Nga: Keith Miller / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Ashtu siç thotë me përçmim Auden në poezinë Kush është kush [Who’s Who], “një jetë prej një shilingu do të të japë të gjitha faktet”. Por, biografia, përfundon ai, është e destinuar të hasë pengesa përballë mistereve të shenjta dhe shpesh të fshehta të dashurisë: te biosfera e poezisë – “psherëtiu për një” që “iu përgjigj disa / prej letrave të tij të gjata dhe të mrekullueshme, por nuk ruajti asnjërën”.
Biografia e Gala Dalít (Elena Ivanovna Diakonova), Surrealja [Surreal], shkruar nga Michèle Gerber Klein, kushton shumë më tepër se sa vlera e një shilinge në vitin 1938 – sipas kalkulatorit të inflacionit të Bankës së Anglisë. Libri me tepër rrjedh sesa ngec – mund ta lexosh për një fundjavë. Edhe pse ka prirjen ta paraqesë jetën e subjektit si rrëfim, jo si përvojë – jemi gjithnjë jashtë duke vështruar brenda – e përmbush plotësisht premtimin e Kleini për të jashtëzakonshmen, duke na çuar nga varfëria në Kazan, ku lindi Gala, në një rreth më bohem në Moskë; në jetën e avangardës letrare dhe artistike parisiane; në martesë, para, festa, kapela, kështjella, takime me njerëz të kurorëzuar të Evropës, darka në restorante të njohura në Menheten dhe më shumë.
Lexo po ashtu:
– Muzat artiste
– Salvador Dali dhe mustaqet ikonike
– Unë jam gjeni!
Klein dëshiron ta bart Galan nga kategoria problematike dhe shpesh nënvleftësuese e “muzës”. Gjatë martesave të saj me Paul Éluardin dhe Salvador Dalín – pa përmendur një romancë të shkurtër me artistin Max Ernst, vizionariteti dhe teknikat e të cilit rivalizoheshin vetëm nga prirja e tij për monogami të njëpasnjëshme – Gala ishte e përfshirë në mënyrë krijuese: pozonte për piktura, sugjeronte tema dhe tituj, bënte redaktime në tekst. Klein ia atribuon madje bashkautorësinë e romanit të Dalít, Fytyrat e fshehura [Hidden Faces, 1944], ndonëse vetë Dalí nuk ka thënë kështu. (Megjithatë, në dedikimin e librit për të, ai ka shkruar se ajo “largoi salamandrat e dyshimeve të mia dhe forcoi luanët e sigurisë sime”, gjë që me siguri ndihmoi.)
Ajo gjithashtu merrej edhe me biznesin. Suksesi i saj i jashtëzakonshëm në menaxhimin e karrierës së Dalít ka shumë ngjashmëri me përbindëshat e shenjtë të industrisë së muzikës sesa me botën e artit. Palë të treta të pandërgjegjshme, si menaxheri aventuresk i Dalít, “Kapiteni” John Peter Moore, fajësohen këtu për praktikat e diskutueshme të viteve të vona të artistit, kur ai nënshkruante me lehtësi fletët bosh apo kanavacat që më pas mbusheshin me piktura, litografi apo edhe fotokopje me cilësi të dyshimtë dhe me autenticitet të diskutueshëm. Dhe, sidoqoftë, pjesa më e tmerrshme e “veprave” – ornamentet e frymëzuara nga pikturat e tij të famshme – janë licencuar nga Fondacioni “Dalí” pas vdekjes së tij.
Klein ka njohuri të thellë për modën, ndaj ka mjaft materiale për bashkëpunimet e Dalít me Schiaparellin, miqësinë e çiftit me Coco Chanelin dhe ndjenjën e lindur të stilit që kishte Gala – qoftë kur ishte veshur me ndonjë krijim për ndonjë mbrëmje surrealiste, qoftë kur shëtiste rreth Mesdheut me bluzë me vija, pantallona të gjëra dhe espadrile, “duke ngrënë iriqë deti dhe duke krehur flokët mbushur me vaj ulliri”. Ajo është shumë e mirë në anekdota – libri është i mbushur me skena interesante dhe imazhe që të mbeten në mendje. (Një fqinje akuzon Galan se i vodhi një kotele për ta bërë një gjellë; pastaj Dalí që mban një ligjëratë për “Fantazitë autentike paranojake”, veshur me kostum zhytjeje derisa i mbaron ajri dhe Gala shfaqet me çelësin.)

Megjithatë, Klein duket më e interesuar për panoramën danteske të “ferrit” të vogël të yjeve të dorës së dytë dhe aristokratëve që lëviznin andej-këndej nëpër Evropë dhe Amerikë në pjesën e mesme të shekullit të kaluar, dhe mbi të cilët çifti Gala-Dalí mbështeteshin për porosi artistike, strehim fundjavash dhe gjëra të tjera të ngjashme. Ajo varet paksa shumë nga klishetë e zakonshme të biografisë popullore – si “1914 ishte një vit me kthesë vendimtare” – deri te përshkrimet trupore të frymëzuara nga stili melodramatik i Judith Krantzit. (Ernst, megjithëse padyshim një “dhelpër argjendi” që në rini, “rrezatonte një seksualitet prej engjëlli të rënë”.)
Ne arrijmë të kuptojmë çfarë prisnin njerëzit nga Gala, dhe herë pas here çfarë merrnin prej saj, por më pak kuptojmë se çfarë e shtynte vetë atë me aq forcë përpara. Shpesh ishte gruaja e vetme në një dhomë plot me burra, dhe nuk dukej se e shqetësonte kjo – ndoshta edhe burrat e pëlqenin pikërisht për këtë arsye. Ajo jo vetëm që dukej e hapur ndaj marrëdhënieve “treshe”, por dukej se i kërkonte vetë – Éluard dhe Ernst; Éluard dhe Dalí; Dalí dhe Jeff Fenholt, një tjetër “supermashkull” të cilin Dalí vazhdoi ta quante “Jezusi” shumë kohë pas rolit të tij në muzikalin e Andrew Lloyd Webberit në Broduej.

Klein nuk ka shumë për të thënë mbi mënyrën sesi teknika pedante e Dalít – dhe roli i Galas në formësimin e saj – e ndau atë nga surealistët e tjerë të cilët arritën vetëm një pjesë të vogël të suksesit të tij. Fakti që Dalí dhe Gala u kthyen pa ngurrim në Spanjën e Francos, ndërkohë që shoku i dikurshëm i Dalít, Luis Buñuel, nuk e bëri këtë – dhe as miku i tij i afërt Federico García Lorca, i cili nuk ishte në gjendje ta bënte, pasi ishte vrarë nga regjimi gjatë Luftës Civile të Spanjës – kalon këtu pa ndonjë reflektim të thellë.
Aftësia e Galas për të frymëzuar dashuri del qartë në libër. Bie në sy fakti që ajo ndante një temperament të sëmurë dhe nervoz me të dy burrat e saj, Dalín dhe Éluardin (me të cilin u njoh në një sanatorium në Davos, aty ku Thomas Mann do të vendoste ngjarjet e Mali Magjik). Vullneti i saj për pushtet është gjithashtu i pranishëm dhe i dukshëm kudo. Por, zëri i saj mungon disi: ajo mbetet një lojtare brenda një historie, si një nga figurat gjigante të shahut që qëndrojnë mbi varrin e saj në Pubol – kështjella që Dalí ia bleu asaj në vitin 1969, dhe që ai mund ta vizitonte vetëm me ftesë të shkruar nga ajo! /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Për vetëm 29.95€ me Telegrafi Deals dhe Melodia PX, këto patika bëhen tuajat!

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Më të lexuarat

"Ka të veshur xhemper të zi me simbole" - shumë qytetarë bashkohen në kërkimin e Alp Krasniqit në Gjilan

Nis operacioni për 8-vjeçarin e zhdukur në Gjilan, kërkimet po bëhen edhe me dronë

Dalin pamjet e momentit kur eskaloi situata në ndeshjen mes Bashkimit dhe Pejës

Gakpo hedh bombën për të ardhmen e Alexander-Arnold pas festës së titullit

Mediat spanjolle konfirmojë datën se kur do të largohet Ancelotti nga Real Madridi

Zhduket një 8-vjeçar në Gjilan, familjarët kërkojnë ndihmë urgjente: Është me autizëm