Në Spitalin e Mitrovicës kërkuan ndihmë mjekësore mbi 220 fëmijë gjatë vikendit

Spitali i Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë ka njoftuar se vetëm gjatë ditëve të vikendit, në Repartin e Pediatrisë kanë kërkuar ndihmë mjekësore gjithsej 224 fëmijë.
Sipas njoftimit zyrtar të spitalit, nga ky numër, 6 fëmijë kanë qenë të detyruar të spitalizohen për trajtim të mëtejshëm mjekësor, ndërsa të tjerët kanë marrë shërbimet e nevojshme ambulatore.
I ngarkuar gjatë vikendit ka qenë edhe Shërbimi Emergjent, ku janë trajtuar gjithsej 225 raste, përfshirë raste të aksidenteve, problemeve ortopedike, internistike dhe kirurgjike.
Po ashtu, një numri të konsiderueshëm pacientësh u janë kryer edhe ekzaminime laboratorike. Sipas spitalit, 140 pacientëve u janë marrë dhe analizuar parametrat laboratorikë.
Ngarkesë është shënuar edhe në Shërbimin e Radiologjisë, ku gjatë vikendit janë realizuar 64 radiografi (rëntgen), 22 tomografi të kompjuterizuara (CT) si dhe 40 ekzaminime eko dhe ultrazë.
Nga Spitali i Përgjithshëm në Mitrovicë theksohet se stafi mjekësor ka qenë në gatishmëri të plotë për të përballuar fluksin e shtuar të pacientëve dhe për të ofruar shërbime të vazhdueshme shëndetësore për qytetarët. /Telegrafi/




















































