LAJMI I FUNDIT:

Netanyahu është albatros në qafën e Bidenit

Netanyahu është albatros në qafën e Bidenit

Nga: Edward Luce / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Avokatët kanë mësuar se dëshmitarit kurrë nuk duhet t’ia shtrojnë pyetjen për të cilën vetë ata nuk e dinë përgjigjen. Kjo logjikë vlen edhe për aleancat e kohës së luftës. Joe Bideni e ka lidhur fatin e vet me një njeri – me Benjamin Netanyahun – i cili është bashkëkrijues i dilemës së kobshme me të cilën tashmë po përballet Izraeli. Problemi me strategjinë e Bidenit është se nuk e ka veton për veprimet e kryeministrit izraelit. Ndikimi është mjeti që Bideni përdor. Gjithçka rreth Netanyahut bën me dije se presioni në prapaskenë nuk është metoda që po funksionon.


Po të mos ishte udhëheqësi i diskredituar i Izraelit, strategjia e Bidenit do të ishte e arsyeshme. Izraeli ndihet i plagosur dhe i kërcënuar; kritika publike nga mbështetësi kryesor në Uashington, vetëm sa do ta thellojë atë ndjenjë izolimi; kjo, nga ana tjetër, do të shtojë gjasat që Izraeli të ndërmarr masa të verbra që do ta dëmtojnë më tej sigurinë. Sidoqoftë dhe për fat të keq, kjo është ajo që po ndodh. Qëllimet e mira të Bidenit, tashmë po nëpërkëmben nga veprimet e Izraelit.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se presioni i Bidenit ka bërë që Izraeli të rikthejë shërbimet e internetit në Gazë dhe të lejojë një sasi të kufizuar të ndihmës humanitare në enklavë. Gjithashtu, gjasat ishin se Forcat Mbrojtëse të Izraelit do të hynin më shpejtë në Gazë dhe në një mënyrë më të rëndë sesa tash. Ajo që ka mundur të ndodhë, është e vështirë të vërtetohet.

Stafi i Bidenit thotë se qasja e tij po funksionon edhe pse do ta ketë të vështirë për ta bindur botën për këtë. Por, arsyetimi i tyre po përkeqësohet. Pothuajse për çdo ditë, Netanyahu ofron rastin për një qasje më të ashpër të Bidenit. Javën e kaluar, Netanyahu citoi profecitë e Isaiajt për mbrojtje të luftës së ardhshme. Ishte referencë biblike për mbrojtjen e popullit hebre nga Zoti. Shërbeu gjithashtu si mesazh për aleatët e Netanyahut në lëvizjen ungjillore të Amerikës. Njëri prej tyre, Mike Johnson, tashëm është kryetar i dhomës së përfaqësuesve të ShBA-së.

Fjalimi i tillë nga lideri i Izraelit dhe nga de fakto lideri i opozitës së Amerikës, e privojnë Hamasin nga monopoli i errët mbi teokracinë. Në një postim në rrjetet sociale që pastaj është fshirë, Netanyahu foli për luftën midis “fëmijëve të dritës dhe fëmijëve të errësirës”. Nga këndvështrimi i Bidenit, imazhet e tilla janë shkatërrimtare. Më shumë se tre mijë fëmijë palestinezë vlerësohet të kenë vdekur deri tash dhe ky numër pritet të rritet.

Por, në krizë ka edhe mundësi. Bideni ka përsëritur se qëllimi i Amerikës vazhdon të jetë zgjidhja me dy shtete. Në teorinë se më e errët është para agimit, masakra barbare e Hamasit dhe veprimet hakmarrëse të Izraelit kanë përforcuar bindjen se sigurinë e Izraelit mund ta garantojë vetëm shteti palestinez. Alternativat – shteti laik binacional ose status kuoja – mund të hidhen poshtë si fantazi dhe të papranueshme. Megjithatë, veprimtaria jetësore e Netanyahut ka qenë që zgjidhjen me dy shtete ta bëjë të pamundur.

Një nga arsyet se pse shërbimet e sigurisë izraelite u zunë duke dremitur më 7 tetor, është sepse forcat izraelite ishin të përqendruara në Bregun e pushtuar Perëndimor. Gjatë dy viteve të fundit, territori përjetoi dhunën më të rëndë, që nga fundi i intifadës së dytë më 2005, kjo pasi trupat izraelite filluan me bastisjet pothuajse të përditshme. Aq e brishtë është situata në Bregun Perëndimor, saqë forcat izraelite nuk ishin askund kur Hamasi theu terrorin e papërshkrueshëm. Kjo neglizhencë i përket Netanyahut.

Në një farë mënyre, Netanyahu është lideri më i keq i Izraelit. Por, Bideni nuk e ka luksin të presë për verdiktin e historisë. Plani ushtarak i Izraelit për të eliminuar Hamasin, duhet të lidhet me zgjidhjen politike që do të vijë më pas. Netanyahu po e shkatërron rrugën e synimit të Bidenit për dy shtete. Duke supozuar se kjo është e mundur, a ekziston mundësia që eliminimi i Hamasit të shtojë mbështetjen palestineze për një alternativë jo të dhunshme? Kush do ta administrojë Gazën? Gjasat janë që Izraeli do të rrafshojë pjesët të Gazës, duke i bërë presion Egjiptit dhe shteteve të tjera arabe për të marrë 2.2 milionë banorët e Gazës si refugjatë, ndërsa tërheqja e pastajme prapa një garnizoni më të fortifikuar vetëm sa do të rrisë mbështetjen palestineze për ekstremizëm. Fronti tjetër i betejës i Izraelit do të ishte Bregu Perëndimor.

Qasja e Bidenit këtu mund të kthehet në katastrofë. Nëse nuk mund të bëjë presion ndaj Netanyahut për ndryshimin e mendjes prej cungu, Izraeli do të vazhdojë me atë që për botën do të jetë dënim kolektiv, edhe nëse merr çdo masë paraprake për të minimizuar vdekjet e civilëve. Bideni do të jetë përgjegjës. Ata që e njohin Bidenin, me të drejtë thonë se qasja e tij është e sinqertë. Kjo gjithashtu është një politikë më efektive kundër Partisë Republikane që kërkon hakmarrje biblike ndaj palestinezëve. Por, kjo nuk po e bën më të mençur. Si avokat i mirë, Bideni duhet ta kontrollojë dëshmitarin e vet. Megjithatë, Netanyahu nuk ia var askujt pos vetes. Teksa Netanyahu mbetet në pushtet, presidenca e Bidenit është peng i një njeriu që kurrë nuk do t’ia kthejë të mirën me të mirë. /Telegrafi/