Një ish-kandidat për Topin e Artë sot duket krejt ndryshe, 26 vjet pasi u tërhoq nga futbolli në moshën 28-vjeçare.

Tifozët e futbollit sot zakonisht e lidhin Topin e Artë me Cristiano Ronaldon dhe Lionel Messin, të cilët së bashku fituan plot 13 çmime mes viteve 2008 dhe 2023.


Por përpara epokës së tyre, ky çmim i rëndësishëm i është dhënë disa prej legjendave më të mëdha të futbollit, si Zinedine Zidane (1998), George Weah (1995) dhe ylli bullgar i Barcelonës, Hristo Stoichkov (1994).

Në atë vit, italianët Roberto Baggio dhe Paolo Maldini përfunduan në vendin e dytë dhe të tretë, ndërsa Gheorghe Hagi dhe suedezi Tomas Brolin u renditën së bashku në vendin e katërt.

Në atë kohë, Brolin luante për skuadrën italiane Parma, me të cilën fitoi Kupën e Italisë (1992), Kupën e Fituesve të Kupave të Evropës (1993), Superkupën e UEFA-s (1993) dhe Kupën UEFA (1995).

Suedezi spikati edhe në Kampionatin Evropian të vitit 1992, ku shënoi një gol vendimtar ndaj Anglisë, duke i siguruar Suedisë fitoren 2-1 në Stokholm.

Gjatë qëndrimit pesëvjeçar në Itali, Brolin realizoi 30 gola dhe 16 asiste, duke tërhequr vëmendjen e klubit anglez Leeds United, ku kaloi në vitin 1995.

Megjithatë, aventura e tij në Premier League nuk shkoi sipas pritshmërive. Pas një humbjeje 5-0 ndaj Liverpoolit në janar të vitit 1996, trajneri Howard Wilkinson pati përplasje me Brolin për shkak të paraqitjes së tij mbrojtëse.

Ai zhvilloi vetëm 25 ndeshje me Leeds, para se të huazohej te Zurich dhe më pas të rikthehej përkohësisht te Parma. Në vitin 1998, firmosi për Crystal Palace, ku luajti 16 ndeshje, përpara se të rikthehej në Suedi dhe të përfundonte karrierën tek Hudiksvalls FF – në të njëjtin vit.

Për habinë e shumëkujt, në moshën vetëm 28-vjeçare, Brolin vendosi t’i japë fund futbollit profesional për t’u përqendruar në sipërmarrje të ndryshme biznesi – përfshirë edhe një kompani të suksesshme që prodhon fshesa me korrent.

Gjatë një interviste për FourFourTwo në vitin 2018, ai deklaroi se kompania e tij shet mbi 130,000 njësi në vit.

Kur u pyet për vendimin e tërheqjes nga futbolli në një moshë kaq të re, ai tha: “Fillimisht ishte kënaqësi të stërvitesha çdo ditë me Crystal Palace, por më pas nuk ishte më argëtuese. Pyesja veten: ‘A ta bëj këtë edhe sezonin tjetër?’ Mendoja gjatë verës dhe vendosa të ndalem. Nuk ishte për shkak të ndonjë lëndimi. Për të luajtur në nivel të lartë, duhet të stërvitesh çdo ditë, por unë nuk e kisha më atë dëshirë”.

“Kisha projekte të tjera në mendje – sapo lashë futbollin, një shpikës më prezantoi idenë e tij për fshesat me korrent dhe kështu lindi kompania. Nëse deri në dhjetor do të doja të rikthehesha, do ta bëja. Por ajo ndjenjë nuk erdhi kurrë".

"Tani kanë kaluar më shumë se 20 vjet. Të gjithë thonë se 28 vjeç është shumë herët për të dalë në pension, por varet çfarë ke arritur deri në atë moshë. Mendoj se kam bërë mjaftueshëm”, shtoi Brolin. /Telegrafi/

telegrafi sport app