Në pranverë, Prishtina e vjetër

Prishtina e kaloi një vjeshtë të zbehtë, ku i munguan rezultatet dhe u përball me probleme të natyrave të ndryshme. Mirëpo, Bardhekaltrit premtojnë se do të ndryshojnë në pranverë. Presidenti i klubit, Remzi Ejupi, tregon se kryeqytetasit do të bëjnë ndryshime në të gjitha aspektet, në mënyrë që të “çelin” në pranverë.
Sipas tij, prishtinasit do të kenë pamje krejt tjetër në pjesën e dytë të sezonit.
“Do të ketë ndryshime të mëdha në aspektin organizativ, në ekip, etj. Do t’i kthejmë lojtarët që i kemi huazuar, futbollistët prishtinas, por nuk do t’i lëmë anash as talentet e qyteteve tjera. Nuk ka dallim të madh në cilësi ndërmjet klubeve të Superligës, prandaj në pranverë mund të ngrihemi sa më lart në tabelë. Ky është edhe qëllimi ynë”, u shpreh Ejupi për “Zërin”.
Ai insiston se gjatë janarit, ku afati kalimtar është i shkurtër, nuk mund të bëhet ndonjë transfer i madh, por nënvizoi se prishtinasit do të lëvizin në këtë aspekt.
Ejupi pret që të jetë një kampionat i shëndoshë, “Fair-Play” dhe të përfundojë ashtu siç duhet të përfundojë, në mënyrë që të gjithë të përgatiten për sezonin e ri historik. Ai u bëri thirrje që djersën e lojtarëve të Prishtinës të mos e keqpërdorin të tjerët për interesa të të tjerëve.
“Edhe pse deri tani nuk kemi qenë të involvuar rreth lojtarëve, mendoj se ka ardhur koha dhe momenti si Bord të jemi më të angazhuar, të marrim më shumë përgjegjësi. Do ta bëjmë maksimumin. Trajnerët nuk duhet të fokusohen vetëm tek rezultatet, por t’ju japin hapësirë edhe talenteve”, vazhdoi ai.
Ejupi: S’duam tjetër veç respekt!
Ejupi, bashkë me anëtarët tjerë të klubit, kanë investuar shuma të mëdha të parave për ta mbajtur FC Prishtinën pas luftës. Ai kërkon nga të tjerët që të paktën ta respektojnë për atë që ka dhënë për klubin më të madh në vend, në prag të pranimit të futbollit kosovar në institucionet ndërkombëtare.
“Askush nuk do t’i gëzohej më shumë sesa unë daljes në Evropë në fund të këtij sezoni, edhe nëse nuk merr pjesë Prishtina. Ne jemi ata që vazhdimisht kontribuojmë, do të lehtësohemi nga kjo barrë. Shumë e duan Prishtinën, e kanë dashur e sidomos ata që kanë luajtur në Prishtinë kanë dhënë kontribute të ndryshme, por edhe shumë kontribute janë shpërblyer”, theksoi ai.
“Nuk kërkoj asnjëherë që të gjitha ato që i kemi bërë, milionat e shpenzuar, për ta mbajtur gjallë klubin, por edhe futbollin, që të na kompensohen. Nuk kërkoj asgjë më shumë sesa respekt, nuk pretendojmë të na kthejnë ato investime. Shumë njerëz e kanë plot gojën Prishtinë, por nga ajo edhe kanë përfituar, përfshirë këtu lojtarët, trajnerët etj. Ndihem krenar pasi i kemi mbajtur gjallë shumë familje kosovare, që janë mbajtur nga ky klub”, shpjegoi ai.
Sa i përket vonesës së rrogave, Ejupi theksoi se gazetarët në Kosovë në përgjithësi janë dembelë, pasi nuk shkojnë më larg sesa kryeqyteti dhe merren veç me Prishtinën.
Sipas tij, ka pasur ngecje në pagesat e qiraxhinjve të lokaleve përreth stadiumit, të cilat kanë bërë që të vonohen rrogat. Mirëpo, ai premton se ato do të jepen shumë shpejt.
“Kemi ngecur pak, por asnjë klub s’ka qenë më korrekt me lojtarët dhe trajnerët. Jemi i vetmi klub që i paguajmë lojtarët 12 muaj. Të gjitha mjetet që i kemi i shpenzojmë për rroga”, përfundoi ai. /Zëri/






















































