LAJMI I FUNDIT:

Ndikimi i koronavirusit në ekonominë globale

Ndikimi i koronavirusit në ekonominë globale
Ilustrim

Muaj më parë, pakkush kishte dëgjuar për koronavirusin që sot po i ndryshon jetët e njerëzve në mbarë globin. Shtetet janë duke u munduar t’i përgjigjen krizës ekonomike duke analizuar ndikimin (negativ) në ekonomi të COVID-19-shit. Shkalla e dëmit varet se sa zgjat virusi, si dhe nga shpejtësia e reagimit të autoriteteve për ta përmirësuar gjendjen (mbështetja ekonomike e qeverive, tash e më vonë).

Nëse bazohemi te parashikimet që kanë bërë ekspertët për ekonominë kineze, del se gjendja ekonomike është më e keqe sesa parashikohej fillimisht. Sektori i prodhimit, eksporti dhe shërbimet e Kinës patën rënie në muajt janar-shkurt, gjë që konfirmoi një ngadalësim të aktivitetit ekonomik. Analistët kanë rishikuar edhe vlerësimet e rritjes ekonomike në Kinë dhe kuptohet që ka rënie të PBB-së gjatë tremujorit të parë. Por, duke pasë parasysh që COVID-19 është përhapur në të gjithë globin, rimëkëmbja e ekonomisë së Kinës do të sfidohet edhe më shumë, sepse kërkesa po bie nga vendet e tjera. Pasqyrimi i njëjtë vlen edhe për ekonominë e shteteve tjera.


Këto ditë pranverore, Kina duket më e qetë nga sulmet e virusit, sepse gjendja më e rëndë është në Evropë, në Korenë e Jugut, në Iran, në Shtetet e Bashkuara e në Japoni. Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) ka bërë vlerësimet e ndikimit ekonomik të pandemisë, në përmasa globale, duke bërë ndryshime nga parashikimet fillestare: COVID-19 do të ulë rritjen globale të PBB-së nga 2.9 në 2.4 për qind, kurse Bloomberg Economyics paralajmëron se rritja e PBB-së gjatë vitit të plotë mund të bie në zero (në një skenar pandemik të rastit më të keq).

Përhapja e koronavirusit i ka dhënë goditje kërkesës dhe ofertës. Sektorët më të prekur janë: sektori privat, bizneset e vogla (hoteleritë, restorantet), pastaj turizmi dhe industritë e lidhura me udhëtimin. Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror paralajmëron se COVID-19 mund t’i kushtojë transportuesve ajrorë globalë nga 63-113 miliardë dollarë dëme në të ardhura në vitin 2020. Në mënyrë të ngjashme, aksionet e kompanive të mëdha hoteliere do kenë rënie. Restorantet, ngjarjet sportive dhe shërbimet tjera gjithashtu do të përballen me stagnim. Bujqësia do të jenë relativisht më pak e prekshme, por do të përballet me sfidat e kërkesës. Shkurtimisht: mund të përballemi me “shokun e furnizimit” sepse qindra-miliona njerëz në mbarë botën janë vetëizoluar, fluturimet janë anuluar, sheshet janë zbrazur, kufijtë, shkollat, universitetet e shumë biznese janë mbyllur. Efekti i menjëhershëm i këtyre kufizimeve është rënia e aktiviteteve ekonomike, gjë që rezulton në rënien e prodhimit dhe rritjen e çmimeve. Varësisht prej kohëzgjatjes, kjo mund të rezultojë në humbjen e shumë vendeve të punës dhe me mbylljen e shumë bizneseve. Humbja do të jetë e pabarabartë, sepse do ta pësojnë më shumë punëtorët dhe bizneset e vogla.

Kur jemi te Kosova, pritet të ketë ngritje të numrit të papunësisë. Sa më shumë të zgjasë kriza dhe pengesat për rrjedhën e lirë të njerëzve, të mallrave dhe kapitalit, aq më shumë kohë duhet që gjendja të normalizohet.

Qeveritë në gjithë botën kanë ndërmarrë hapat për të mbështetur punëtorët dhe bizneset. Veprimet në kohën e duhur janë vendimtare, si nga autoritetet shëndetësore, bankat qendrore, autoritetet fiskale, rregullatore dhe mbikëqyrëse, të cilat mund të ndihmojnë në kontrollin e shpërthimit të virusit dhe të kompensojnë dëmin ekonomik të pandemisë. Në përgjithësi, në aspektin fiskal shtetet kanë ndërmarrë masat që përfshijnë: rritjen e shpenzimeve për parandalimin dhe kontrollin e epidemive, prodhim të pajisjeve mjekësore, disbursim të përshpejtuar të sigurimit të papunësisë, lehtësim të taksave dhe heqje dorë nga kontributet e sigurimeve shoqërore. Në mënyrë specifike, shtetet e BE-së kanë krijuar fondin e ashtuquajtur “Iniciativë të investimeve për koronavirusin”, për të mbështetur investimet publike për spitalet, NVM-të, tregjet e punës dhe rajonet më të prekura… duke mos lënë anash as politikën monetare përmes së cilës mund të ruhet stabiliteti financiar (masat që janë marrë në shumicën e shteteve për likuiditetin në sistemin bankar, përfshirë ato për familjet e prekura, korporatat dhe rajonet që përballen me vështirësi shlyerjeje). Për sektorin privat përfshihet shtyrja e pagesave të kredisë dhe masat e tjera të mbështetjes së kredisë për NVM-të dhe familjet në nevojë. Banka Qendrore e Evropës vendosi të sigurojë mbështetje të politikës monetare prej 120 miliardë eurosh deri në fund të vitit 2020…

Masat që mund të marrë Kosova përmes politikës monetare janë të mangëta. Si valutë kemi euron, që do të thotë se nuk mund të bëjmë sigurimin e likuiditetit në treg. Por, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) mund të bëjë një hap për ta ndihmuar vendin. BQK-ja mund të bëjë uljen e kostove të huazimit (ulja e normave të interesit) për familjet dhe bizneset, por dihet që kjo merr kohë më shumë sesa mund t’i shihet efekti. Tash, në kohë emergjence për vendin, duhen veprime të shpejta me efekt të menjëhershëm. Këtë e ka bërë BQK së bashku me Shoqatën e Bankave të Kosovës të cilat kanë pezulluar pagesën e kësteve të kredisë për bizneset dhe individët, duke filluar nga 16 marsi e deri më 30 prill. Ky pezullim mund të zgjatet në varësi të situatës. BQK-ja do të zbatojë kontrollin rregullator mbi provizionet e kredisë dhe kërkesat e kapitalit për kreditë e riprogramuara. Ky veprim që ka marrë para dy javësh, ishte i mirëpritur nga sektori privat dhe nga qytetarët.

Shtetit tonë i mbeten në dispozicion edhe instrumentet e politikës fiskale, por kuptohet se nuk mund të bëhet ndonjë mrekulli kur i dimë kapacitetet dhe mundësitë financiare. Masat kryesore që janë marrë për përfshirjen e shpenzimeve dhe taksave, janë: alokimi i gjashtë milionë eurove për Ministrinë e Shëndetësisë, shtyrjet për të ardhurat e korporatave, taksat mbi të ardhurat personale dhe TVSh-në, avancimin e pagesave për skemat e ndihmës sociale me një shumë shtesë prej një muaji (nga një muaj në dy muaj) për të mbështetur familjet në nevojë, heqja e TVSh-së në importet e grurit dhe miellit, shtyrja e pagesave të shërbimeve publike deri në fund të prillit. Së fundi ka hartuar edhe planin emergjent për biznese, ku përfshihet mbulimi i shpenzimeve për paga në masën e pagës minimale prej 170 eurove për dy muajt e ardhshëm, deri në maksimumin e 41 milionë eurove (pastaj subvencionimi i qerasë deri në maksimumin e mundshëm prej 50 për qind për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, për dy muajt e ardhshëm, me një total prej 12 milionë eurove).

Kompanitë e Kosovës që kanë shënuar rënie të përkohshme të të hyrave të rregullta mund të kërkojnë likuiditet të përkohshëm nga Qeveria për të mbajtur operimin e rregullt të veprimtarisë, shumë të cilën janë të detyruar ta kthejnë pas stabilizimit të operimit (por jo më larg se deri në fund të dhjetorit të vitit 2020). Në këtë masë, Qeveria alokon 20 milionë euro dhe mjetet e alokuara bartin zero interes vjetor. Duke pasë parasysh shpenzimet që komunat kanë, Qeveria do të sigurojë financim shtesë për më të prekurat, në masën e 10 milionë eurove. Si dhe, do ketë shpërblime për doktorët, nëpunësit publikë – shtesë në masën fikse prej 300 eurove për secilin nga dy muajt në vijim (për këtë qëllim do të ndahen 15 milionë euro).

Veprimet që kanë marrë qeveritë e çdo njërit shtet, që ta tejkalojnë krizën, tash për tash janë brenda kufijve të tyre. Por, po ta shikojmë këtë në aspektin global, ato ndikojnë në ngadalësimin ekonomik të tregut financiar. Angel Gurría – sekretar i përgjithshëm i OECD – shprehet qartë se si ekonomia globale do duket pas pandemisë: “Nuk jam dakord me idenë e një fenomeni në formë ‘V’… E dimë se nuk do të jetë një ‘V’. Në rastin më të mirë do të jetë si një ‘U’… Ne mund ta shmangim të duket si një ‘L’, nëse i marrim vendimet e duhura sot”. Pra, ai nuk sheh mrekulli të shpejta. Por, e gjitha varet nga kohëzgjatja e virusit. Me “V” ai nënkupton se ku ishte ekonomia, çfarë rënie po përjeton dhe se a është e mundur të ngrihet shpejt; “U” është rënia e shpejt dhe ngritja jetë e ngadalshme; ndërkaq “L” paraqet rënien e shpejt, si dhe ngritjen që do zgjaste për vite të tëra.

Bota po përballet me perspektivën e ndryshimit të thellë: kthim në ekonominë natyrore. Kjo zhvendosje është e kundërta e globalizmit që nënkupton ndarje të punës midis ekonomive të ndryshme. Kthimi në ekonominë natyrore do të thotë që kombet do të lëviznin drejt të vetëmjaftueshmes. Kjo lëvizje nuk është e pashmangshme. Nëse qeveritë kombëtare mund të kontrollojnë ose tejkalojnë krizën aktuale brenda gjashtë muajve ose një viti, bota ka të ngjarë të kthehet në rrugën e globalizmit. Edhe nëse do ta pësojnë disa nga zinxhirët e krijuar të prodhimit dhe shpërndarjes së mallrave, ato mund të rishikohen apo të rindërtohen më shpejtë, sepse kanë bazën e mëhershme. Por, nëse kriza vazhdon, globalizimi mund të zvogëlohet, gjë që ekonomikisht të gjithë do kenë humbje.