Vendimi Donald Trump për të vendosur dogana ndaj pothuajse të gjitha vendeve të botës ka pasur pasoja të shumta për Amerikën dhe për të si president, dhe më e fundit në vargun e këtyre pasojave është fakti që po e kritikojnë publikisht edhe "influencer" (ndikues) të djathtë, me ndihmën e të cilëve ai kishte fituar zgjedhjet.

Siç shkruan AP News, influencues që më parë ishin shprehur hapur se do të votonin për 78-vjeçarin, si dhe disa që e kishin ftuar në platformat e tyre, tani po hezitojnë, dhe arsyeja kryesore janë pikërisht doganat që ka vendosur.


Më i rëndësishmi mes tyre është pa dyshim Joe Rogan, drejtuesi i podcastit “Joe Rogan Experience”, podcasti më i dëgjuar në botë, shkruan abcnews.

Rogan e ka ftuar disa herë Trumpin dhe bashkëpunëtorin e ngushtë Elon Musk, dhe madje ka deklaruar se do të votonte për të në zgjedhje, por vendimi për doganat ka bërë që Rogan ta kritikojë publikisht gjatë podcastit të tij.

Përveç doganave, Rogan ka kritikuar Trumpin edhe për deportimet masive, të cilat i ka quajtur “çnjerëzore”.

Ndër zërat më me ndikim që e kanë kritikuar fort Trumpin është edhe Ben Shapiro, influencues konservator me miliona ndjekës dhe një nga pronarët e shtëpisë mediatike me ndikim Daily Wire.

Shapiro e kishte mbështetur Trumpin deri në momentin kur u shpallën doganat. Ngjarjen gjatë së cilës Trump prezantoi detajet e këtij vendimi, Shapiro e quajti “prezantimi më i keq i mundshëm”, ndërsa pretendimet se Amerika do të pasurohej përmes këtij vendimi i cilësoi si “të pasakta”.

Trumpin për shkak të doganave e ka braktisur edhe Dave Portnoy, pronar i kompanisë Barstool dhe influencues me miliona ndjekës. Ai e kishte kritikuar hapur ekipin e Trumpit edhe pas një skandali me mesazhe në aplikacionin Signal, dhe tani ka kritikuar edhe vetë presidentin amerikan.

Portnoy ka bërë të ditur se për shkak të rënies së bursave ka humbur deri në 20 milionë dollarë në aksione dhe kriptovaluta, që sipas vlerësimeve të AP-së përbëjnë rreth 15 për qind të pasurisë së tij.

Megjithatë, Portnoy e ka përmbyllur kritiken duke thënë se ende mendon që Trump është “një njeri i zgjuar” dhe se “do të gjejë një rrugëdalje nga kjo situatë”. /Telegrafi/