Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur Aktgjykim dënues në çështjen penale ndaj të akuzuarës N.M., për shkak të veprës penale Vrasje e Rëndë.

Sipas njoftimit për media bëhet e ditur se e akuzuara N.M., është shpallë fajtore dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 20 vitesh, pasi ka kryer veprën penale Vrasje e Rëndë.


Tutje në njoftim thuhet se në dënimin e shqiptuar me burgim, të akuzuarës i llogaritet edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit, ndërsa me aktvendim të veçantë i është vazhduar masa e paraburgimit, deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar në këtë aktgjykim.

“Me datë 20.08.2024, rreth orës 19:00, në rrugën ‘Ismet Krasniqi’, në Prishtinë, saktësisht në korridorin e përbashkët të shtëpive të tyre, e akuzuara N.M., në mënyrë dinake dhe për motive të ulëta xhelozie me dashje e kishte privuar nga jeta tani të ndjerin kunatin e saj, Xh. M., ku e akuzuara pasi ishte ndier e pa respektuar dhe e braktisur nga familjarët e saj duke menduar që i ndjeri kishte ndikim në këto rrethana, fillimisht ishte përgatitur për të kryer këtë vepër penale, e cila kishte përfunduar kursin mbi aftësimin për përdorimin e armëve të shkurtra, po ashtu kishte blerë armë zjarri dhe municion dhe kishte shfrytëzuar rastin derisa anëtarët e tjerë të familjes nuk ishin prezent. Në momentin që e kishte parë të ndjerin Xh.M., duke kaluar në korridorin e shtëpisë për të shkuar në oborrin e përbashkët, kishte dalur në korridor një vend dhe kohë kur i ndjeri nuk e priste, në mënyrë dinake e akuzuara kishte shtënë në drejtim tani të ndjerit disa herë, duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit dhe si pasojë e plagëve të marra i ndjeri Xh.M. kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se Gjykata ka urdhëruar konfiskimin e përhershëm të armës së zjarrit si mjet i kryerjes së veprës penale dhe është detyruar Policia e Kosovës që pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, të bëjë asgjësimin e armës.

“E akuzuara detyrohet që në emër të shpenzimeve të procedurës penale - paushallit gjyqësor, të paguajë shumën 200 euro dhe në emër të taksës për Fondin e Kompensimin e Viktimave të Krimit, shumën prej 50 euro, e gjitha këto në afatin prej 15 ditëve, nga dita kur aktgjykimi të merr formën e prerë. E dëmtuara S.M., për realizimin e kërkesës pasurore - juridike, udhëzohet në kontest të rregullt civil”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Telegrafi/