuar nga palët që menjëherë të shtensionojnë situatën.

Nga Kosova ka kërkuar largimin e forcave policore, ndërkaq nga Serbia të ulë nivelin e gatishmërisë. /Telegrafi/

Postet:
Mbylle
31/05/2023 17:09

Përfundon protesta në Zubin Potok

Radio Evropa e Lirë në Zubin Potok e ka konfirmuar se në këtë komunë ka përfunduar protesta e serbëve lokalë, të cilët ishin grumbulluar para objektit të komunës qysh nga orët e hershme të mëngjesit.


Ndërkohë, protestat po vazhdojnë në Leposaviq dhe në Zveçan, edhe pse te kjo e fundit protestuesit janë larguar nga rruga shkaku i reshjeve të shiut.

Protestat në këto komuna në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – filluan më 26 maj, kur grupe të serbëve lokalë u grumbulluan para objekteve komunale për të protestuar kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në to.

31/05/2023 16:59

​Përfundon protesta në Zveçan

Protesta e sotme në Zveçan është përcjellë me tensione ku ka pasur provokime nga protestuesit drejtim të KFOR-it. Serbët, duke bartur rroba nacionaliste, kanë ngritur 3 gishta lartë dhe i kanë ofenduar ata. Protesta është përcjellur edhe me muzikë nacionaliste serbe ndërsa ka përfunduar rreth orës 16:00.


Ndërkohë që edhe gazetarët janë penguar gjatë raportimit të tyre, dhe janë dëmtuar disa automjete të mediave të cilave u janë thyer xhamat dhe shpuar gomat.

Gjatë ditës një automjet i Policisë, duke provuar të qarkullojë nga stacioni i policisë në Zveçan, në drejtim të Mitrovicës, tek udhëkryqi është sulmuar me gurë dhe i janë thyer xhamat.

Pas këtij incidenti, përfaqësuesit e Listës Serbe kanë provuar të negociojnë me përgjegjësin e ushtrave të KFOR-it, duke i kërkuar që Policia e Kosovës të mos qarkullojë nëpër rrugët e Zveçanit dhe në vend të tyre të vendosen ekipet e KFOR-it.

Pas rreth 20 minuta negocim, përfaqësuesi i KFOR-it nuk ka mundur të garantojë një gjë të tillë, duke thënë se edhe policët kanë nevojë të lëvizin nganjëherë sipas planit të tyre operativ.

Megjithatë, ai ka premtuar që do të bëjë një analizë për këtë gjë, dhe do të kthejë përgjigje por pa precizuar afatin kohor se kur do të ndodh kjo.

Ndërsa përkundër zërave se do të sulmohen gazetarët shqiptarë, të cilat kanë krijuar për një kohë tension në mesin e mediave, gjithçka ka kaluar pa incidente, dhe protesta ka përfunduar qetësisht rreth orës 16:00.

31/05/2023 16:36

Haradinaj: Kurti paraqet rrezik për vendin, të largohet menjëherë nga Qeveria

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj tha se është i shqetësuar për situatën e krijuar në veri të vendit.


Pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Kryesisë, ai pohoi se situata është më e rëndë që nga viti 1999, duke shtuar se përgjegjës është vet kryeministri Albin Kurti.

Prandaj sipas tij, ai duhet të largohet nga qeverisje ngase po paraqet rrezik për vendin.

“Jam shumë i shqetësuar për situatën në vend. Ajo sot është më e rënda që nga viti 1999.  E shoh përgjegjës të drejtpërdrejtë të kësaj situate, Kryeministrin Albin Kurti.  Prandaj ai duhet të largohet menjëherë. Çdo ditë e mbetjes së tij në krye të Qeverisë, është e dëmshme dhe e rrezikshme për vendin”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka shtuar se është hera e parë në histori që miku më i madh i Kosovës, ai që luftoi për lirinë tonë dhe që i vuri themelet e shtetit të pavarur të Kosovës, Amerika, i vendos sanksione Kosovës.

“Dhe fajtor për këtë është një njeri, Albin Kurti.  Prandaj u bëj thirrje të gjithë atyre që ia duan të mirën vendit të tyre, qofshin në Vetëvendosje apo në partitë tjera politike, qytetarë në vend e në diasporë, që sot ta ndihmojnë Albin Kurtin, dhe ndihma e vetme e tyre është që ta bindin Albin Kurtin që të largohet nga kreu i Qeverisë, sepse është bërë i dëmshëm dhe i rrezikshëm për të ardhmen e këtij vendi”, tha Haradinaj.

I pari i AAK-së shtoi se kështu e ndihmojnë Kosovën, por e ndihmojnë edhe atë.

“Ai i cili i sjellë sanksione Kosovës nga Amerika, (kushdo qoftë ai) nuk mund ta drejtojë këtë vend”, tha ai.

31/05/2023 16:17

Në Leposaviq dëmtohet edhe një veturë e gazetarëve

Disa protestues serbë në Leposaviq kanë shpuar gomat e veturës së ekipit të Syri.net.


Situata e cila po përshkallëzohet nga çasti në çast, po rrezikon punonjësit medialë, të cilët po raportojnë nga veriu.

Ky është sulmi i katërt gjatë ditës së sotme, në drejtim të ekipeve të mediave, të cilët po raportojnë për situatën në veri të vendit.

AGK-ja, shpreh shqetësim për kushtet e punës së gazetarëve të cilët po raportojnë nga ajo zonë. Njëherësh, u bën thirrje gazetarëve, kameramanëve, fotoreporterëve dhe shoferëve të ekipeve, të tregojnë kujdes të shtuar gjatë raportimit.

31/05/2023 16:09

Gjykata u cakton një muaj paraburgim dy serbëve të arrestuar të hënën në veri

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special u ka caktuar nga një muaj paraburgim dy serbëve të arrestuar të hënën në veri, pas incidenteve që ndodhën në Zveçan.


Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës  për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve R.P dhe D.O për shkak të dyshimit të bazuar se kanë bashkëkryer veprën penale Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare, Sulm ndaj personit zyrtar dhe veprën penale Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, thuhet në njoftim.

Gjyqtari i procedurës paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve  R.P dhe D.O  dhe të njëjtëve  ju ka caktuar masën e paraburgimit  në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin.

“Gjyqtari i procedurës paraprake i ka analizuar të gjitha arsyet mbi shkaqet e caktimit të  paraburgimit dhe ka gjetur se kërkesa e prokurorit të shtetit pẽr caktimin e paraburgimit është e bazuar, ngase ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit R.P dhe D.O kanë kryer veprat  penale për të cilat dyshohen dhe se janë plotësuar edhe kushtet e kërkuara me ligj për caktimin e paraburgimit”, thuhet më tej në njoftim.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës  Themelore në Prishtinë. /Telegrafi/

31/05/2023 15:51

Tensionet në veri, Kurti priti mbrëmë vonë në takim Stuart Peach

Kryeministri Albin Kurti, mbrëmë ka pritur në takim të dërguarin britanik për Ballkanin, Stuart Peach.


Kurti ka njoftuar se me Peach kanë diskutuar për situatën në veri.

“Patëm një takim natën vonë me Lordin Stuart Peach për të diskutuar për zhvillimet e fundit mbi veriun. U deklarua se qëllimi i vendosjes së policisë ishte vetëm ruajtja e sundimit të ligjit. Ritheksova gatishmërinë time për bisedime të nivelit të lartë nën lehtësimin e BE-së. Falënderova gjithashtu Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar për mbështetjen e tyre”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Gjatë ditës së sotme Kurti ka marrë pjesë në Forumin e Sigurisë Globsec në Bratisllavë, ku i mbrojti veprimet e Policisë së Kosovës, e cila ndihmoi instalimin e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

Kurti ka thënë se rrugëdaljen nga tensionet në veri e sheh në një “hekurudhë të drejtë me dy binarë”.

Sipas tij, fillimisht duhet të tërhiqen huliganët nga rrugët e pastaj të ulet numri i policisë së pranishme në veri, dhe në të njëjtën kohë të avancohet me implementimin e marrëveshjes.

31/05/2023 14:54

Sulmohet vetura e policisë dhe ekipit të KALLXO-s në Zveçan

Xhamat e një veture të Policisë së Kosovës janë thyer para pak çastesh në Zveçan.


Një automjet që ishte duke qarkulluar nga objekti i komunës së Zveçanit, në drejtim të Mitrovicës, te udhëkryqi, theu xhamat e një veture të Policisë së Kosovës.

Automjeti që sulmoi veturën e Policisë, ka ikur nga vendi i ngjarjes, raporton KP.

Ndërkohë, edhe vetura e ekipit të Kallxo.com është sulmuar këtë të mërkurë në Zveçan.

Lajmin e ka bërë të ditur Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, të cilët kanë thënë se për fat të mirë nuk ka të lënduar.

“Një sulm tjetër është shënuar gjatë ditës së sotme ndaj veturës së ekipit të kallxo.com, në Zveçan. Në fotografitë e publikuara nga media, shihet se protestuesit lokalë i kanë thyer xhamat veturës, e që fatmirësisht nuk ka të lënduar”, thuhet në njoftimin e AGK-së.

Ky shënon sulmin e 17 ndaj mediave që po raportojnë nga komunat veriore të Republikës së Kosovës, që nga dita e hënë.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, u bën thirrje kolegëve gazetarë, kameramanë e fotoreporterë, që të kenë kujdes të shtuar gjatë raportimit, dhe në asnjë mënyrë të mos rrezikojnë sigurinë e tyre për hir të raportimit”, thuhet tutje.

31/05/2023 14:15

Borrell pas takimit me Kurtin në Bratisllavë: Situata në veri është e rrezikshme, të depërshkallëzohet urgjent

Përfaqësuesi Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se situata në veri të Kosovës është e rrezikshme dhe se urgjentisht duhet të ndodh depërshkallëzimi i saj.


Këto komente Borrell i bëri në një postim në Twitter, pas një takimi që kishte me kryeministrin Albin Kurti në Bratisllavë së bashku me emisarin për dialogun, Miroslav Lajçak.

“Takova kryeministrin Albin Kurti në Bratislavë për të diskutuar për tensionet në veri të Kosovës . Situata aktuale është e rrezikshme dhe e paqëndrueshme. Ne kemi nevojë për de-përshkallëzimin urgjent dhe një zgjidhje përmes Dialogut për t’iu rikthyer punës sonë për zbatimin e Marrëveshjes së arritur”, ka shkruar Borrell.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i mbrojti sërish veprimet e Policisë së Kosovës, e cila ndihmoi instalimin e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

Kurti tha në Bratisllavë se Borrellit dhe Lajçakut u ka bërë të qartë se do të kishte mirëkuptim nëse protestat e serbëve në veri do të ishin paqësore.

“Nëse duan protesta paqësore, me kërkesë për zgjedhje të parakohshme, ata e kanë një kryeministër që ka qenë gjithë jetën aktivist politik dhe është më shumë se i gatshëm t’i dëgjojë dhe ndoshta të pajtohet me ta. Por jo grupet me simbole ‘Z’ që sulmojnë policët e ushtarët e KFOR-it e gjuajnë granata e thërrasin ‘vrisni, vrisni’. Te këto grupe fashiste ne nuk mund ta dorëzojmë demokracinë tonë”, tha Kurti.

31/05/2023 13:24

Protestat në Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, Policia fton qytetarët që të mos bien pre e provokimeve

Policia e Kosovës bën të ditur se duke njohur të drejtën për tubime publike përmes protestës paqësore, sipas detyrës zyrtare, edhe sot po kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe po kryen detyrat e saja të përcaktuara sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe legjislacionit në fuqi.

Në njoftim thuhet se Policia e Kosovës, në bashkëpunim me KFOR-in dhe institucionet relevante, po vazhdon me angazhimet policore në zbatimin e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë ndaj qytetarëve, sigurimin e lirisë së lëvizjes së lirë si dhe ndërmarrjen e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në komunat Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok, ku edhe sot po vazhdojnë protestat.


“Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin dhe përkushtimin e saj në ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim dhe fton qytetarët që të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar, që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme, të çfarëdo natyre qofshin ato”, bën të ditur Policia.

31/05/2023 12:40

Sulmohet ekipi i RTV Dukagjinit, i dëmtohet vetura e dytë 

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka bërë të ditur se ekipit të RTV Dukagjini gjatë raportimit në Zveçan i është dëmtuar vetura.

Raportohet se nuk ka të lënduar, në ndërkohë që kjo është vetura e dytë e këtij mediumi që është vandalizuar nga protestuesit lokalë.


“Në vazhdën e ngjarjeve në komunat veriore të Kosovës, ky është sulmi i 16 në drejtim të mediave brenda dy ditësh.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me shqetësim të thellë kërkon posaçërisht nga prezenca ndërkombëtare që të krijojë ambient më të sigurt për gazetarët, kameramanët, fotoreporterët dhe shoferët, që janë në krye të detyrës, e po raportojnë nga veriu i vendit”, thuhet në reagimin e AGK-së. /Telegrafi/

31/05/2023 12:30

Kurti: Borrellit e Lajçakut ua bëra të qartë se do të kisha mirëkuptim nëse protestat do të ishin paqësore

Kryeministri Albin Kurti në konferencën globale të sigurisë Globsec në Bratisllavë, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim me Përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe me emisarin për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.


Kurti tha se u ka bërë të qartë atyre se do të kishte mirëkuptim nëse protestat e serbëve në veri do të kishin qenë paqësore.

“Nëse duan protesta paqësore, me kërkesë për zgjedhje të parakohshme, ata e kanë një kryeministër që ka qenë gjithë jetën aktivist politik dhe është më shumë se i gatshëm t’i dëgjojë dhe ndoshta të pajtohet me ta. Por jo grupet me simbole “Z” që sulmojnë policët e ushtarët e KFOR-it e gjuajnë granata e thërrasin “vrisni, vrisni”. Te këto grupe fashiste ne nuk mund ta dorëzojmë demokracinë tonë”, tha Kurti.

Kryeministri tha se nuk mund të ju kërkoj kryetarëve të largohen nga zyret e tyre sepse “kështu do ti bashkohesha ilegalitetit të strukturave paralele”

Kurti tha se çfarë mund të bëjmë është të kemi zgjedhje të reja më herët, shkruan Telegrafi.

“Çfarë ne mund të bëjmë është të kemi zgjedhje të hershme, por ne nuk mund të themi që këta kryetarë nuk janë kryetar”, tha Kurti.

Ai u pyet edhe për mundësinë që Bashkimi Evropian të pezullojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Jam i brengosur por kurrë i frikësuar, është puna ime të mos jem i frikësuar por i brengosur”, tha Kurti.

31/05/2023 12:29

Kurti në Bratisllavë flet për tensionet në veri, tregon qëndrimin e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë sot në konferencën globale të sigurisë Globsec në Bratisllavë, ku ka folur për të ardhmen e Kosovës.


Gjatë fjalimit të tij para të pranishmëve, Kurti ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje por se mbetet vetëm zbatimi i saj.

“Kemi marrëveshje me Serbinë vetëm se duhet ta zbatojmë. Implementimi mungon sepse Beogradi nuk dëshiron ta bëjë atë”, tha Kurti.

Kryeministri shtoi se katër kryetarët e komunave në veri japin dorëheqje sepse Beogradi u kërkoj atyre.

“Në Kosovë kemi pluralizëm politik. Nuk dua të besoj se mund të ketë demokraci pa pluralizëm politik, pa të drejtat e njeriut. Kjo parti e i shqelmoj të gjithë jashtë garës dhe në fund i bojkotuan zgjedhjet. Ne i shtyjmë zgjedhjet për katër muaj. Kandidatët shqiptarë fituan katër prej tyre. Ata janë kryetar me K të vogël jo të madhe, sepse pjesëmarrja ishte e vogël dhe nuk mund të konsideroj se ata kanë legjitimitet të plotë politik, por ligjshmëria dhe kushtetutshmëria duhet të zbatohen, ata janë kryetarë”, tha Kurti.

Kryeministri shtoi se komuniteti ndërkombëtar njohi procesin dhe rezultatin e këtyre zgjedhjeve.

“Por kur këta kryetarë u desh të shkonin në zyre në ndërtesat komunale, serbët filluan të organizojnë protesta të dhunshme dhe sulmuan policinë tonë dhe ushtarët e KFOR-it. Në çdo komunë në kosovë kemi disa policë, dhe kjo është normale. Përderisa jashtë janë grupe të dhunshme që kërëcënojnë me sulme dhe vendosin simbole nacionaliste “Z” duke treguar admirimin për Putinin dhe ushtrinë ruse dhe agresionin në Ukrainë, është e nevojshme ti kemi njësitë speciale të Policisë së Kosovës në ndërtesat komunale”, tha Kurti, shkruan Telegrafi.

Kurti, i mbrojti veprimet e Policisë së Kosovës, e cila ndihmoi instalimin e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

“Policia jonë po bën punë profesionale, janë të trajnuar, i dinë të drejtat e njeriut dhe nuk ka shkelje nga ana e Policisë sonë”, tha Kurti në një adresim nga Bratisllava.

Ai e përsëriti këtë qëndrim përkundër reagimit të ashpër të bashkësisë ndërkombëtare se instalimi me forcë i kryetarëve shqiptarë “është i papranueshëm”.

“Nëse duan protesta paqësore, me kërkesë për zgjedhje të parakohshme, ata e kanë një kryeministër që ka qenë gjithë jetën aktivist politik dhe është më shumë se i gatshëm t’i dëgjojë dhe ndoshta të pajtohet me ta. Por jo grupet me simbole “Z” që sulmojnë policët e ushtarët e KFOR-it e gjuajnë granata e thërrasin “vrisni, vrisni” Te këto rgupe fashiste ne nuk mund ta dorëzojmë demokracinë tonë”, tha po ashtu Kurti.

31/05/2023 12:12

Konjufca për ‘qortimin’ amerikan: Nuk është hera e parë, SHBA-ja nuk po na kupton drejt

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Galuk Konjufca, ka komentuar deklaratën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, lidhur me zhvillimet e fundit në veri të vendit.

Ky i fundit ka qortuar autoritetet e Kosovës, duke thënë se vendimi për të përdorur forcën për të hyrë në ndërtesat komunale në veri ishte marrë “kundër këshillës” së SHBA-së dhe partnerëve evropianë dhe se “po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin”.


E në një deklarim për media të mërkurën, Konjufca ka thënë se nuk është hera e parë që Amerika e qorton Kosovën, teksa ka shtuar se kjo nuk është e mirë për vendin.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara nuk po i kuptojnë ashtu siç duhet pozicionet e Kosovës, teksa ka shtuar se ajo që nevojitet në këtë situatë është dialogu i hapur e i shtruar mes Kosovës dhe aleatëve të saj që “t’i argumentojmë më mirë pozicionet tona”.

“Kjo nuk është e mirë për ne. E pranojmë që është një gjë e keqe për Republikën e Kosovës. Gjithçka që duhet të bëjmë është që ta bëjmë një dialog të hapur e të shtruar me të gjithë miqtë e partnerët dhe t’i argumentojmë ndoshta më mirë pozicionet tona. Ndoshta pozicionet tona s’po kuptohen drejt nga ShBA-të”, është shprehur kryeparlamentari.

Tutje, Konjufca se pas dorëheqjes së kryetarëve serbë të veriut, institucionet e Kosovës atje mbeten vakante.

“Kryetarët atje kanë dhënë dorëheqje pa dhunë, tash institucionet mbeten. Ato janë pjesë e Kosovës, nuk banojnë në qiell, atje shteti nuk pati mundësi tjetër veçse t’i shpallë zgjedhjet, bile pas një dakordimi pikërisht me ShBA-të që zgjedhjet të shtyhen për pesë muaj. Ne i dëgjuam ata dhe i shtymë zgjedhjet për pesë muaj. Kur u harxhuan pesë muaj, dy opsione kishte Kosova, ta dëgjonte Vuçiqin, ose të procedonte siç thotë Kushtetuta. Ne e zgjodhëm opsionin e dytë, s’vjen në shprehje për alternativa tjera”.

31/05/2023 11:53

Në Zubin Potok më shumë protestues se dje, provokojnë me këngë nacionaliste

Edhe këtë të mërkurë po vazhdon protesta në pjesën veriore të vendit.

Në Komunën e Zubin Potokut ka një numër më të madh të protestueseve në krahasim me ditën e djeshme. Ndërkaq, për dallim nga ditët tjera, nuk shihet ndonjë protestues me maska.


Pranë objektit ka pjesëtarë të Policisë së Kosovës, ndërsa pak më tej ka pjesëtarë të KFOR-it.

Protestuesit vazhdojnë të provokojnë me këngë nacionaliste, raporton KP.

Ndryshe, serbët në veri kanë filluar protestën të premten (26 maj). Protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.

Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

Si pasojë e protestave të dhunshme, janë lënduar 30 ushtarë të KFOR-it.

31/05/2023 11:43

Samiti i liderëve evropianë në Moldavi, deputetja britanike, Kearns: Kosova të jetë në agjendë

Liderët e 27 shteteve të Bashkimit Evropian, si dhe liderë të vendeve tjera evropiane, do të mblidhen të enjten e 1 qershorit në Moldavi, me qëllim të nxitjes së dialogut politik dhe forcimit të bashkëpunimit për t’i adresuar çështjet më urgjente të sigurisë dhe stabilitetit në Evropë.

Kryetarja e Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, ka kërkuar që Kosova të jetë në agjendë, me një qasje të fokusuar në sigurinë dhe përshpejtimin e hyrjes në Këshillin e Evropës.


“Takimi i dytë me kohë i Komunitetit Politik Evropian nesër në Moldavi. Duhet të qëndrojmë në krah të Moldavisë pasi ajo përballet me faktorë destabilizues. Kosova duhet të jetë në agjendë, me një qasje proporcionale dhe të balancuar të fokusuar në sigurinë dhe përshpejtimin e hyrjes në Këshillin e Evropës”, ka shkruar ajo në llogarinë e saj në Twitter.

Ndryshe, takimi i së enjtes do të realizohet si samiti i dytë i Komunitetit Politik Evropian (KPE).

Në këtë samit Kosova do të përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani, e cila tashmë ka udhëtuar për në Kishinau të Moldavisë.

31/05/2023 11:18

Situata në veri, Kurti sot mban takim me Borrellin dhe Lajçakun në Bratisllavë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar sot drejt Bratisllavës ku do të marrë pjesë në konferencën për sigurinë globale, Globsec.

Gjatë pjesëmarrjes së tij në këtë konferencë, Kurti do të takojë edhe emisarët e BE-së, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.


Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

“Kryeministri Kurti po merr sot pjesë në ditën e fundit të Konferencës për Siguri Globale në Bratislavë. Ndër të tjerash, atje do të takojë Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Borrel dhe emisarin e BE-së, Lajçak si dhe do të jetë pjesë e disa paneleve të diskutimit”, tha Kryeziu.

Ai shtoi se Kurti brenda ditës do të kthehet sërish në Kosovë.

Kryeministri pritet të mbajë një diskutim për të ardhmen e Kosovës rreth orës 11:20 në kuadër të kësaj konference.

31/05/2023 10:43

Zhvillimet e fundit në veri, reagon Komuniteti Shqiptaro-Amerikan

Komuniteti shqiptaro-amerikan ka bërë thirrje sot për veprim të menjëhershëm kundër Serbisë për nxitje të dhunës dhe sulm ndaj trupave të NATO-s në Kosovë, pasi siç thonë ditët e fundit janë kryer akte të dhunës nga grupe të organizuara pro-ruse nga Serbia ndaj policëve të Kosovës, trupave paqeruajtëse të NATO-s dhe gazetarëve në veriun e Kosovës.

Në reagimin për media të komunitetit shqiptaro-amerikan thuhet se aktet e serbëve etnikë që dhunshëm tentuan të hyjnë në objektet qeveritare, orkestruar direkt nga regjimi i Beogradit, dëshmojnë kërcënimet e përsëritura ndaj paqes dhe sigurisë në një kohë tejet të tensionuar në Evropë.


Më tej u tha se këto akte dhune nga Vuçiqi dhe falangat e tij, brenda territorit sovran të Republikës së Kosovës nuk mund të kalojnë pa një reagim të ashpër nga komuniteti ndërkombëtar.

Për më shumë kliko këtu:

31/05/2023 10:42

Shoqëria civile kërkon de-eskalim të menjëhershëm të situatës në veri

Shoqëria civile përmes një deklarate publike të mërkurën ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, pas vendimit për të filluar punën në zyrat e tyre katër kryetarët e dalë nga zgjedhjet e prillit.

Nga shoqëria civile kanë thënë se janë e përcjellë me shumë shqetësim situatën e krijuar, ku gjatë protestave të dhunshme të serbëve cak i sulmeve ishin gazetarët, policia dhe ushtarët e KFOR-it.


Si organizata jo-qeveritare, ato kanë kërkuar që stabiliteti, paqja dhe siguria në veriun e Kosovës të jenë udhërrëfyesi kryesor për të gjitha palët e përfshira.

Për më shumë kliko këtu:

31/05/2023 09:47

Lajçak për situatën në veri: Absolutisht e panevojshme dhe e palogjikshme

Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka deklaruar se përshkallëzimi i situatës në veri të Kosovës është i panevojshëm dhe i palogjikshëm.


Lajçak duke folur për Deutche Welle-n në gjuhën serbe, ka thënë se dialogu është rruga e vetme për të zgjidhur mosmarrëveshjet.

“Është e qartë se kjo mund të zgjidhet vetëm politikisht dhe kjo do të thotë përmes dialogut ekzistues”, tha Lajçak.

I pyetur se cila ishte në fakt arsyeja e këtij përshkallëzimi të situatës, Lajçak tha se ajo ka të bëjë me mosbesim të thellë mes dy komuniteteve.

“Arsyeja është mosbesimi i thellë mes dy komuniteteve, shumicës shqiptare dhe pakicës serbe. Së dyti, serbët u tërhoqën nga institucionet e Kosovës. Zgjedhjet u mbajtën në katër komuna dhe pjesëmarrja ishte 3.4 për qind. Pra, këta kryetarë bashkie të sapozgjedhur i kanë përmbushur kriteret ligjore, por kur flasim për legjitimitet apo përfaqësim, atëherë sigurisht që ka një pikëpyetje të madhe. Më pas, të premten e kaluar, kur Qeveria e Kosovës vendosi t’i futë ata kryetarë komunash në ndërtesat komunale në zonat e banuara me serb, serbët tentuan ta bllokojnë atë. Dhe kjo është situata që kemi deri më sot”, tha Lajçak.

31/05/2023 09:46

Arrestohen dy serbë në veri – policia u gjeti dhe konfiskoi armë, flamuj serb e emblema nacionaliste

Policia e Kosovës (PK), ka njoftuar se mbrëmë gjatë natës, në veri të vendit ka ndaluar një automjet (me targa të Sllovenisë), me të cilin ishin duke qarkulluar dy persona meshkuj serbë, shtetas të Serbisë.


Dy personat e dyshuar janë arrestuar dhe janë shoqëruar në stacion policor, pasi gjatë kontrollit të automjetit që drejtonin janë gjetur dhe janë konfiskuar disa pajisje të kundërligjshme, përfshirë maska kamuflazhi, emblema me simbole nacionaliste, dokumentacione etj.

“Dëshmitë e konfiskuara në cilësi të provave materiale, të cilat dyshohet se mund të përdoren për veprime të dhunshme janë: një (1) shufër metalike (policore), një (1) maskë kamuflazhi, disa thika, disa emblema me simbole nacionaliste (4 S) dhe flamur serb (4 S), disa lloje të dyshuara të substancave narkotike, telefona celularë, sprej të ndryshëm, sfera metalike, lidhëse plastike, një (1) automjet, një (1) kartelë e veteranëve të luftës së Serbisë, dhe një (1) kartelë të akademisë për siguri e Serbisë. një (1) çekan etj”, ka njoftuar policia.

Pas intervistimit, ndaj dy personave të dyshuar, me vendim të prokurorit kompetent, është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.