Ngjyrat e viteve ’90 po rikthehen në shtëpi: Si t’i përdorni pa e bërë ambientin të duket i vjetruar

Pas viteve të dominimit të minimalizmit dhe toneve të ftohta neutrale, dizajni i brendshëm po kthehet te ngjyrat e ngrohta dhe atmosferat nostalgjike, por këtë herë me një qasje më moderne dhe më elegante
Edhe pse për shumë vite mobilimi i brendshëm u dominua nga minimalizmi dhe nga paletat e ftohta neutrale, trendet po ndryshojnë sërish. Dizajni i interierit po kthehet gradualisht te atmosfera nostalgjike e viteve ’90, një dekadë e njohur për ngjyrat e ngrohta, ambientet mikpritëse dhe stilin më të pasur dekorativ.
Në atë periudhë dominonin tonet neutrale me nuanca pjeshke, jeshile dhe rozë të zbutur. Këto paleta krijonin një ndjenjë rehatie dhe ngrohtësie në shtëpi. Pas një periudhe të gjatë të dominimit të toneve shumë të ftohta dhe të rrepta, rikthimi i këtyre ngjyrave sjell një ndjesi më të butë dhe më personale në hapësirë, pikërisht atë që shumë njerëz kërkojnë sot.
Megjithatë, përdorimi i këtyre ngjyrave kërkon kujdes dhe ekuilibër, në mënyrë që ambienti të mos duket i vjetruar. Ekspertët e dizajnit të brendshëm për revistën Homes & Gardens shpjegojnë se si mund të përdoren këto ngjyra nostalgjike duke ruajtur një pamje moderne dhe elegante, transmeton Telegrafi.

Ngjyra pjeshkë
Në interierët e viteve ’90 ishte shumë e zakonshme të shihje mure apo mobilie në ngjyrë pjeshke. Edhe pse dikur kjo ngjyrë krijonte një atmosferë të butë dhe femërore, sot dizajnerët e përdorin me një qasje më bashkëkohore.
Dizajnerja e interierit Paloma Contreras e ka përdorur këtë ton përmes tapeteve dekorative, duke krijuar një sfond të ngrohtë dhe frymëzues për dhomën.
“Doja që kjo dhomë të dukej e ngrohtë dhe mikpritëse që në momentin kur hyn në të”, shpjegon ajo. “Tapetin e kemi përshtatur në një ton të ngrohtë të ngjashëm me ngjyrën e pjeprit, që solli menjëherë ndjesinë e dritës së diellit dhe optimizmit në hapësirë.”
Sipas saj, sekreti qëndron te balanca: modelet tradicionale duhet të kombinohen me vepra arti moderne për të krijuar një pamje bashkëkohore.
Jeshile e freskët
Ngjyra jeshile është gjithmonë aktuale në dizajnin e brendshëm, por gjatë dekadave ka marrë nuanca të ndryshme. Në vitet ’90 dominonte një jeshile e pasur dhe e ngrohtë, ndërsa sot dizajnerët preferojnë variante më të buta dhe më të freskëta.
Dizajnerja Michelle Gage përdori një ton të zbutur të jeshiles në një dhomë gjumi, duke krijuar një atmosferë të qetë dhe elegante.
“Një nuancë mesatare e jeshiles është perfekte për dhomat e mysafirëve ose për një zyrë në shtëpi”, thotë ajo. “Është qetësuese, por njëkohësisht jo një zgjedhje e zakonshme.”
Sipas saj, jeshilja është një nga ngjyrat më fleksibile në mobilim, pasi mund të përdoret si ngjyrë neutrale ose si theks dekorativ. Ajo kombinohet shumë mirë me tonet blu, kafe dhe portokalli.
E verdha e butë
Në vitet ’90, e verdha ishte një nga ngjyrat më të guximshme në mobilim. Sot ajo përdoret në një formë më të zbutur, ku më e preferuara është e ashtuquajtura e verdha e gjalpit.
Dizajnerja Vivian Shao Chen e përdori këtë ton në një hapësirë të vogël banjoje.
“Edhe pse kjo ngjyrë ka një karakter nostalgjik, elementet e tjera të hapësirës janë shumë të thjeshta dhe me linja të pastra, gjë që i jep një interpretim modern”, shpjegon ajo.
Panelet dekorative dhe detajet arkitektonike janë realizuar në tone të zbutura, duke krijuar një pamje elegante dhe të qetë.
Rozë e zbutur
Përmendja e dhomave rozë nga vitet ’90 mund të sjellë ndërmend banjo të dekoruara në mënyrë të tepruar. Por sot kjo ngjyrë rikthehet në versione shumë më të buta dhe më elegante.
Dizajnerja Marie Flanigan shpjegon se rozë e zbutur mund të funksionojë si një lloj neutraliteti kompleks në hapësirë.
“Ajo mbart romantikën e rozës, por njëkohësisht sillet si një ngjyrë neutrale. Kjo na lejoi të ruajmë karakterin tradicional të shtëpisë, duke i dhënë një perspektivë të freskët”, thotë ajo.
Kjo ngjyrë u kombinua me mobilie me linja të pastra për të shmangur një pamje të vjetruar.
Blu e thellë
Bluja detare ishte një nga ngjyrat më të përdorura në vitet ’90. Ajo krijonte një atmosferë klasike, sidomos kur kombinohej me të bardhën ose me tonet krem.
Sot dizajnerët përdorin nuanca të ngjashme, por me tone pak më të zbutura për të krijuar një pamje më moderne. Një nga mënyrat më interesante të përdorimit të saj është aplikimi në të gjitha sipërfaqet e dhomës: në mure, korniza dekorative dhe elemente druri.
“Bluja ka natyrshëm një cilësi nostalgjike që më pëlqen shumë”, thotë dizajnerja Katy Davis. “Por kur përdoret në të gjithë elementet e dhomës, ajo bëhet një pjesë e menduar e hapësirës dhe jo thjesht një dekorim.”
Nëse dëshironi të sillni më shumë ngrohtësi dhe karakter në shtëpinë tuaj këtë vit, këto nuanca të frymëzuara nga vitet ’90 mund të jenë një pikënisje shumë e mirë. Mund t’i përdorni për ngjyrën e mureve ose në mënyrë më të kujdesshme përmes dekorit dhe aksesorëve. Kombinimi me elemente moderne do ta mbajë hapësirën elegante dhe larg pamjes së vjetruar. /Telegrafi/



















































