LAJMI I FUNDIT:

Nikoliq: E pyeta Thaçin – sa është i lartë muri rreth shtëpisë tuaj?

Nikoliq: E pyeta Thaçin – sa është i lartë muri rreth shtëpisë tuaj?

Presidenti serb Tomislav Nikoliq ka thënë në Lisbonë se delegacionet nga Beogradi dhe Prishtina u shpërndanë pas bisedimeve në Bruksel me premtimin se ata do të bëjnë gjithçka që të ketë paqe në Kosovë.

Siç shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi, ai megjithatë ka theksuar se në këto bisedime, delegacionit të Prishtinës i është thënë qartë, edhe para Federica Mogherinit, se Serbia nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës, edhe nëse ky është një kusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian.


Shtylla kryesore e diskutimit të Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, siç ka thënë Nikoliq, ishte: “këtu është BE-ja, ju nuk do të hyni në BE, nëse nuk njihni pavarësinë e Kosovës”.

“Këtë Mogherini nuk e ka konfirmuar, dhe ne e kemi hedhur poshtë këtë kusht”, ka treguar më tej Nikoliq.

Sipas tij, në takim u diskutua edhe rreth “trenit rus”, i cili ishte nisur për Mitrovicë, ndërsa në Rashkë, para se të arrinte në kufi me Kosovën, u ndal dhe u kthye në Beograd.

Ai ka shtuar se ka pyetur përfaqësuesit e Prishtinës se çfarë do të ndodhte nëse Beogradi do të dërgonte njësitë e saj.

Veç këtyre, presidenti serb ka bërë të ditur se përfaqësuesit e Beogradit, kanë paralajmëruar ata të Prishtinës se është rënë dakord që muri në Mitrovicë të jetë 80 centimetra i lartë, por se sipas tij, tani Prishtina dëshiron që ai të shembet plotësisht.

“Kam pyetur Thaçin se sa është i lartë muri rreth shtëpisë tuaj, tre metra? Pse atëherë të shqetëson një mur 80 centimetra, aq të ultë sa që nuk keni parë ndonjëherë në jetën tuaj?”, ka rrëfyer Nikoliq. /Telegrafi/