Në objektin e Komunës së Mitrovicës kamerat e sigurisë jashtë funksionit - ndahen deri në 20 mijë euro, pritet të rregullohen brenda vitit

Kamerat e sigurisë në objektin e Komunës së Mitrovicës aktualisht janë jashtë funksionit.
Këto kamera nuk janë funksionale që një kohë të gjatë, kështu është shprehur drejtori i Drejtorisë së Administratës në Komunën e Mitrovicës, Gëzim Stavileci, shkruan Telegrafi.
"Të gjitha kamerat e sigurisë në objektin e Komunës së Mitrovicës nuk funksionojnë, ato janë të vendosura që një kohë të gjatë. Unë si drejtor që kam ardhur në vitin 2021 kam gjetur që nuk funksionojnë kamerat", ka thënë Stavileci për Telegrafin.
Ai ka thënë se kanë tentuar së bashku me IT-në e komunës të rregullojnë këtë çështje, por nuk kanë mundur. Siç është shprehur drejtori, në vitet e kaluara kanë planifikuar të ndajnë shumën buxhetore por sipas tij, për shkak të borxheve që ka pasur komuna, përmbaruesit nuk e kanë lejuar vazhdimin e procedurave.
Stavileci është shprehur se këtë vit planifikojnë t'i hapin procedurat, derisa ka thënë tutje se brenda këtij viti shpreson që do të rregullohet ky problem.

"Këtë vit planifikojmë t'i hapim procedurat që t'i funksionalizojmë kamerat ekzistuese. Shuma është e buxhetuar, presim t'i hapim procedurat për tenderim. Besoj nëse vazhdon sipas ligjeve dhe afateve optimale, shpresoj që brenda këtij viti funksionalizohen kamerat e sigurisë në objektin e Komunës së Mitrovicës", ka shtuar ai.
Drejtori i kësaj drejtorie ka theksuar se buxheti i ndarë për funksionalizimin e kamerave ekzistuese është 15-20 mijë euro, ndërsa nëse duhet të vendosen kamera të reja kostoja e çmimit do të rritet përafërsisht për 10 mijë euro.

"Buxheti i ndarë për funksionalizimin e kamerave ekzistuese është 15-20 mijë euro. Nëse i vendosim kamerat e reja kostoja është më e madhe, aq sa kam kuptuar diferenca është 10 mijë euro. Këtë saktësisht e përcakton personi zyrtar i IT-së që e bën paramasën dhe parallogarinë", ka potencuar Stavileci.
Më tej, ai ka vijuar se kamerat në institucione publike do të ishte mirë të funksionin sepse në raste të caktuar do të kishin shërbyer shumë.

Stavileci ka deklaruar se e kanë kontratën e sigurimit të objekteve komunale, me anë të së cilës kompanitë në fjalë mbajnë përgjegjësi për situata të caktuara që mund të ndodhin.
"Por, njëkohësisht edhe kamerat duhet të funksionalizohen për t'u ndjerë më të sigurt punonjësit e komunës dhe qytetarët. Është e rëndësishme edhe ruajtja e privatësisë, para funksionalizimit të kamerave duhet të marrim pëlqim nga Agjencia për Privatësi", ka deklaruar mes të tjerash drejtori i kësaj drejtorie.
Ndërsa, qytetari Mehdi Beqiri këtë situatë e ka cilësuar si shqetësuese, raporton Telegrafi.
"Kjo situatë është shqetësuese sepse kamerat kryejnë një funksion", ka thënë Beqiri.

Qytetari është shprehur se në rast se do të ndodhte ndonjë vjedhje, vrasje ose diqka tjetër në afërsi të objektit të komunës, me anë të kamerave do të ishte më i lehtë identifikimi i rrethanave dhe rrjedhjës së ngjarjes.
Telegrafi ka dërguar pyetje edhe në Policinë e Kosovës për të kuptuar nëse ka ndodhur ndonjë situatë kur kamerat e sigurisë vazhdojnë të jenë jashtë funksionit, por të njëjtit deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje. /Telegrafi/




















































