Në Vushtrri hapet zyre mobile për ndihmë juridike falas, interesimi i qytetarëve për të marrë shërbime në rritje

Të enjtën, është hapur zyre mobile për ndihmë juridike falas në qytetin e Vushtrrisë, në kuadër të Agjencisë për ndihmë juridike falas.
Kjo zyre mobile gjendet tek objekti i Gjykatës Themelore në Mitrovicë – dega në Vushtrri, në katin e dytë, zyra me numrin 13.
Për këtë çështje, Agnesa Beqiri, zyrtare për ndihmë juridike falas në një prononcim për Telegrafin ka thënë se kjo zyre mobile ofron ndihmë juridike falas për qytetarët që nuk kanë mjete financiare për t’i realizuar të drejtat e tyre në mënyrë ligjore, shkruan Telegrafi.
Beqiri ka thënë se në këtë zyre mobile ofrohen shërbime në lëminë penale, civile, administrative dhe kundërvajtje.
“Agjencia për ndihmë juridike falas, më saktesisht zyra mobile për ndihmë juridike falas në Vushtrri ofron ndihmë juridike falas në lëminë penale, civile, administrative, kundërvatje. Ofrohen shërbime për të gjithë qytetarët që nuk kanë mjete financiare për t’i realizuar të drejtat e tyre në mënyrë ligjore”, ka thënë tutje ajo.
Zyrtarja për ndihmë juridike falas ka bërë të ditur se kjo zyre mobile do të jetë në shërbim të qytetarëve për një periudhë afatgjatë dhe se sipas saj, interesimi i qytetarëve është gjithmonë në rritje, transmeton Telegrafi.
“Numri i të interesuarve për marrjen e ndihmës juridike falas, gjithmonë dita-ditës është vetëm duke u rritur”, ka shtuar Beqiri.
Më tej, Beqiri ka treguar se kjo zyre mobile përbëhet vetëm nga një zyrtar që ofron shërbime për qytetarët e interesuar.
“Zyra mobile për ndihmë juridike falas përbëhet vetëm nga një zyrtar për ndihmë juridike falas”, ka përfunduar zyrtarja për ndihmë juridike falas, Agnesa Beqiri. /Telegrafi/










































