Fatjon Bunjaku është njëriu i momentit në futbollin elitar në Shqipëri, pasi po udhëheq Elbasanin si lider këtë fillim sezoni. Në një intervistë për portalin Telegrafi, Bunjaku ka folur për nisjen e sezonit, formën e tij, raportin me trajnerin serb Ivan Gvozdenovic, si dhe objektivat personal dhe ekipor këtë edicion.

Elbasani e ka nisur në mënyrë të përkryer sezonin në Abissnet Superiore duke u renditur në pozitën e parë me tri fitore dhe një barazim nga katër ndeshjet e para të edicionit 2025/26.


Njëri nga më meritorët për këtë nisje perfekte të sezonit padyshim se është sulmuesi nga Kosova, Fatjon Bunjaku, i cili u transferua në fund të afatit kalimtar të verës nga Malisheva.

Bunjaku luajti në pjesën e dytë në dy ndeshjet e para të sezonit, ndërsa në xhiron e tretë dhe katërt filloi ndeshjet si titullarë, duke qenë vendimtar me nga një gol në fitoret minimale 1-0 në të dyja përballjet.

Në një intervistë për portalin Telegrafi, Bunjaku ka folur për nisjen e sezonit, formën e tij, raportin me trajnerin serb Ivan Gvozdenovic, si dhe objektivat personal dhe ekipor këtë edicion.

“Ndeshjet kanë shkuar sipas planit, si në aspektin personal po ashtu edhe në atë ekipor. Forma ime e mirë vjen nga puna e madhe nga stafi i trajnerëve”, ka thënë fillimisht Bunjaku për Telegrafin.

“Përshtatja me jetën në Shqipëri ka qenë e lehtë pasi që nuk ka shumë dallim, kurse me ekipin jemi përshtatur si pasojë e atmosferës së mirë në ekip”.

“Raporti im me trajnerin Ivan Gvozdenovic është mjaft i mirë, dhe ai kërkon ta nxjerri maksimumin tim si në stërvitje ashtu edhe në ndeshje”.

“Në fund të sezonit veten e shoh në listën e golashënuesve dhe të jem shumë efikas që t’i ndihmojë ekipit tim që të arrijmë objektivat tona që në fund do të shihen”, përfundoi sulmuesi vushtrrias. /Telegrafi/

telegrafi sport app