LAJMI I FUNDIT:

Në Prishtinë mbahet takimi vjetor i ministrave të Bujqësisë së Evropës Juglindore

Në Prishtinë mbahet takimi vjetor i ministrave të Bujqësisë së Evropës Juglindore

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural njofton se nesër në Prishtinë, Grupi Drejtues i Punës për Zhvillimin Rural Rajonal në Evropën Juglindore, do të mbajë takimin vjetor të punës së ministrave të Bujqësisë nga Evropa Juglindore, me ç’rast Kosovës do t’i dorëzohet edhe presidenca për udhëheqjen e këtij grupi për periudhën një vjeçare.

Takimi do të hapet nga ministrja në detyrë e Bujqësisë, Dijana Ziviq, ndërsa pjesëmarrës do të jenë ministrat e Bujqësisë të vendeve, si Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Hungaria, Bullgaria, Turqia, Bosnja e Hercegovina, Kroacia, Gjermania, zëvendësministra të tjerë të vendeve të rajonit, si dhe përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian, të ambasadave në Prishtinë, të FAO-së, GIZ-it dhe të organizatave të tjera donatore.


Temat kryesore që do të diskutohen në këtë takim do të jenë zhvillimet e ardhshme për sektorët e bujqësisë dhe zhvillimit rural në rajonin e Evropës juglindore dhe shqyrtimi i procesit të bashkëpunimit rajonal në fushën e caktuar. Rëndësia e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian për vende të Ballkanit Perëndimor, duke reflektuar dhe progresin e bujqësisë dhe zhvillimit rural do të adresohen gjithashtu gjatë Takimit të Ministrave në Prishtinë.

Grupi Drejtues i Punës për Zhvillim Rural Rajonal është një organizatë ndërqeveritare dhe ndërkombëtare, e cila është e lidhur me institucionet qeveritare për zhvillimin rural në shumë vende të Evropës Juglindore.

Synimi i saj është që të ofrojë bashkëpunim konstruktiv dhe të vazhdueshëm ndërmjet ministrive për Bujqësi, në kuadër të përgjegjësive të tyre drejt procesit integrues në Bashkimin Evropian. /Telegrafi/