LAJMI I FUNDIT:

“Nëntoka” e haraçit

“Nëntoka” e haraçit

Një raport i Zyrës se Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krim në Vjenë, i kryer me biznese kosovare, nxjerrë, për herë të parë, të dhëna të frikshme lidhur me mënyrën kriminale sesi fitohen tenderët në Kosovë.

Hulumtimi i cili quhet “Biznesi, Korrupsioni dhe Krimi në Kosovë: Ndikimi i ryshfetit dhe i krimit në ndërmarrjet private”, përfshin periudhën e vitit 2013 dhe është publikuar se fundi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Risi e këtij hulumtimi, ndryshe nga ato me të hershmet, janë shifrat në para që afër 100 biznese nga të gjitha qytetet e Kosovës, janë deklaruar se janë detyruar të japin për favore të ndryshme nga institucionet dhe zyrtarët publik.


Qoftë kjo për t’i përshpejtuar procedurat lidhur me biznesin, marrja e një trajtimi më të mirë dhe mundësimi i finalizimit të procedurave në tenderë.

Nga hulumtimi ka dalë se një biznes në Kosovë paguan mesatarisht rreth 1 mijë euro ryshfet për të pranuar favore të ndryshme nga institucionet publike. Ndërkaq, si rrjedhojë, bizneset ryshfetpaguese paguajnë mesatarisht 7.7 ryshfete në vit, ose rreth një ryshfet në gati çdo shtatë javë. Anketa nxjerr në pah se korrupsioni dhe format e tjera të krimit janë një pengesë e madhe për ndërmarrjet private, dhe se kanë një efekt negative në investimet private. Një përqindje e konsiderueshme e bizneseve iu paguajnë ryshfet zyrtarëve publikë, në mënyrë të përsëritur, gjatë gjithë vitit, shkruan Gazeta Fjala.

Më të prekurit nga kjo dukuri janë bizneset, në sektorët e prodhimit industrial, të furnizimit me energji elektrike, gaz dhe ujë, të pasuar nga bizneset në sektorin e tregtisë me shumicë dhe të tregtisë me pakicë, shkruan Gazeta Fjala.

“Zyrtarët publikë, me rrezik më të lartë të ryshfetit në bashkëveprim me bizneset, janë zyrtarët e doganave, zyrtarët tatimorë/të hyrave, zyrtarët komunalë ose provincial”, thuhet në hulumtim.

Kur është në pyetje sigurimi i një favori, krahas parave të gatshme, bizneset janë të detyruara të shkojnë deri atje sa të ofrojnë madje edhe gjëra ushqimore e pije të ndryshme.

Hulumtimi tregon se një përqindje e konsiderueshme e gjithë ryshfetit, që u është paguar zyrtarëve publikë, nga bizneset në Kosovë, është paguar në para të gatshme (59.2 për qind), pasuar me sigurimin e ushqimit dhe pijeve, në këmbim të një “favori” të paligjshëm nga ana e zyrtarit publik (58.4 për qind) dhe të mira ose përfitime të tjera (12.1 për qind).

“Kur ryshfeti është paguar me para të gatshme, shuma mesatare e paguar për ryshfet është 844 Euro”.

Ndërsa sa i përket asaj se cila palë, në fakt e inicion çështjen e ryshfetit, në rreth 38 për qind të të gjitha rasteve, pagesa e ryshfetit është ofruar nga një përfaqësues i biznesit, pa bërë një kërkesë paraprake, shkruan Gazeta Fjala

Bizneset nuk e raportojnë ryshfetin nga frika e hakmarrjes

Qëllimet më të shpeshta të pagesës së ryshfetit, të cilat janë përmendur nga bizneset, janë për t’i “përshpejtuar procedurat lidhur me biznesin”.

Rreth 28.4 për qind e gjithë ryshfetit është paguar për këtë qëllim. Ndërkaq, për marrje të një trajtimi më të mire, 14.7 për qind dhe mundësimi i finalizimit të procedurës 13.1 për qind).

Në të njëjtën kohë, pothuajse një e katërta e ryshfetit të paguar, apo 23.9 për qind) nuk shërben për asnjë qëllim të veçantë të bizneseve, që e paguajnë atë.

Ky lloj konsiderohet si “nxitje”, që iu jepen zyrtarëve publikë për t’u “përkujdesur” për ta, gjatë bashkëveprimeve të ardhshme në interes të kompanisë.

Ndërsa, 3.7 për qind e ryshfetit të paguar nga bizneset është raportuar te autoritetet zyrtare, kryesisht në polici, që tregon se bizneset në Kosovë shpesh ndihen të detyruar të marrin pjesë në ryshfet.

“Kjo është reflektuar edhe në arsyet kryesore, të përmendura, për mos raportimin e ryshfetit”, thuhet në hulumtim I cili nxjerrë se 28.2 për qind e bizneseve janë deklaruar që është “e pakuptimtë të raportohet pasi askujt nuk do t’i interesonte”.

Ndërkaq, 19.2 për qind kanë frikë nga hakmarrja; dhe 19.4 për qind mendojnë se “pagesa ose dhurata është dhënë si një shenjë mirënjohjeje”.

Ndërsa sa i përket ryshfetit në sektorin privat, aty thuhet se jo vetëm që përfshin ryshfetin që bizneset ua paguajnë zyrtarëve publikë, por ajo gjithashtu ndodhë edhe ndërmjet vetë bizneseve, në mënyrë që të sigurohen transaksionet e biznesit.

Megjithëse, më e ulët sesa përhapja e ryshfetit ndërmjet sektorit publik dhe atij privat, me 0.6 për qind, përhapja e ryshfetit biznes-me-biznes tregon se kjo praktikë ekziston në Kosovë, shkruan Gazeta Fjala.

Hulumtimi sqaron se ky lloj i korrupsionit nuk duhet të ngatërrohet me marketingun normal ose me aktivitetet e marrëdhënieve me publikun, në kuptimin që në mënyrë specifike synon, përmes mjeteve të paligjshme, ta shkelë integritetin e ryshfetmarrësit në këmbim të një ryshfeti

“Asnjë nga bizneset në anketë nuk kanë raportuar, te autoritetet përkatëse, incidente të tilla të ryshfetit biznes-me-biznes. Rreth 3.3% e përfaqësuesve të biznesit kanë vendosur që të mos bëjnë investim të madh në 12 muajt para anketës, për shkak të frikës se duhet të paguajnë ryshfet për t’i marrë shërbimet e kërkuara ose lejet. Kështu që, ndikimi i ryshfetit në aktivitetin e biznesit mund të jetë thelbësor”.

Format e ryshfetit

Hulumtimi analizon edhe format e pagesës së ryshfetit. Të dhënat tregojnë se zyrtarët publikë, të cilët në mënyrë direkte kërkojnë ryshfet, shpesh atë e bëjnë në formën e pagesave me para të gatshme.

Ndërsa, bizneset që iu ofrojnë ryshfet zyrtarëve publikë mund të dëshirojnë të shikojnë gjetjen e alternativave, më pak të kushtueshme, që lidhen me aktivitetet e rregullta të biznesit të tyre, të tilla si: ofrimi i ushqimit dhe pijeve (kur është fjala për sektorin e akomodimit dhe të ushqimit) ose të llojeve të tjera të mallrave dhe shërbimeve (veçanërisht në tregtinë me pakicë dhe shumicë).

“Të dhënat tregojnë se në shtatë prej dhjetë rasteve të ryshfetit 72.8 për qind, në të cilin është kërkuar ryshfet (qoftë në mënyrë eksplicite, implicite ose nëpërmjet një pale të tretë), pagesa është bërë në para të gatshme”, thuhet në hulumtim.

Të dhënat kanë gjetur se krejt këto praktika kriminale kanë bërë që të pësojnë shumë ndërmarrje në Kosovë.

Megjithëse, ka disa dallime sipas sektorit ekonomik, mesatarisht 9.1për qind e ndërmarrësve në Kosovë deklarojnë se ata nuk kanë bërë investim të madh në periudhën e anketimit, për shkak të frikës nga krimi./Gazeta Fjala/Telegrafi/