LAJMI I FUNDIT:

“Ndre Mjedja” i Sabri Hamitit, ose pasioni i leximit!

“Ndre Mjedja” i Sabri Hamitit, ose pasioni i leximit!

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë zhvilloi të martën, më 13 dhjetor, aktivitetin kremtues në 150-vjetorin e lindjes së poetit të shquar Ndre Mjedja. Në këtë aktivitet në të cilin morën pjesë akademikë e studiues të shquar, pedagogë e studentë, i ftuar i nderit ishte akademiku Sabri Hamiti. Libri “Ndre Mjedja” i akademik Hamitit, botuar në Prishtinë ditët e fundit, u promovua në këtë aktivitet. Për librin “Ndre Mjedja” foli drejtoresha e BKSH-së dhe studiuesja e letërsisë, Persida Asllani. Fjalimin e saj mund ta lexoni të plotë më poshtë.

Në hapësirën tonë kulturore mbarëkombëtare Ndre Mjedja është poeti i domosdoshëm. Përmes krijimeve të tij, të datuara rreth 130 vjet më parë, përmes vetëdijes emblematike të krijuesit të së përsosurës, që nuk e braktisi deri ditën që la këtë botë, letërsia shqipe përftoi shenjimin e një pragu të ri kulturor e estetik. I pa vënë re aspak, ose prej fare pak, pragu i tij i shenjuar pa bujë, rrugëtoi në mjegullën kulturore shqiptare, për të mbërritur tashmë në 150-vjetorin e lindjes së poetit si një sprovë e madhe e vetëdijes sonë për Të e sidomos për vetveten. Sepse leximi estetik nis te vetja për të mbërritur shpesh te të tjerët e sërisht te vetvetja. Mes “habisë së leximit të parë” dhe “frymëzimit të leximit të ri” shtrihet ndjeshmëria, shija, dija, përvoja dhe vetëdija e atij që e lexon dhe interpreton, bujarisht nga vetvetja, jo vetëm për veten.


Është pikërisht kjo fisnikëri e shkrimit që shqiptohet për Mjedjen dhe për ne në shkrimet e botimit të ri “Ndre Mjedja” të akademik Sabri Hamitit (shtëpia botuese “Faik Konica”, Prishtinë, 2016), i cili pasionin e gjatë të jetës së vet, njëkohësisht prej lexuesi e studiuesi shembullor, e përmbledh si një udhëtim në leximet personale të veprës së poetit. Nga leximi më i hershëm e intim i “Vajit të bylbylit” më 1982 e deri te shqyrtimet më të fundit të Mjedjes si “liriku klasik” dhe “poeti ëndërrues” më 2016-n, autori shpërfaq mrekullinë e leximit por edhe sfidën e përhershme të rileximit dhe interpretimit.

Në pesë leximet përbërëse të librit, Ndre Mjedja i Sabri Hamitit vjen si kujtesë e hershme dhe si zbulim i ri: ai është poeti që i flet vetvetes në kohën e vetmisë, që kërkon kuptimin e thellë të jetës e të vdekjes përtej teologjisë dhe dijes, që heton stinët e jetës dhe gjuhën e natyrës si ligjërim universal, që ndërton një arkeologji të gjenezës kombëtare, por edhe konceptin strukturor të Lirisë, lidhjen e saj me jetën dhe dinjitetin, me mendjen e me shpirtin, me qenien dhe kombin; është poeti që figuron ikonat poetike të nënës si burim jete e qenësie, i Skënderbeut si kujtesë ideale, i Shqypes arbnore e shqyptarisë; poeti i së përjetshmes ilirike të Lissus e Scodra, poeti personal e kombëtar par excellence, i muzikalitetit absolut, i tingëllimës së përsosur, i limimit formal të skajshëm por dhe i thelbeve të fuqishme konceptuale, i përkorjes në kumt e në trajtë, thuajse i pashoq në shekullin e vet.

Njëherësh lexim e shqyrtim kritik i lirikës mjedjane, si sprovë sa e tekstit aq edhe e studiuesit, përmbledhja përbën njëkohësisht një hetim të vetë potencialit të metodës shqyrtuese karshi shkrimit dhe letërsisë, e sidomos karshi Lirikës. Prandaj një ecje krah për krah tekstit dhe me tekstin lejon të hetosh pa shformuar, të zbulosh pa lakuriquar, të kumtosh pa ngurtësuar, të ruash mistiken e krijimit dhe të mbrosh mrekullinë e leximit, të krijosh e të shkruash edhe vetë krahas autorit të zemrës e të mendjes.

Për autorin Sabri Hamiti, Ndre Mjedja është autori i zemrës dhe i mendjes, në çdo fjali e paragraf të kësaj vepre. Prej kësaj metodologjie leximi autori ia del të ridëgjohet kënga e vajshme e bylbylit mjedjan edhe si dilemë (intime) e poetit të ri: të mbetet a të kthehet, të hidhet në jetën e gjallë a të abstenojë, me një zjarrmi krijuese që e prodhon këtë tekst poetik; por edhe si kob i përsosun i së bukurës estetike në jetën e vetë poetit, por edhe si pyetësim i vetmisë, si manifestim i boshësisë e mungesës, por edhe ballafaqimit filozofik mes vetvetes e figurës, mes shpresës dhe qëndresës individuale.

Përmes kësaj qasjeje që heton duke dashuruar artin sipëror të lirikës, autori fton edhe që poema Andrra e jetës të lexohet me ndjeshmërinë e vëmendjen e duhur qysh prej titullit, sepse “aty është filozofia e veprës, gjithë pikënisja dhe përfundimi i autorit, filozofia e tij e jetës”; ashtu siç fton të lexohet filozofia jetësore e saj si apoteozë të jetës autentike të Vendlindjes, e formës së saj më autentike, Familjes; një ftesë për të lexuar “një ëndërr dhe dy flijime” nën vargun e përsosur të një poeti të aftë të shmangë tragjiken e sforcuar në zemër të tragjicitetit, duke na mësuar “shkollën e madhe të dhembjes jetësore të përhershme. Ky është programi i poetit – shkruan Sabri Hamiti – mendimtar i rëndë, ndërmjet thënies së tekstit ëndërr e jetës dhe përshkrim i vdekjes”.

Është po ky lexim i hollë e i sprovuar në pragjet e tekstit që i jep mundësinë autorit të gjurmojë e mandej pohojë rezonimin e gjerë mes dy poetikave më komplekse të pjekurisë së lirikës shqipe: pikërisht në veprën e poetëve që ditën të tematizojnë në poezinë e tyre “jetën e vdekjen, si dy pika universale të temave të lirikës”. Mjedja e Poradeci, janë lirikët e cikleve të mëdha të jetës, konceptuar si “pamje të natyrës e të kulturës, të fizikës e të metafizikës, […] dhe të përjetimit intim”.

Falë kuptimit të thellë të proceseve kulturëformuese, atyre letrare e historike, por edhe hetimit të përhershëm të origjinalitetit të veprës, Sabri Hamiti zhvillon në një prej pjesëve më të rëndësishme të përmbledhjes së tij “Ndre Mjedja” rrugëtimin e poetit nëpër poetikën komplekse të klasikes kombëtare për të mbërritur të klasikja e tij moderne. “Liriku Klasik” – Ndre Mjedja poeti i veprës së strukturës letrare e botëkuptimore të lidhur në një njësi të vetme; poeti i “vetjes” si person e krijues në përftimin e vlerës estetike, në njësinë e thënies, në unin singluar e të papërsëritshëm; poeti i shprehjes së përqendruar deri në përsosje; poeti i së përjetshmes kombëtare; Ndre Mjedja, një Uliks klasik, “udhëtari i madh fizik e metafizik, në hapësira e në kohë”.

Dhe teksa flasim për uniken në veprën e Mjedjes, e pashmangshme mbetet edhe unikja e “personales së përjetshme”, e secilit prej lexuesve të tij. I vetëdijshëm për personalen e vet, lexuesi i pasionuar i Mjedjes, Sabri Hamiti, poet e studiues, krijues e kritik ai vetë në letrat shqipe, na kujton se leximi i letërsisë e ligjërimi për të, “sado që kalon nëpër konventa të dijeve, përfundon në lexim personal, si triumf i un-it”. E pikërisht falë edhe këtij “triumfi të unit” mbërrihet veçanërisht te Lirika si triumfi sipëror i unit. Mbërrihet sërish te krijimi i Mjedjes, te leximi-krijim i Hamitit, te leximet tona në këtë 150-vjetor të lindjes së Poetit, që të le ende pa frymë (kjo është personalja ime!) përmes mrekullisë estetike të krijimit dhe artit të leximit.