Ngjarjet që shënuan vitin 2013

Më pak njohje se në vitin e kaluar
Kosova është njohur shtet i pavarur dhe sovran nga 106 shtete të botës. Derisa viti 2012 Kosovës i solli 13 njohje, viti 2013 po përmbyllet me 8 njohje. Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka paralajmëruar se janë në radhë edhe disa shtete për ta njohur Kosovën në javët e para të muajit janar 2014.
Hashim Thaçi rizgjidhet kryetar i PDK-së
Me vetëm një votë kundër, delegatët e Kongresit VI Zgjedhor të Partisë Demokratike të Kosovës rizgjodhën Hashim Thaçin kryetar të këtij subjekti politik. Në votimin për kryetar të PDK-së kishin marrë pjesë 719 delegatë, nga ata 718 kanë votuar pro kandidaturës së Hashim Thaçit, kurse vetëm një delegat ka votuar kundër. Konventa ka zhvilluar punimet për dy ditë radhazi, pa pjesëmarrjen e disa prej figurave kryesore të partisë, në mesin e tyre nënkryetarit të parë të PDK-së, Fatmir Limajt, i cili ndodhej në burg për rastin “kleçka” dhe sekretarin e përgjithshëm të partisë Jakup Krasniqin, i cili e ka akuzuar Thaçin për ngufatje të shtetit dhe të partisë.
Kosova pesë vjet shtet
Kosova më 17 shkurt ka shënuar pesëvjetorin e shpalljes së pavarësisë. Pesë vjet të pavarësisë së Kosovës janë vlerësuar si periudhë e përballjes me probleme të trashëguara, por edhe vështirësive për rimëkëmbjen ekonomike dhe afrimin me strukturat euroatlantike. Pesë vjet pas shpalljes së pavarësisë Kosova ndodhet në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë gjatë të cilit synon të gjejë edhe një zgjidhje për situatën në veriun e saj të banuar me shumicë serbe.
Krasniqi ia kthen shpinën PDK-së
Ish Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka kumtuar lajmin për të mos qenë pjesë e strukturave udhëheqëse të PDK-së që, sipas tij, kishin dalë nga zgjedhjet antisatutore.
Krasniqi nëpërmjet një deklarate ka thënë se Kryesia e PDK-së e emëruar nga një njeri dhe e miratuar me aklamacion (vullnet të detyrueshëm) nga të gjithë, duket si një dhuratë e shefit për të preferuarit e tij, duke renditur në kryesi edhe atë. Por ai thotë se nuk i pranon “dhuratat” dhe nuk e nderon radhitja e emrit të tij në një forum të pazgjedhur dhe të emëruar arbitrarisht, ku shefi ndan poste partiake.
Ashton viziton dy herë Kosovën
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka vizituar brenda vitit 2013 dy herë Republikën e Kosovës. Në vizitën e parë ajo erdhi në Prishtinë me qëllim që t'i lëvizte gjërat përpara për të ardhur deri te arritja e marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ajo është takuar me presidenten Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Hashim Thaçi. Baronesha Ashton, pas arritjes së marrëveshjes së 19 prillit, ka vizituar Kosovën me 10 korrik për të dytën herë. Vizita e saj e dytë kishte për qellim inkurajimin e palëve për vazhdimin e dialogut deri në zbatimin e marrëveshjeve të plota për çfarë edhe ishin marrë vesh në Bruksel Thaçi e Dacici.
Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshjen historike
Pas dhjetë rundesh bisedash në Bruksel, ishte arritur marrëveshja e përbërë nga 15 pika për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Brukseli, nën ndërmjetësimin e shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Catherine Ashton.
Marrëveshja Kosovë-Serbi është nënshkruar ndaras nga udhëheqësit e delegacioneve të të dy vendeve. Në prani të baroneshës Ashton, i pari marrëveshjen e ka firmosur kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Pas tij të njëjtën gjë e ka bërë edhe kryeministri serb Ivica Dacic.
Marrëveshja e arritur në mes të kryeministrit Hashim Thaçi dhe atij serb Ivica Dacic, është vlerësuar lart nga vet baronesha Ashton, e cila pati deklaruar se tanimë të dyja shtetet do të jenë më afër Evropës.
Arritja e marrëveshjes Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve është përshëndetur edhe nga shumë personalitete të politikes botërore. Kështu që, me arritjen e kësaj marrëveshje Kosova dhe Serbia kanë nisur një epokë të re bashkëpunimi.
Haradinaj rizgjidhet në krye te AAK-së
Ramush Haradinaj u rizgjodh kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të cilën e drejton që nga themelimi i saj. Mbi 400 delegatë të kësaj partie votuan për zgjedhjen e Haradinajt kryetar, që ishte edhe kandidati i vetëm për këtë post.
Duke falënderuar delegatët, Haradinaj ka thënë se Kosovës i duhet një ndryshim i madh në qeverisje, duke vënë në radhë të parë interesat e qytetarëve. Haradinaj ka thënë se Kosova i ka mundësitë më të mëdha ekonomike në rajon dhe së këndejmi zhvillimi ekonomik duhet të jetë përparësi e institucioneve, për t’i dhënë fund varfërisë dhe papunësisë në vend.
Arrestohet “Grupi i Drenicës”
Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it i kanë arrestuar shtatë ish-pjesëtarët e UÇK-së. Sami Lushtaku, Sylejman Selimi, Sahit Jashari, Jahir Demaku, Zeqir Demaku, Hysni Thaçi dhe Avni Zabeli ndodheshin në arrest shtëpiak qysh me 25 maj, me vendim të Gjykatës së Apelit. Shtatë ish-pjesëtarët e UÇK-së nga rajoni i Drenicës janë dërguar në paraburgim. Kjo ka ardhur pasi Gjykata e Apelit ka nxjerrë aktvendimin mbi ankesën e prokurorit me të cilin është ndryshuar masa e para një jave e arrestit shtëpiak me masën e paraburgimit.
Prokurori Maurizio Salustro pretendon se shtatë personat kanë kryer krime lufte në një qendër ndalimi në fshatin Likovc të Skenderait. “Grupi i Drenicës” është duke u mbajtur në paraburgim.
Kosova bëhet me pasaporta biometrike
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka lëshuar në 2013-ën pasaportat biometrike me dizajn të ri. Faqja e personalizimit e të dhënave do të jetë me ngjyra. Me këtë rast , MPB-ja ka plotësuar kriterin e kërkuar nga Bashkimi Evropian për sigurinë e dokumenteve të udhëtimit për vitin 2014, pasi pjesa elektronike e prodhimit të pasaportave është e teknologjisë së fundit. Po këtë vit Ministria e Punëve të Brendshme ka lëshuar edhe letërnjoftimet biometrike.
NATO: FSK-ja ka arritur kapacitetin e plotë operacional
Këshilli Veri-Atlantik NATO këtë vit që lamë pas ka dhënë vlerësim se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka arritur kapacitetin e plotë operacional dhe është plotësisht e aftë për kryerjen e detyrave të përcaktuara brenda mandatit të saj dhe të standardeve të përcaktuara nga NATO- ja.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Andres Fogh Rasmussen, në deklaratën e tij për media pati uruar të gjithë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës për të arriturat me këtë hap.
Ai ka falënderuar të gjithë pjesëtarët e KFOR-it për atë që kanë bërë për ta ndihmuar ndërtimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Krerët e institucioneve të Kosovës e kanë përshëndetur vendimin e Këshillit të Ambasadorëve të NATO-s për deklarimin e arritjes së Kapacitetit të Plotë Operacional për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Ky deklarim i NATO-s, sipas tyre, ishte dëshmi e rritjes së profesionalizmit dhe kontributit të FSK-së në forcimin e sigurisë të gjithë popullit të Kosovës pa dallime etnike.
Limaj me shokë rishpallen të pafajshëm
Gjykata Themelore e Prishtinës për herë të dytë ka shpallur të pafajshëm ,në rastin “Kleçka”, Fatmir Limajn dhe ish-bashkëluftëtarët e tij Arben Krasniqi, Naser Krasniqi, Nexhmi Krasniqi, Behlul Limaj, Refki Mazreku, Naser Shala, Sabit Shala dhe Besim Shurdhaj.
Trupi gjykues ishte i përbërë nga dy gjyqtarë të EULEX-it dhe një gjyqtar kosovar. Limaj është liruar nga të gjitha akuzat për krime të luftës, me të cilat akuzohej nga prokurori i EULEX-it Mauricio Salustro. Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Simons i EULEX-it, ka deklaruar se në raport me Limajn nuk kishte asnjë argument fajësues dhe se të gjitha provat e kanë vërtetuar pafajësinë e tij. Pas më shumë se tre vjet përballjeje me akuza tepër të rënda dhe të pa argumentuara ndaj Limajt, më në fund ai e ka fituar pafajësinë e dytë në këtë rast.
Hapen negociatat për MSA-në
Kosova ka filluar zyrtarisht më 28 tetor negociatat me Bashkimin Evropian për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA). Ky hap, sipas Qeverisë së Kosovës, shënoi një fazë të re në marrëdhëniet e Kosovës me BE-në në procesin e integrimeve. Ndonëse ishte paralajmëruar se në Prishtinë do të qëndrojë komisionari i BE-së për zgjerim Stefan Fyle, delegacioni nga Komisioni Evroipan është kryesuar nga zëvendësdrejtori në Drejtorinë e Përgjithshme për zgjerim, Jos Korte.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nisjen e negociatave për MSA-në e ka cilësuar moment historik me ç`rast sipas tij, Kosova po nisë rrugëtimin e saj drejt BE-së, që do të pasohet më pas edhe me integrimin e saj në NATO.
Edhe presidentja Atifete Jahjagaj fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian për MSA-në e ka cilësuar hap të rëndësishëm në përafrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian.
Me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit Kosova përfiton më së shumti në aspektin tregtar, që do të thotë hiqen barrierat doganore ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Ndërsa në aspektin politik në marrëveshjen për MSA-në, Kosovës i hapen dyert për ta vazhduar procesin deri në anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.
Kosova kalon testin me zgjedhjet lokale
Kosova më 3 nëntor ka mbajtur zgjedhje lokale në gjithë territorin e Kosovës për herë të parë prej pas luftës edhe në pjesën e veriut. Me këto zgjedhje lokale Kosova ka kaluar testin ndërkombëtar, pasi mori një vlerësim pozitiv nga gjithë bota.
Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës
Zgjedhjet lokale të 3 nëntorit dhe balotazhi i 1 dhjetorit sollën ndryshim pushtetesh në disa komuna të Kosovës.
Pas 14 qeverisjeje të LDK-së në Prishtinë, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje Shpend Ahmeti ka fituar në garën e balotazhit për kryetar të Prishtinës, duke e mundur liderin e LDK-së, Isa Mustafën. Ndërsa, Mimoza Kusari - Lila e AKR-së, është femra e parë që është zgjedhur kryetare e Komunës. Ajo në balotazh e ka fituar garën për kryetare të Gjakovës, kundër Pal Lekajt të AAK-së.
Edhe në Pejë, Gjilan, Mitrovicë, Ferizaj, Kamenicë, Viti, Lipjan, Obiliq, Novobërdë, Suharekë, Malishevë dhe Rahovec, janë ndryshuar pushtetet.
Krasniqi merret në pyetje nga prokurorë të EULEX-it
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, është marrë në pyetje nga prokurorë të EULEX-it në lidhje me akuzat e bëra ndaj tij se gjatë kohës së luftës në Kosovës, derisa ka qenë pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ka keqtrajtuar dy të burgosura.
Kryeparlamentari Krasniqi ka mohuar këto akuza duke i cilësuar ato pavërteta dhe një propagandë , për të cilën edhe EULEX-i është i bindur së nuk ka asgjë të vërtetë.
“Kjo propagandë, pa asnjë bazë të vërtetë, synon të relativizojë krimet serbe në Kosovë, sidomos kur ato çdo ditë e më tepër po dalin në shesh nga protagonistët që kanë kryer vrasje më mizore kundër shqiptarëve’, ka thënë Krasniqi.
Rashkë, zbulohet varreza masive me shqiptarë të vrarë gjatë luftës
Në Rudnicë afër Rashkës në Serbi është gjetur një varrezë e re masive ku besohet të jenë kufomat e 250-400 shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-99.
Ekipet e ekspertëve nga Departamenti kosovar i Mjekësisë Ligjore dhe i atyre të EULEX-it, pas gërmimeve të bëra në zonën, ku dyshohet që mund të ketë trupa të viktimave të vrarë, kanë gjetur rroba dhe eshtra të viktimave të vrarë nga lufta e fundit në Kosovë. Gjetjen e kësaj varreze e ka konfirmuar prokurori serb për krime lufte, Bruno Vekaric. /Telegrafi/


























































