Zbuloni cili vaj është më i miri për flokun tuaj

Kur pas verës vijnë ditët e ftohta, flokët humbasin shkëlqimin, sepse të ftohtit, ajri i thatë në ambientet e mbyllura dhe smogu ndikojnë shumë negativisht në shëndetin dhe bukurinë e tyre.


Gjëja më e mirë që mund t’i bëni flokut tuaj është t’i aplikoni një trajtim me vaj të ngrohtë. Megjithatë, lloje të ndryshme flokësh kërkojnë lloje të ndryshme vajrash.

Ja si mund t’ju ndihmojnë këto vajra të zgjidhni problemet me flokët...

Vaji i kokosit

Nëse keni nevojë për një trajtim universal për kujdesin e flokut, atëherë ky vaj është zgjedhja ideale. Ai nxit rritjen e flokut, i jep shkëlqim natyral, e ushqen nëse është i thatë dhe është shumë efektiv për trajtimin e zbokthit.

Vaji i ullirit

Ky vaj është i shkëlqyer për forcimin e rrënjëve, ndaj nëse keni problem akut me rënien e flokut, masazhoni lëkurën e kokës një herë në javë. Vaji i ullirit shërben edhe si balsam për flokët e dëmtuar, kështu që mund të harroni pa problem balsamët me kimikate.

Vaji i bajameve

Ky është vaji më i mirë nëse kërkoni trajtim për rritje të shpejtë të flokut. Me përdorim të rregullt, për tre muaj flokët mund të rriten deri në 10 centimetra. Përmban vitaminë E, e cila është përbërësi kyç për rritjen e shpejtë dhe të shëndetshme të flokut.

Vaji i ricinit

Megjithëse shpesh njihet si ndihmës për tretje, ky vaj është i mrekullueshëm për forcimin dhe rritjen e qerpikëve, vetullave dhe flokëve, sidomos nëse fijet janë të holla dhe të brishta. E vetmja gjë për të cilën duhet të keni kujdes është yndyra e lartë: nuk rekomandohet përdorimi në sasi të mëdha. Mjafton një lugë gjelle vaj në dy decilitra ujë për një trajtim të plotë, transmeton Telegrafi.

shutterstock

Si përdoret vaji për flokët

Vaji mbron lëkurën e kokës nga rrezet UV dhe nxehtësia, si dhe parandalon këputjen e majave. Mund ta përdorni në tri mënyra:

1. Pas larjes - si mbrojtje termike

Mënyra më e zakonshme është aplikimi i vajit në flokë të lagësht pas larjes. Në këtë formë, vaji vepron si mbrojtës termik. Mund të shtoni pak vaj edhe në bojën e flokëve për të përmirësuar efektin e saj.

2. Pas stilimit - për shkëlqim dhe hidratim

Nëse aplikoni vaj pasi ta keni bërë frizurën, ai do t’i japë flokut hidratim dhe shkëlqim. Kujdes të mos e teproni, që flokët të mos duken të yndyrshëm. Nëse e vendosni vajin në fije para plazhit ose pishinës, ai do të mbrojë flokun nga rrezet UV, klori dhe kripa.

3. Si maskë nate - për rikuperim

Vajin mund ta përdorni si maskë duke e aplikuar në të gjithë gjatësinë e flokut para gjumit. Ky trajtim rinovon fijet e dëmtuara. Gjithashtu, disa pika vaji mund t’i përzieni me një maskë ose balsam dhe ta mbani në flokë për të paktën 30 minuta, rezultati do t’ju habisë me shkëlqimin dhe ushqyerjen që merr floku.

Mënyra e aplikimit

Të gjitha vajrat aplikohen në të njëjtën mënyrë: përzieni gjysmë filxhani vaj me gjysmë filxhani ujë të nxehtë në një shishe, tundeni derisa vaji të shpërndahet në pika të imta dhe lëreni të ftohet pak. Masazhojeni përzierjen në flokë, vendosni një kapelë dushi ose qese plastike dhe mbështilleni me një peshqir. Lëreni të veprojë 15-20 minuta dhe më pas shpëlajeni mirë me shampo. /Telegrafi/