LAJMI I FUNDIT:

Ndryshimi ndërmjet vajzave që kam dashur dhe gruas që do martohem

Ndryshimi ndërmjet vajzave që kam dashur dhe gruas që do martohem

Dua ta nis me një pohim: Nuk e di me sa vajza kam dalë, kam fjetur, kam pirë kafe dhe kam rënë në dashuri...

Nuk besoj që ka ndonjë problem të eksplorosh seksualitetin dhe aftësinë për të dashur, por mund të ndodhë që humb qëllimin për të vazhduar në të njëjtën rrugë. I thua vetes që çdo vajzë është e rrallë, por e di që ky është një mashtrim. Nëse të gjitha do ishin të veçanta, askush nuk do ishte e veçantë.

Më parë kur pyesja veten nëse dashuria më e madhe e jetës sime ishte apo jo dashuria më e madhe që mund të gjeja, më kujtohet që kisha nevojë për kohë për të eksploruar. Kisha nevojë për kohë, për seks, për festa, për ta lëshuar veten dhe për të jetuar. Për të tymosur një cigare në shtrat dhe gjëra të tjera si këto.

Dhe kështu kam bërë. Dilja në takime, bëja seks, shkoja në festa dhe e nesërmja nuk ekzistonte. A pendohem tani? Ndonjëherë. Nuk më vjen keq për kohën kur kam takuar dhe kam njohur gjithë këto femra, disa më mirë sesa të tjerat, por më vjen keq që mendoja që kisha nevojë për diçka për të cilën nuk kisha nevojë.


Unë sigurisht i doja të gjitha këto në atë kohë. I doja të gjitha aq shumë sa i dhashë fund një marrëdhënieje të shkëlqyer. Përqafova një stil jete rinor, pa mendime, plot testosteron, jetën e një djali 20 e ca vjeçar në qytetin e mëkatit: Manhattan. Qyteti më trajtoi shumë mirë. Kishte modele. Balerina. Striptiste. Studente. Jeta ishte e bukur, ishte fantastike. Deri, sigurisht, kur u zgjova.

Për disa meshkuj, seksi mjafton. Jo për të gjithë, por për shumë. Ndoshta për shumicën.

Shumica e djemve nuk kërkojnë më shumë sepse nuk e kuptojnë që kanë nevojë për më shumë, por me kohën, të gjithë dalin në të njëjtin përfundim (them “të gjithë”, por e vërteta duhet thënë, disa nga ne ngelen budallenj gjithë jetën): Ndërsa kënaqësia seksuale është shumë e rëndësishme, shumicën e kohës ne e marrim duke u masturbuar.

Para se të pohosh që në një marrëdhënie nuk është vetëm seksi, duhet të kuptosh që unë jam dakord me ty. E kam ditur gjithmonë këtë. Kam qenë romantik që në kopsht, kur humba mendjen pas vajzës që mësoi të lexonte para meje.

Kam qenë gjithmonë në kërkim të dashurisë së jetës, por kjo nuk e ndryshonte faktin që ndihesha sikur nuk kisha përvojë mjaftueshëm që ta mbaja marrëdhënien gjallë. Mendoja që duhet të kishte diçka më shumë atje jashtë. Mendoja që bari mund të ishte më i gjelbër në ndonjë vend tjetër, doja të kërkoja për ato fusha të smeraldta.

Nuk isha i fiksuar pas seksit, por nuk isha i zgjuar aq sa duhet, që të kuptoja çfarë kisha, ose më mirë çfarë do kisha pasur mundësi të kisha.

Isha kaq afër. Kaq shumë afër mundësisë për një raport të përkryer. Por nuk ishte i duhuri. Ne, nuk ishim të duhurit. Jo që nuk ishim të duhurit për njëri- tjetrin, por thjesht nuk ishim njerëzit e duhur, nuk ishim bërë ende njerëzit që kishim nevojë të ishim.

Ne na mungonte diçka. Ne nuk ishim gati për atë që kishim gjetur te njëri-tjetri. Dhe nuk e kisha fajin vetëm unë. Ishte edhe faji i saj.

Historia ime e dashurisë nuk ishte unike. Gjysma juaj mund të ketë pasur një të ngjashme. Dashuria ime nuk ishte e veçantë. Ama ishte e madhe. Ishte e mrekullueshme. Peshonte tonelata, por nuk ishte e veçantë.

Ishte një përvojë që më mësoi shumë. Dhjetëvjeçari i fundit i jetës sime ka qenë një mësim i gjatë. Dhe ajo që kam mësuar është e vetmja gjë që kemi nevojë të kuptojmë: në fund, ka vetëm një ndryshim mes femrave që ke njohur dhe asaj që do të martohesh.

Nuk është kimia. Nuk është tërheqja fizike. Nuk është diploma apo punët, sjelljet me njerëzit apo çfarë besoni. Dhe kjo është qesharake, sepse shumica e njerëzve i quan këtë thelbësore në një marrëdhënie. Po, ka rëndësi çfarë lloj njeriu është partnerja, por vetëm për shkëndijën e fillimit. Tipi ju ndihmon të bini në dashuri me njëri-tjetrin, por nuk ndikon në jetëgjatësinë e marrëdhënies.

Pra, çfarë kërkoj te gruaja që do martohem? Po kërkoj dikë që është natyralisht dhe sinqerisht mendjehapur. Po kërkoj dikë që mund ta ndajë veten nga besimet e saj dhe t’i shohë gjërat objektivisht. E kuptoj që kjo mund t’ju duket e pavlerë, por e keni gabim. Është gjithçka.

Problemi me njerëzit është që ne të gjithë mendojmë që ajo që ne besojmë është e drejtë, por njerëzit gabohen gjithë kohën. Shumica e besimeve janë opinione. Janë teori. Janë mendime që ti as nuk i kupton plotësisht, por i shet si të vërteta.

Kjo mund të mos jetë problem kur je vetëm, por kur je në një marrëdhënie është ndryshe. Nuk je më “thjesht ti”. Tani je pjesë e një grupi. Dhe si në të gjitha grupet, opinionet do të ndryshojnë. Diskutime do ketë. Nervat do ngrihen. Përplasje do ndodhin dhe ti do thuash gjëra që nuk duhet t’i thoshe. Dhe gruaja ime duhet të jetë mendjehapur përballë këtyre të vërtetash.

Ajo që po kërkoj te një grua është dituria. Ajo duhet të ketë urtësinë për të ditur që ato ku ne besojmë nuk janë fundi i historisë. Duhet të ketë urtësinë për të ditur që marrëdhëniet ndërtohen, nuk gjenden. Ajo duhet të jetë aq e zgjuar sa të mos e shohë botën të bardhë ose të zezë, por me nuancat e grisë.

Kur gjen një grua që mund të ndihmojë ta shohësh botën si një realitet të pasigurt, të ndryshueshëm, jo uniform, siç është, ke gjetur një mundësi të vërtetë që marrëdhënia të funksionojë. Ke gjetur dikë të zgjuar dhe fleksibil që do e bëjë historinë të rritet.

Për Elite Daily