Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, Belinda Balluku, ka dhënë detaje rreth mënyrës se si ish-ministri i Infrastrukturës së Kosovës, Liburn Aliu, u propozua dhe më pas u emërua drejtor i Portit të Durrësit.

Balluku ka treguar se ideja për përfshirjen e Aliut në këtë detyrë erdhi pas një bisede që ajo pati me të në fillim të muajit shtator.


“Në fillim të muajit shtator bëra një bisedë me Liburnin dhe e pyeta, meqenëse më kishte njoftuar se po dilte nga politika, nëse do të kishte interes që të kontribuonte në Shqipëri, si rrjedhojë edhe për Kosovën,” tha Balluku.

Ajo theksoi se Aliu e kishte mirëpritur menjëherë idenë dhe se propozimi iu përshtat planit të tij për të jetuar në Tiranë.

“E diskutuam me njëri-tjetrin dhe më ngrohu direkt zemrën, sepse iu duk një propozim shumë interesant, një propozim që i shkonte për shtat vendimit që ai kishte marrë për të jetuar në Tiranë,” shtoi ajo.

Balluku theksoi se pas kësaj bisede, ajo e kishte çuar propozimin për emërimin e Aliut te kryeministri Edi Rama, i cili e kishte miratuar pa hezitim.

“Kështu që me radhën time këtë propozim e qova te kryeministri. Edi Rama ka punuar historikisht për Shqipërinë dhe Kosovën me të njëjtin pasion dhe dëshirë për t’i parë shqiptarët në lartësinë që ata meritojnë,” deklaroi zëvendëskryeministrja.

Ajo vlerësoi se përfshirja e një ish-ministri nga Kosova në një post kaq të rëndësishëm në Shqipëri përbën një shembull të bashkëpunimit ndërshqiptar.

“Nuk është hera e parë që qytetarë të Kosovës janë përfshirë në ekzekutivin shqiptar, por Liburn Aliu, them unë, është më i spikaturi ndër të gjithë kolegët e tjerë kosovarë që i janë bashkuar në rrugëtimin tonë për ndërtimin e Shqipërisë,” theksoi Balluku.

Në fund, ajo nënvizoi rëndësinë strategjike të Portit të Durrësit, duke e cilësuar atë si një projekt që i shërben gjithë hapësirës shqiptare dhe rajonit.

“Kryeministri ma ka aprovuar propozimin tim, pasi që Porti i Durrësit është porti i shqiptarëve, jo vetëm i Shqipërisë. Është më shumë se një port, është porta hyrëse në Ballkanin Perëndimor,” përfundoi Balluku. /Telegrafi/