Nis asfaltimi i rrugës drejt Ujëvarave të Mirushës, projekti ishte nënshkruar para dy vitesh

Ka nisur asfaltimi i rrugës që çon drejt Ujëvarat e Mirushës, projekt i cili ishte paralajmëruar dhe financuar që nga viti 2024, por që sipas reagimeve të fundit ka shënuar vonesa në realizim.
Projekti ishte zyrtarizuar më 14 maj 2024 përmes një memorandumi mirëkuptimi ndërmjet institucioneve qendrore dhe Malishevë. Ish-zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, kishte bërë të ditur se bëhej fjalë për një investim prej 697 mijë euro.
“Sapo nënshkruam memorandumin e mirëkuptimit me komunën e Malishevës për financimin e projektit të infrastrukturës, në vlerë prej 697,000 euro. Këto mjete i kemi dedikuar për projektin e realizimit të rrugës që të shpie tek Ujëvara e Mirushës”, kishte deklaruar ai.
Edhe kryetari i komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, e kishte cilësuar këtë projekt si të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit dhe lehtësimin e qasjes për vizitorët, raporton Telegrafi.
“Kjo po bëhet përmes një Memorandumi të Mirëkuptimit për financimin e këtij projekti, në vlerë prej 697,000 euro, i cili do t’ju shërbejë të gjithë qytetarëve dhe turistëve”, kishte theksuar Kastrati në atë kohë.
Megjithatë, pavarësisht nënshkrimit të marrëveshjes në vitin 2024, punimet për asfaltimin e rrugës kanë nisur vetëm së fundmi, duke nxitur reagime nga opozita lokale.
Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Malishevë, Veton Zogaj, ka kritikuar komunën për zvarritje të projektit, duke theksuar se fondet kanë qenë të ndara më herët nga Qeveria.
“Më në fund paska nisur asfaltimi i rrugës drejt Ujëvarave të Mirushës. Pas më shumë se 2 vitesh zvarritje nga komuna, ky projekt i financuar nga Qeveria ka filluar”, ka deklaruar Zogaj.
Ai ka shtuar se projekti po prezantohet si sukses i qeverisjes komunale, ndonëse sipas tij financimi është siguruar nga niveli qendror.
“Mos të harrojmë se mbi 600 mijë euro kanë qenë të ndara që moti nga qeveria, por si duket u desh kohë që komuna ta zvarritë deri këtu pa asnjë arsyetim realizimin e këtij projekti”, ka theksuar ai.
Zogaj ka ngritur dyshime edhe për arsyet e vonesave, duke i lidhur ato me, siç ka thënë, interesa të ngushta në nivel lokal, ndërsa ka kërkuar që punimet të realizohen sipas standardeve të kërkuara.
Projekti i rrugës drejt Ujëvarave të Mirushës konsiderohet me rëndësi për zhvillimin e turizmit në këtë zonë, ndërsa mbetet të shihet dinamika e punimeve dhe përfundimi i tij në terren. /Telegrafi/





















































