LAJMI I FUNDIT:

Djegia e zyrave të IML-së, aty gjendeshin të ruajtura edhe mustaqet e Adem Jasharit dhe gishti i Isa Boletinit

Djegia e zyrave të IML-së, aty gjendeshin të ruajtura edhe mustaqet e Adem Jasharit dhe gishti i Isa Boletinit

Një zjarr i madh shpërtheu të martën në objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, duke djegur dy prej zyrave kryesore.

Telegrafi mëson se aty ndodheshin edhe dokumente të rëndësishme, e po ashtu një pjesë e mustaqeve të komandantit legjendar Adem Jashari, dhe njëri gisht e një dhëmb i Isa Boletinit.


“Gjatë ekzaminimit të trupave të vrarë të familjes Jashari, në vitin 1998, eksperti i mjekësisë ligjore kishte marrë një pjesë të mustaqeve të Adem Jasharit, që t’i mbante si dëshmi dhe kujtim për  komandantin legjendar. Ai gjithashtu gjatë identifikimit të mbetjeve mortore të Isa Boletinit, në nëntor të vitit 2014, kishte marr një pjesë të skeletit të tij, një gisht dhe një dhëmb”, ka thënë burimi i Telegrafit.

Ndërsa Prokuroria Themelore e Prishtinës, të martën ka bërë të ditur se ka lëshuar disa autorizime për kryerjen e ekzaminimeve në vendin e ngjarjes.

Prokuroria më tej ka theksuar se në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, IML-në dhe institucionet e tjera relevante janë duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore deri në sqarimin e plotë të rastit në fjalë.

Instituti i Mjekësisë Ligjore është përgjegjës për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e sistemit mjekoligjor në vend, për të siguruar shërbime mjekoligjore, mësimdhënie dhe shërbime përkrahëse për familjet e personave të zhdukur.

Detyrat e tij përfshijnë, po ashtu, sigurimin e ekspertizës mjekoligjore për organet publike, udhëheqjen e hetimeve mjekësore për vdekjen në vendin e ngjarjes, kryerjen e zhvarrosjeve, kryerjen e inspektimeve pas vdekjes dhe kryerjen e autopsive.

Ndërkaq, kjo është hera e dytë që objekti i IML-së është përfshirë nga flakët brenda këtij viti./Telegrafi/