Vjena është qyteti i parë në Austri, që prezantoi mundësinë e kthimit djathtas në dritat e kuqe të semaforit për çiklistët në 10 lokacione gjatë vjeshtës së kaluar.

Autoritetet e qytetit së shpejti planifikojnë ta zgjerojnë këtë lehtësi në 150 lokacione tjera, transmeton Telegrafi.


Kryeqyteti austriak inkurajon vazhdimisht zhvillimin e çiklizmit. Nga njëra anë zgjerimi intensiv i shtigjeve për biçikleta, në të cilat u investuan 26 milionë euro vitin e kaluar dhe nga ana tjetër përmirësime në trafikun e përditshëm, si mundësia e kthimit djathtas në semaforët e kuq.

Megjithatë, jo në kurriz të sigurisë së të gjithë përdoruesve të rrugës. Prandaj janë kontrolluar me kujdes të gjitha lokacionet ku është futur kjo mundësi, përgjegjësi e cila është e shërbimit të qytetit për organizimin dhe çështjet teknike të trafikut MA 46.

2 29

Ky shërbim kontrolloi një sërë vendndodhjesh të sugjeruara nga qarqet dhe banorët si të përshtatshme. Nga muaji prill, në semaforët e atyre 150 lokacioneve do të vendosen shenjat përkatëse të komunikacionit.

“Kthimi në semafor në të kuqe për çiklistët jo vetëm që shkurton kohën e pritjes, por edhe e bën biçikletën si një mënyrë transporti edhe më tërheqës”, thotë Martin Blum, oficeri i trafikut të biçikletave të qytetit.

Çiklistët mund të kthehen djathtas në një semafor të kuq nëse ka një shenjë trafiku me një shigjetë gjelbër. Në të ashtuquajturat kryqëzime është gjithashtu e mundur të vazhdohet drejt nëse ka një shenjë përkatëse me një shigjetë të gjelbër.

Një parakusht është që çiklistët të ndalojnë dhe të kontrollojnë nëse kthimi ose vazhdimi drejt është i mundur pa rrezik, veçanërisht për këmbësorët. /Telegrafi/