LAJMI I FUNDIT:

Neurotizmi: Si shfaqet dhe si ndikojnë në një marrëdhënie mendimet dhe ndjenjat e ngjyrosura negativisht

Neurotizmi: Si shfaqet dhe si ndikojnë në një marrëdhënie mendimet dhe ndjenjat e ngjyrosura negativisht

Një person neurotik demonstron një tendencë për të përjetuar emocione negative më intensive si frika, shqetësimi, zemërimi dhe trishtimi, shpesh duke u përfshirë në mendime të tepërta dhe përsiatje

Sjelljet neurotike nuk kanë pse të ndikojnë negativisht marrëdhënien tuaj. Ndërsa është e vërtetë që tipare si ankthi dhe mendimi i tepërt mund të krijojnë sfida, ekspertët thonë se neurotizmi është vetëm një aspekt i personalitetit tonë të ndërlikuar.

Neurotizmi është një tipar personaliteti i karakterizuar nga trishtimi, humori dhe paqëndrueshmëria emocionale. Njerëzit priren të përjetojnë luhatje të humorit, ankth, nervozizëm dhe trishtim. Ata që janë të ulët në këtë tipar të personalitetit priren të jenë më të qëndrueshëm dhe emocionalisht elastikë.


Shumë vite më parë, psikologu Hans Eysenck sugjeroi se sëmundjet mendore vijnë nga ndërveprimet midis ngjarjeve stresuese dhe tipareve të personalitetit, neurotizmit.

Çfarë është neurotizmi?

Përkufizimi psikologjik i neurotizmit është i ndryshëm nga kuptimi i zakonshëm i të qenit “shumë nervoz”. Neurotizmi përfshin sa shpesh njerëzit ndjejnë emocione negative intensive si ankth, trishtim dhe zemërim – dhe më e rëndësishmja, sa të qëndrueshme janë emocionet e tyre.

Si shfaqet neurotizmi në marrëdhënie?

Partneri juaj nuk ka thënë “Të dua” për një kohë të gjatë. Cila është arsyeja?

Një person me neurotizëm të ulët mund ta interpretojë këtë sikur partneri është “i zënë” ose të kërkojë që ai të shprehë dashurinë në mënyra të tjera, si për shembull, përmes veprimeve.

Një person me neurotizëm të lartë mund ta interpretojë këtë situatë në një mënyrë më negative: partneri nuk e do më, është i zemëruar ose ka rënë në dashuri me dikë tjetër.

Christine Finn, një psikologe në universitetin “Friedrich Schiller” në Jena, ka zbuluar se njerëzit neurotikë kanë më shumë gjasa të interpretojnë skenare të paqarta, si shembulli i “Të dua”, në një mënyrë negative.

Ata janë gjithashtu më të ndjeshëm ndaj vërejtje dhe mbajnë mend informacione negative nga mjedisi i tyre.

Në përgjithësi, njerëzit me neurotizëm të lartë:

▪ kanë një pikëpamje më negative për botën, përfshirë romancën
▪ shqetësohen shumë dhe mund të këmbëngulin që partneri i tyre të sillet në mënyra të caktuara për të lehtësuar shqetësimin e tyre – gjë që mund të rezultojë në një partner që ndihet i kontrolluar ose i pakënaqur.
▪ mund të kërkojnë siguri më shpesh nga partneri, gjë që mund të bëhet e lodhshme me kalimin e kohës
▪ stresohen nga situatat shoqërore dhe kanë frikë nga mospërfshirja.

Shenjat që neurotizmi po ndikon në ndërveprimet tuaja romantike përfshijnë shqetësimin e tepërt për atë që bën partneri, për qëllimet e tij dhe nëse marrëdhënia është e mirë apo e qëndrueshme.

“Për shkak të impulsivitetit të tyre dhe prirjes për t’u shqetësuar, këta individë, gjithashtu mund të debatojnë më shpesh me partnerin e tyre dhe kanë një probabilitet më të lartë për të tradhtuar,” thotë Finn.

“Marrëdhëniet e njerëzve neurotikë priren të jenë më të paqëndrueshme – ata kanë një mundësi më të lartë për ta përfunduar lidhjen krahasuar me njerëzit emocionalisht të qëndrueshëm”, shprehet ajo.

Një mënyrë se si njerëzit neurotikë përpiqen të reduktojnë ose parandalojnë emocionet negative është përmes përballjes shmangëse. Disa shembuj të përballjes shmangëse janë shpërqendrimi, kërkimi i sigurisë, shmangia e aktiviteteve ose situatave që provokojnë ankth dhe përfshirja në sjelljet e sigurisë. Edhe shqetësimi mund të shoqërohet me përballje shmangëse, pasi funksioni i shqetësimit është mbrojtja e individit nga përjetimi i drejtpërdrejtë i emocioneve të pakëndshme.

Për shkak se përballja shmangëse redukton përkohësisht shqetësimin, mund të duket si një strategji e mirë afatgjatë për reduktimin e emocioneve negative. Por nuk është kështu. Në planin afatgjatë, njerëzit që përdorin përballjen shmangëse shpesh përjetojnë emocione më të shpeshta ose më intensive të neveritshme.

Për më tepër, përfshirja në shmangien e sjelljes do të thotë se ka më pak mundësi për të sfiduar bindjet e gabuara të dikujt. Pra, mësimi korrigjues nuk ndodh kurrë. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Ilaçi më i mirë shtëpiak për veshka: Të gjithë përbërësit me siguri i keni në shtëpi!

Ilaçi më i mirë shtëpiak për veshka: Të gjithë përbërësit me siguri i keni në shtëpi!

Kalo në kategori