Nga: Guendalina Middei
Përktheu: Elon Caslli

Thanë se ishte i çmendur. U tallën me të. Talleshin me të sepse ishte ndryshe. Ai qeshte me ta sepse ata ishin të gjithë njësoj. "Ndodh diçka interesante me njerëzit e zgjuar. Ata në sytë e budallenjve duken si të çmendur".


Që në moshë të re dashuronte muzikën, filozofinë dhe gjithçka që përflakte shpirtin pasi "Njeriu nuk jeton veçse me bukë".

- Lexo po ashtu: Bukuria më e madhe ndonjëherë lind nga vuajtjet dhe fatkeqësitë

Kur ishte 38 vjeç, njohu një intelektuale të re ruse, Lou Von Salomè. Kur e takoi për herë të parë i tha: "Nga ç'yje kemi rënë për t'u takuar këtu poshtë"?

Ishte karakteri i tij pasionant që e tërhoqi Louan dhe po ai karakter e largoi përsëri atë, sepse denduria e emocioneve nuk durohet gjithnjë.

"Vetëm pasi u shoqërova me të, u poqa për Zarathustrën tim, sepse vetëm dashuria të shndërron".

Pas ca vitesh u dha shtëpive botuese kryeveprat e veta, që nuk ishin thjesht libra, por copa shpirti. Ai i merr fjalët dhe i shndërron në ethe. Në penën e tij ka gjithçka; pyetjet e mëdha të atij që nuk kërkon rrugën që përshkojnë të gjithë, por "guxon"; forcën e dikujt që përshkon ferrin dhe rilind kurajon; forcën e dikujt që sheh brenda humnerës dhe e sheh veten si kundërpërgjigje.

Askush nuk i kuptoi shkrimet d tij. Askush nuk e kuptonte. Kjo ishte vetmia dhe njëkohësisht forca e tij. Disa e merrnin për të marrë, por atij nuk i bëhej vonë. Ai vazhdonte drejt në rrugën e tij. E dinte se koha e tij ishte tepër e çmuar për ta çuar dëm me njerëz që nuk të çmojnë siç duhet.

"Duhet ta heqim qafe shijen e keqe për të shkuar mirë me të gjithë. Gjërat e mëdha për të mëdhenjtë, humnerat për njerëzit e thellë, finesën për të butët dhe gjërat e rralla për të rrallët".

Një ditë pa një burrë që godiste pa mëshirë kalin e tij sepse ai nuk ecte. Atëherë ai e përqafoi kalin e rrëzuar përtokë dhe filloi të qante. Të gjithë thanë se ishte çmendur.

"Ata që kërcenin u gjykuan si të çmendur nga ata që nuk e ndjenin muzikën”.

Kështu ndodhi me të, por mbi të gjitha ai e dinte që të jesh i lirë nuk është privilegj, por zgjedhje. Quhet shpirt i lirë ai që mendon ndryshe nga sa pritet prej tij krahasuar me origjinën, mjedisin, gjendjen apo funksionin e tij, ose krahasuar me opinionet mbizotëruese të njē kohe të caktuar. Ai është përjashtimi. Shpirtrat e lidhur janë rregulli.

Nëse je i lirë, je ti që krijon botën. Nëse nuk je i lirë, bota të krijon ty. Zgjedhja është juaja. /Telegrafi/