Po mbahet edicioni i dytë i AI Camp në Prishtinë, fokus në inovacion dhe inteligjencë artificiale

Nga 20 deri më 24 tetor, në Prishtinë po mbahet edicionit i dytë i AI Camp, Kampit Rajonal për Inteligjencë Artificiale.
Ceremonia zyrtare e hapjes së AI CAMP 2025 u zhvillua me një atmosferë energjike dhe entuziaste, duke shënuar nisjen e një eventi që synon fuqizimin e gjeneratës së re të inovatorëve në fushën e inteligjencës artificiale, transmeton Telegrafi.
Në këtë ngjarje të rëndësishme, folës kryesorë në ditën e parë ishin Ylli Bajraktari, president dhe CEO i Special Competitive Studies Project, dhe Uranik Begu, Drejtor në Plug and Play, të cilët ndanë njohuri dhe përvojë për të nxitur zhvillimin e startup-eve dhe talentëve të rinj.

Ceremonia u shndërrua në një thirrje motivuese për të rinjtë, duke nxitur kuriozitetin dhe kreativitetin e inxhinierëve të rinj dhe ndërmarrjeve startup, duke i përgatitur ata për një të ardhme ku zotërimi i inteligjencës artificiale do të jetë kyç për suksesin dhe zhvillimin.
AI CAMP 2025 pritet të jetë një pikë kthese për inovacionin në rajon, duke krijuar mundësi të reja për të rinjtë dhe duke kontribuar në zhvillimin teknologjik të Kosovës dhe Ballkanit.
Ndryshe, ngjarja rajonale e cila organizohet për herë të dytë në Kosovë, ka bërë bashkë Innovation Centre Kosovo me kompanitë/organizatat prestigjoze amerikane Special Competitive Studies Project – SCSP dhe Plug and Play Tech Center (akseleratori numër 1 në botë), ndërsa “AI Camp” mbështetet edhe nga Google Cloud, Lovable, TEB Bank, Coca-Cola HBC Kosova, Red Bull Kosova, Growzillas dhe Telegrafi.com.

















































