Arben Qirezi
Fitorja e Trumpit dhe aleancat e tij jokonvencionale, siç është ajo me Elon Muskun, tregojnë se shumë gjëra në politikë po ndryshojnë dhe se ndoshta do të ndryshojnë përgjithmonë mënyrën se si bëhet politika. Kombinimi i politikanëve dhe i biznesmenëve jokonvencionalë me mjetet e reja të ndikimit, siç janë fuqia e pakufishme ekonomike dhe rrjetet sociale, mund të jenë epiqendra e ndikimit politik global në të ardhmen
Pas bastit të suksesshëm, të cilin Elon Musk e vuri te presidenti i sapobetuar i ShBA-së, Donald Trump, me 250 milionë dollarë të investuar dhe me mbështetje të pakursyer për kandidatin republikan gjatë fushatës zgjedhore për president të vendit më të fuqishëm në botë, multimiliarderi amerikan me prejardhje jugafrikane filloi që aktivisht, përmes rrjetit të tij social X (më parë Twitter), të lobojë në favor të së djathtës së skajshme në kontinentin evropian dhe të angazhohet për jetësimin e disa prej synimeve të politikës së jashtme, të deklaruara nga presidenti i ri amerikan.
Si njeriu më i pasur në botë dhe pronari i njërit prej rrjeteve më të mëdha sociale globalisht, më të preferuarit të udhëheqësve botërorë për të bërë deklarime politike, Musku është duke e përdorur ndikimin e tij global për të përcaktuar rrjedhat politike edhe në kontinentin e vjetër, e gjetiu.
Aktivizmi politik në favor të presidentit amerikan ia siguroi Muskut udhëheqjen e një departamenti të ri, të cilin Trumpi e formoi enkas për ta shpërblyer ndihmën e tij gjatë fushatës zgjedhore: Departamentin e efikasitetit qeveritar. Mirëpo, përderisa është e zakonshme që figurat publike në ShBA të përcaktohen në favor të kandidatëve për president gjatë fushatave zgjedhore, aktivizmi i tij në politikën e jashtme, përmes rrjetit të fuqishëm social X, shihet si problematik, në rend të parë nga forcat tradicionale politike, për shkak se ky aktivizëm po prek themelet e rendit politik në shumë vende të botës, e para se gjithash në vendet e Bashkimit Evropian.
Çështja është se në emër të kujt flet Elon Musku? A është aktivizmi i tij prej trazuesi politik personal, apo bëhet me bekimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për të trazuar ujërat në vende të ndryshme të botës? A është Elon Musku një loose cannon (top i zgjidhur) me agjendë personale politike apo është pjesë e një agjende më të gjerë që ka për synim ndërrimin e rendit botëror?
Të gjitha këto pyetje nuk kanë përgjigje definitive dhe për këtë vetëm mund të spekulohet.
Megjithëkëtë, Musku mund të konsiderohet aleat i afërt i Trumpit, ani se në mediet ndërkombëtare është raportuar që afërsia e tij me Trumpin është disi e imponueshme dhe po shkakton bezdi te presidenti i sapobetuar amerikan. Sidoqoftë, Musku mori pjesë në ceremoninë e betimit të presidentit Trump si njëri nga mysafirët e nderit, përskaj pronarit të Amazon-it, Jeff Bezos dhe atij të Meta-s (Facebook, Instagram dhe Whatsapp), Mark Zuckerberg. Me këtë rast, Musku nuk e lëshoi rastin të bëjë edhe një deklarim politik kontradiktor, duke e ngritur dorën në shenjë të salutimit që u konsiderua nga shumë komentatorë si fashist.
Ndërhyrjet e Elon Muskut në vende të ndryshme të botës janë të shumta. Aktivizmi i tij politik ndërkombëtar shënjestroi vende si Kanadaja, Australia, Argjentina, Danimarka (Grenlanda), Britania e Madhe, Ukraina, Gjermania, Irlanda, Brazili, Rumania e shumë tjera. Mirëpo, janë të paktën dy momente kur ai, me aktivizmin e tij politik, qe në sinkron me synimet e deklaruara të presidentit Trump. Në nëntor të 2024-s, Musku e parashikoi rënien e ish-kryeministrit kanadez, Justin Trudeau, në kontekstin e deklarimeve të Trumpit që Kanadaja të bëhet shteti i 51-të amerikan. Pasi Trudeau, i dorëhequr në janar të këtij viti, e kundërshtoi Trumpin lidhur me këtë kërkesë të tij, duke thënë se nuk ka shans që Kanadaja të bëhet shtet amerikan, Musk e quajti atë “vashë” që më nuk ishte “guvernatore” e Kanadasë dhe rrjedhimisht nuk kishte ndikim politik, duke aluduar se Kanadaja nuk ishte tjetër veçse shtet amerikan.
Musku po njashtu ndërhyri edhe në çështjen e Grenlandës, duke e sinkronizuar aktivizmin e tij politik me synimet e Trumpit për ta blerë Grenlandën. Pas deklarimit të kryeministres së Danimarkës, Mette Frederiksen, me rastin e vizitës së të birit të presidentit Trump, Donald Junior, se Grenlanda u takon grenlandezëve dhe se nuk është në shitje, Musk shkroi në X se “nëse populli i Grenlandës dëshiron të jetë pjesë e Amerikës, e që shpresoj se do të jetë, ata janë më shumë se të mirëseardhur”, duke u vënë kështu në ballë të polemikave lidhur me atë se e kujt duhet të jetë Grenlanda.
Ndërhyrjet e tjera të rëndësishme politike të Elon Muskut ndërlidhen me vendet evropiane dhe atë e vënë në një pozicion lidershipi global të së djathtës së skajshme. Ai, për shembull, i sulmoi në disa raste kryeministrin britanik, Keir Starmer, dhe ministrat e qeverisë së tij, duke thënë se Britania është “në prag të luftës civile”, dhe se është shndërruar në një vend stalinist, dhe aludoi në masat e sigurisë të ndërmarra me rastin e protestave të së djathtës së skajshme në Britani. Ai madje sugjeroi që lideri i partisë djathtiste “Reform UK”, Nigel Farage, të zëvendësohet për shkak se nuk e mbështeste sa duhet agjituesin e burgosur të së djathtës së skajshme, Tommy Robinson. Musku e kritikoi ish-ministrin e parë skocez, Humza Yousaf, politikanin më me ndikim mysliman në Britani, duke e quajtur super-racist dhe urrejtës të të bardhëve.
Duke i shpërfaqur pikëpamjet e tij të djathta kundër emigracionit, Musk po ashtu lëvdoi protestën kundër emigrantëve që u mbajt në Dublin, duke thënë se populli i Irlandës është ngritur për veten.
Në vazhdën e mbështetjes së të djathtës së skajshme në Evropë janë edhe deklarimet e hapura të Muskut në favor të AfD-së (Alternativa për Gjermaninë), një parti e së djathtës së skajshme që shihet si përfaqësuese e ideologjisë neonaziste. Në një rast, ai tha se e vetmja shpresë për Gjermaninë është AfD-ja dhe e ftoi në intervistë lideren e saj, Alice Weidel, duke e rritur kësisoj praninë mediatike globale të AfD-së. Madje, ekziston një drojë se platforma X mund të bëjë makinacione me algoritme, në mënyrë që të shtojë edhe më tej praninë publike të AfD-së dhe të zvogëlojë praninë e partive rivale. Këto ndërhyrje të Muskut në zgjedhjet e Gjermanisë u panë me shqetësim nga kancelari Olaf Scholtz, i cili pati disa shkëmbime publike, jo fort të këndshme me Muskun, që nuk heziton të përdorë shprehje fyese ndaj atyre që e kundërshtojnë.
Se aktivizmi politik i Muskut në favor të së djathtës së skajshme është duke i brengosur liderët kryesorë evropianë, shihet edhe nga reagimet e niveleve më të larta të vendeve evropiane.
Reagime pati nga ana e presidentit francez, Emmanuel Macron, kryeministrit britanik, Keir Starmer, e kryeministrit norvegjez, Jonas Gahr Store. Në reagimin e tij, Macroni e shprehu shqetësimin për mbështetjen që Musku ua jep “lëvizjeve reaksionare” dhe për ndërhyrjet e tij në zgjedhjet në Gjermani. Kryeministri norvegjez shprehu “shqetësimin” se si “një njeri me qasje aq të madhe në media sociale dhe me burime enorme ekonomike ndërhyn në mënyrë aq direkte në punët e brendshme të shteteve të tjera”, ndërsa shtoi se “gjërat nuk bën të jenë kështu mes demokracive dhe aleatëve”, duke aluduar në lidhjet e afërta të Muskut me Trumpin. Musku hyri në “luftë” edhe me Komisionin Evropian, duke e quajtur “jodemokratik”.
Aktivizmi politik i Elon Muskut duhet të shihet në ndërlidhje me peshën e madhe ekonomike, me kapitalin social, të cilin ai e posedon si njeriu më i pasur në botë dhe pronari i rrjetit social më me ndikim në politikë dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, si dhe me kapitalin politik të cilin ai e krijoi si mbështetës kyç i fushatës së Presidentit Trump. Aktivizmi i Muskut tregon për ndikimin që akterët joshtetërorë mund të kenë në politikën e brendshme dhe atë globale, nëse për asgjë tjetër, atëherë të paktën për të krijuar rrëmujë dhe për t’i trazuar e turbulluar ujërat politike. Reagimet e liderëve evropianë ndaj aktivizmit të Muskut tregojnë se sa serioze mund të jenë pasojat e këtij aktivizmi. Mungesa e ndonjë reagimi nga Trumpi për aktivizmin politik të njërit prej aleatëve të tij kyç është po ashtu indikative.
Se a do të jetësohet projekti i Muskut për fitoren e AfD-së në Gjermani, mbetet të shihet. Një sukses eventual i kësaj partie në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që do të mbahen muajin e ardhshëm, do të rrisë ndikimin e tij ngase investimi i Muskut në këtë fitore të së djathtës së skajshme e bën atë të jetë përfaqësues global i kësaj lëvizjeje, e cila kohët e fundit ka marrë krah në kontinentin evropian. Fitorja e Trumpit dhe aleancat e tij jokonvencionale, siç është ajo me Muskun, tregojnë se shumë gjëra në politikë po ndryshojnë dhe se ndoshta do të ndryshojnë përgjithmonë mënyrën se si bëhet politika. Kombinimi i politikanëve dhe i biznesmenëve jokonvencionalë me mjetet e reja të ndikimit, siç janë fuqia e pakufishme ekonomike dhe rrjetet sociale, mund të jenë epiqendra e ndikimit politik global në të ardhmen.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Kalon gati në përplasje fizike - Gerta Gixhari kap për flokësh Valbona Mhillin

Dodik kërcënon prokurorët dhe EUFOR-in

Rubio rrit presionin ndaj Putinit për të pranuar armëpushimin - zbulon lëshimet territoriale të diskutuara me Ukrainën

Egla Ceno rikthehet në Big Brother VIP, puth në buzë Laert Vasilin

Kica-Xhelili i reagon Çekut: Qëndrimet e LDK-së janë "sport i rëndë" për ju – bëjeni Qeverinë nëse jeni fitues të zgjedhjeve

Prokuroria e Bosnje e Hercegovinës lëshoi urdhër për ndalim, Dodik feston ditëlindjen – pallati i Republika Sërpska ruhet nga policët me armë të gjata

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
Më të lexuarat

Rizarta akuzon produksionin në transmetim direkt se kanë publikuar bisedën e saj pa autorizim: Mendoja se po flisja me psikologen, nuk e dija që do jepej ky klip

Zëvendëspresidenti amerikan i përgjigjet kritikave të ashpra të kushëririt që luftoi në krah të ukrainasve

Në Pejë do të ndërtohet fabrika e parë për prodhimin e municioneve, me mbështetje amerikane

Tifozët nuk mund ta besojnë atë që ndodhi menjëherë pas super golit që shënoi Lamine Yamal për Barcelonën

Si e sheh botën zëvendëspresidenti amerikan - dhe pse kjo ka rëndësi

I dyshuari për vrasjen e vëllezërve Bytyqi, në mesin e personave nga ish-njësiti famëkeq, në mbrojtje të Vuçiqit nga studentët